E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hakmarrje mobile

Haraçin e nervozizmit të serbëve lokalë, duket se kanë nisur ta paguajnë kompanitë legjitime të telefonisë celulare, IPKO dhe Vala. Këtyre kompanive u janë dëmtuar dy antena. Derisa IPKO-s i është dëmtuar shpërndarësi i valëve celulare në fshatin Ribar i Madh të Zveçanit në veri të vendit, kompanisë Vala i është dëmtuar antena në Shtërpcë.

Dëmtimi i antenave të shpërndarjes së valëve të telefonisë celulare të këtyre kompanive, bëhet një ditë pas aktivizimit të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit (ART), për heqjen e antenave të operatorëve ilegalë të Serbisë, që veprojnë në Kosovë.

“Nga informacionet që kemi ne, antenës së IPKO-s i është vendosur një mjet shpërthyes”, thotë Besim Hoti, zëdhënës i Policisë së Kosovës, për rajonin e Mitrovicës. Ai shpjegon se në lidhje më këtë çështje nuk ka ende persona të dyshuar, por mendohet se ky akt ka ndodhur pas veprimeve të një dite më parë nga ana e ART-së.

Pavarësisht dëmtimit të kësaj antene, Alban Kastrati, zëdhënës i kompanisë IPKO, shpjegon se ata kanë aparaturën e atij niveli, saqë edhe në rast se dëmtohet një e tillë, konsumatori nuk i ndjen fare efektet. “Nëse një antenë dëmtohet, automatikisht rregullohet furnizimi me valë i konsumatorëve”, shpjegon Kastrati për Express.

Ai shpjegon se antena e dëmtuar do të kthehet në funksion brenda ditës së shtunë, ose eventualisht të dielën paradite. Edhe zyrtarë të Post-Telekomit të Kosovës (PTK), pjesë e së cilës është telefonia celulare Vala, shpjegojnë se në Shtërpcë, atyre u është dëmtuar një antenë. “Ka pasur dobësim të sinjalit për disa orë në Shtërpcë, për shkak të dëmtimit të një antene nga persona tash për tash të panjohur”, thotë Menduh Abazi, zëdhënës i PTK-së për Express. Sipas tij, disa orë më vonë, ekipet e mirëmbajtjes kanë rregulluar këtë dëmtim.

Sipas të dhënave të mëhershme të PTK-së, brenda një viti, rreth 20 milionë euro i shkaktohen humbje asaj dhe kompanisë rivale IPKO. Alban Kastrati, zëdhënës i kompanisë IPKO, shpjegon se në lidhje me këtë çështje, drejtuesit e saj disa herë janë ankuar në ART dhe madje këtë e kanë bërë edhe publikisht, së bashku me drejtuesit e PTK-së.

“IPKO-ja si kompani është licencuar për të operuar në tërë Kosovën dhe çdoherë përkushtimi i kompanisë është të ofrojë shërbim për konsumatorët”, thotë Kastrati për Express. Por dy kompanitë kosovare nuk ofrojnë vetëm valë të telefonisë celulare. Ato janë të licencuara edhe për ofrim të shërbimeve të internetit. Vite më parë, Serbia pati bllokuar furnizimin Kosovës edhe me internet.

Pas aksioneve të ditëve të fundit nga ART-ja, për shkyçjen e kompanive të telefonisë celulare të Serbisë në Kosovë, zyrtarë të Beogradit nuk e kanë përjashtuar mundësinë që të veprojnë njësoj. Por zyrtarë të IPKO-s i kanë thënë të shtunën Expressit se ata nuk bazohen në rrjetin e Serbisë, duke sqaruar se kanë disa mënyra të ofrimeve të shërbimeve të internetit. “Të hënën, zyrtarët e kompanisë do të dalin me të gjitha të dhënat në lidhje me zhvillimet e ditëve të fundit dhe këtë çështje”, thotë Alban Kastrati, zëdhënës i IPKO-s.

