E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy aksidente u marrin jetën dy personave

DURRËS/LEZHË

Një aksident i rëndë ka ndodhur gjatë natës në zonën rurale të qytetit të Durrësit, ku mbeti i vdekur një person dhe një tjetër u plagos rëndë. Ngjarja ndodhi në aksin Sukth - Manzë. Një përplasje me motoçikleta shkaktoi vdekjen e 37-vjeçarit Selim Lushi nga fshati Vadardhë. Dy motoçikletat qenë tip "Jamaha" dhe sipas të dhënave ka qenë shpejtesia e madhe e njërit prej tyre, por edhe mungesa e ndriçimit të rrugës dhe e vetë mjeteve motorike që ka bërë që të dy motoçiklistët të mos e shikonin njëri-tjetrin dhe nga kjo të përplaseshin keqazi. Të dy drejtuesit kanë mbetur të shtrirë në rrugë derisa kanë shkuar mjetet e para dhe kanë nxituar që t'iu japin ndihmën mjekësore. Nga përplasja 37-vjeçari Lushi kishte marrë plagë të rënda duke humbur jetën. Të dy janë transportuar me shpejtësi në spitalin rajonal të Durrësit, por ndaj njërit nuk ka qenë e efektshme ndihma, pasi ndërkohë kishte vdekur. Mjekët kanë futur në sallën e kirurgjisë 25-vjeçarin U. Kurti dhe pas ndihmës së dhënë ka dalë nga gjendja e rrezikut për jetën.
Ndërkohë, vetëm pak minuta më pas është përgjakur edhe autostrada Shkodër-Lezhë, ku si pasojë e një aksidenti automobilistik ka gjetur vdekjen një 38-vjeçar nga Durrësi. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:30 në segmentin Balldre-Lezhë, në kufirin ndarës të fshatit Balldre dhe qytetit Lezhë, ku janë përplasur 2 automjete të tonazheve të rënda, të cilët kishin të njëjtin sens lëvizjeje. Një kamion me targa KR 4696 A, me drejtues shtetasin Bujar Varfi, 36 vjeç, është goditur nga pas nga një automjet tip kamion me targa DR 0191 A, që drejtohej nga shtetasi Nikoll Kola. Policia e Lezhës bën të ditur se si rezultat i kësaj përplasjeje ka humbur jeten në vend 38-vjeçari nga Durrësi Ndue Marku, i cili po udhëtonte në automjetin me targa të Durrësit. Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor, ku nga hetimet e bëra, rezulton se shkak i këtij aksidenti është drejtimi në gjendje të dehur të drejtuesit të automjetit me targa të Durrësit. Burime zyrtare bëjnë të ditur se është vënë në pranga 36-vjeçari Kola për drejtim të automjetit në gjendje të dehur dhe shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, duke shkaktuar aksident me pasoja fatale.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›