Vrau motrën dhe plagosi xhaxhain, arrestohet i riu

Policia në vendngjarje, duke arrestuar një person, foto arkiv
Policia informon se ka arrestuar Aleksandër Carën, pas më shumë se 2 muaj kërkimesh, i cili akuzohet për vrasjen e motrës dhe plagosjen e xhaxhit. Arrestimi i tij u bë i mundur nga forcat e RENEA-s dhe policia e Lezhës. Ngjarja e rëndë ndodhi në Kurbin në 23 mars të këtij viti, ku Aleksandër Cara ka vrarë motrën e tij gabimisht, pasi donte të qëllonte xhaxhin.
Policia e akuzon 25-vjeçarin, Aleksandër Cara, për vrasje, ndërsa i ati akuzohet si bashkëpunëtor në krim. 25-vjeçari vrau me një armë zjarri, çifte, të motrën, në tentativë për të qëlluar xhaxhin e tij, Mark Cara.
Mësohet se vëllezërit Llesh dhe Mark Cara kanë pasur një konflikt mes tyre për pronësinë.
Sipas dëshmive të Mark Carës, ai kishte shkuar në shtëpinë vëllait për të biseduar. Por, vëllai së bashku me të birin, Aleksandrin, e kishin fyer dhe rrahur.
25-vjeçari Aleksandër Cara ka tentuar të vrasë xhaxhin pas sherrit, por e motra e tij, Lula Cara, ka hyrë në mes që të mos qëllonte xhaxhin dhe saçmat e çiftes kanë rënë mbi 31-vjeçaren duke e lënë të vdekur atë.
Fillimisht u dyshua si autor i vrasjes, babi i 25-vjeçarit, Llesh Cara, por më pas policia ka ngritur akuzë për të birin. 58-vjeçarin e mohoi vrasjen, duke thënë se autori kishte qenë i vëllai që mbeti i plagosur. Prej 10 vitesh ata ishin në konflikt dhe madje kishin pasur mes tyre një proces penal, e cila kishte përfunduar në favor të Mark Carës. Së fundmi, ata kishin hapur një proces civil për pronën. Seanca e radhës ishte tri ditë para ngjarjes. /E.Lata/