Demontimet në natyrë, reagojnë banorët: Po na shkatërrohen shtëpitë
LIBRAZHD - Rreth 300 familje jetojnë mes zhurmës së shpërthimeve të poligonit të Zgarës në rrethin e Librazhdit. Banorët e fshatit Kuturman të shqetësuar sa herë që në këtë poligon janë planifikuar shpërthime në natyrë thonë se veç tronditjeve, dëmit që shkakton zhurma, ka ndodhur që në shtëpitë e tyre të fluturojnë edhe pjesë predhash. Megjithëse nuk ka të dëmtuar, ata shprehen se bëjnë një jetë me frikë dhe sidomos për fëmijët e tyre. Vera Bahiti është një prej banoreve që tregon se nga shpërthimet dhe tronditjet e vazhdueshme shtëpia e saj ka pësuar krisje dhe suvaja ka rënë. "Ne jetojmë këtu pasi nuk kemi mundësi të lëvizim. Edhe pse e kemi ngritur disa herë zërin në komunë e mediat e kanë bërë problem, asnjëherë nuk janë marrë masa dhe poligoni vazhdon shpërthimet. Presim që shteti të ndërhyjë e të largojë shpërthimet, pasi në këtë gjendje nuk mund të jetohet". Teksa tregojnë gjendjen e shtëpive, banorët thonë se edhe pse drejtuesit e poligonit thonë se janë respektuar të gjitha normat, gjendja e tyre tregon të kundërtën e kësaj. Njëkohësisht specialistë të mjedisit thonë se këto shpërthime largojnë kafshët, prishin florën e faunën e zonës. Për shpërthimet në natyrë duhet të gjendet një vend tjetër më i përshtatshëm, ku nuk cenohet natyra. Banorët kanë paralajmëruar protesta deri edhe bllokim rruge për lëvizjen e mjeteve të ushtrisë nëse nuk i jepet një zgjidhje kësaj gjendjeje. Poligoni i Zgarës është ngritur në vitin 2008 nga Ministria e Mbrojtjes dhe është vetëm pak kilometra larg qytetit të Librazhdit dhe fare pranë fshatit Kuturman. Vendimi per ngritjen e këtij poligoni është kundërshtuar ashpër nga disa institucione. Ky poligon është miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe shkatërrohen predha të kalibrave të ndryshëm. Ndryshe nga Poligoni i Zgarës ku municionet shkatërrohen në natyrë, në Mjekës ato demontohen nëpërmjet makinerive speciale nga investimet e vendeve të NATO-s.