Ndërkohë, Menduh Abazi, zyrtari i PTK-së, thotë se kjo kompani ka kohë që e ka zgjidhur këtë problem. “Sa për internet, ne nuk varemi nga Serbia. Kemi lidhjet me Shqipërinë dhe Maqedoninë”, thotë Abazi për Express.
Dy ditë pas fillimit të aksionit për shkyçje të antenave ilegale të kompanive të Serbisë, të cilat kanë vite që operojnë në Kosovë, këtë punë ART-ja e quajti të përfunduar. Drejtuesi i këtij institucioni, Ekrem Hoxha, deklaroi se ART-ja gjykon se me këtë veprim është arritur efekti i duhur.

“Ka vazhduar dhe ka përfunduar deri të shtunën pasdite në gjithë Kosovën. Pra, në gjithë Kosovën ka përfunduar ky aksion dhe të hënën do të dalim me komunikata”, tha Hoxha, duke mos dhënë detaje se sa stacione bazë të këtyre transmetuesve janë larguar. Të premten, kur edhe ka nisur aksioni, ART-ja ka bërë të ditur se janë hequr 14 stacione bazë të këtyre transmetuesve ilegalë, jo vetëm në Prishtinë, por në nivel të Kosovës.

Fakte:
Llogaritet se kompanitë ilegale të telefonisë celulare kanë në Kosovë rreth 200 mijë konsumatorë, jo vetëm serbë, por edhe shqiptarë. Përveç Telekom Srbija që ofron edhe telefoni fikse në veri të Mitrovicës, kompanitë e tjera ofrojnë vetëm telefoni celulare. Kompania që ka shtrirje gati 100 për qind në tërë Kosovën është IPKO, e cila ka antena edhe në veri të vendit.

Internet:
Të dhënat e ART-së në fund të janarit të këtij viti kanë treguar për rritje të përdorimit të internetit në afër 7 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur ishte 5.5 për qind. Tani janë gjithsej 125 mijë e 949 linja të internetit, prej 110 mijë sosh sa ishin në vitin 2008. Kjo i bie që në Kosovë mbi 125 mijë familje e kanë internetin në shtëpitë e tyre, ndërkohë, sipas statistikave botërore të përdorimit të internetit, deri në dhjetorin e vitit 2008, Kosova ka pasur 377 mijë përdorues.

IPKO- lider:
Me hulumtimet e fundit të cilat janë bërë për pjesëmarrjen e kompanive vendore në tregun e internetit, IPKO-ja është lider i tregut me 59 për qind pjesëmarrje në treg. Rritje e lartë e kërkesës për shërbime të internetit vërehet edhe te konsumatorët Postës dhe Telekomit të Kosovës. Statistikat e përpiluara nga kjo ndërmarrje tregojnë për rritje të kërkesës në vazhdimësi duke arritur kështu në gjithsej 34 mijë 280 konsumatorë të internetit, që krahasuar me vitin paraprak, është për 45 për qind më shumë, kur ishin 20 mijë e 822 konsumatorë.

Rajoni me internet:
Sipas një hulumtimi të bërë në qershorin e vitit të kaluar nga “Cullen International”, Kosova ka pasur një shkallë të penetrimit me rreth 5.40 për qind. Megjithatë, Kosova qëndron më mirë se Shqipëria me 1.40 për qind, e cila është radhitur e fundit në listë, ndërkohë që i paraprijnë Serbia me 6.31 për qind, Maqedonia me 8.83 për qind dhe Sllovenia me 21 për qind.

PTK:
PTK-ja ka marrë vendim të shpërndajë numra të telefonisë celulare në enklavat serbe si në Brezovicë, Graçanicë dhe Shtërpcë. SIM kartelat e Valës do t’u jepen pa pagesë konsumatorëve që jetojnë nëpër këto enklava. Sipas zyrtarëve të kësaj kompanie, PTK-ja është duke bërë përpjekje që të ulë tarifat e thirrjeve nga operatori Vala në drejtim të operatorëve serbë, në mënyrë që t’u lehtësohet komunikimi dhe që qytetari serb i Republikës së Kosovës të mos ndihet i izoluar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›