E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohen katër shpërndarës droge, dyshime edhe për vjedhje

Katër shpërndarës droge gjanë arrestuar dje nga antidroga e kryeqytetit, ndërkohë që atyre u është sekuestruar edhe një sasi e konsiderueshme lënde narkotike, të cilën e kishin destinuar për shitje tek adoleshentët. Policia tha se arrestimi i tyre u bë nga disa aksione të antidrogës, seksion i cili kishte mbledhur informacione operative mbi këta persona. Burimet zyrtare nga policia shpjeguan se nga seksioni i antidrogës u arrestua fillimisht Gentian Ymer Kaca, 22 vjeç dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Ymer Musa Kaca, 51 vjeç, të cilët janë djalë e baba. Sipas të dhënave hetimore, rreth orës 13.30, në Rrugën e Kavajës, 22-vjeçarit iu gjet e bllokua në cilësinë e provës materiale 1 gramë lëndë narkotike e llojit "heroinë" dhe nga kontrolli në banesë, iu gjet e bllokua në cilësinë e provës një dosje mjeti dhe tre blloqe faturimi të Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor, të paplotësuara. Sipas të dhënave policore, babai i të arrestuarit u procedua penalisht në gjendje të lirë, pasi dyshohet se merrej me falsifikim dokumentesh. Ndërkaq, po nga antidroga u arrestuan në flagrancë Jotjol Gjergji Berdilla, 21 vjeç e Armando Kadri Hysnelaj, 22 vjeç, si dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për Donald Edmond Cuberin, 21 vjeç, të tre banues në Tiranë. Sipas të dhënave hetimore, arrestimi i tyre ka ardhur pas tre ditësh ndjekjeje. Fillimisht, policia ka dokumentuar që Jotjoli e Armando i kanë shitur lëndë narkotike Donaldit. Kjo ka ndodhur rreth orës 22:00 të së premtes para Presidencës. Më pas, policia i ka mbajtur në ndjekje dhe u ka vënë prangat. Nga të dhënat mësohet se këtyre personave u është gjetur edhe një sasi prej 16 gramësh kanabis, që është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, si dhe tre celularë. Ndërsa aksioni i tretë u zhvillua nga patrulla e përgjithshme, e cila po e ndiqte një të ri për vjedhje. Sipas të dhënave hetimore, policia kishte marrë informacion se Mirgen Beqiraj kishte vjedhur dy kasetofonë makinash. Kështu është ushtruar kontroll ndaj tij te rruga "Irfan Tomini, ku i janë gjetur edhe kasetofonët e vjedhur, që i mbante në banesë. Por, veç kasetofonëve, policia ka sekuestruar edhe 724 gramë kanabis, që e mbante për ta tregtuar te shokët e tij. Policia i sekuestroi lëndën narkotike, pasqyrat e vjedhura, por edhe një mjet, që ai e përdorte për të kryer aktivitetin e tij kriminal, si në shpërndarjen e lëndëve narkotike, ashtu edhe në vjedhje.

Ble. Gi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›