Arratisja spektakolare nga Gjykata e Tiranës
Në datën 17 nëntor të vitit 2003, Dritan Dajti kreu një arratisje spektakolare nga Gjykata e Tiranës, duke shtangur të gjithë togën e shoqërimit. Për këtë vepër penale ai u dënua me 9 vjet heqje lirie, ndërsa u dënuan edhe punonjësit e policisë. Sipas vendimit të gjykatës, rezulton se më datë 17 nëntor 2003, rreth orës 10.15, Dritan Dajti shoqërohet nga reparti i Burgut 313 në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë. Në momentin që mbërrijnë në gjykatë, ai ka kërkuar që të shkojë në VC për nevoja personale. Pasi policët e shoqërimit e lejojnë, Dajti hyn në VC. Para se të fillonte seanca gjyqësore, Dajtit i ndërrohen prangat dhe hapet dera për të hyrë dëgjuesit. Pikërisht në këtë moment, ai arrin të lirojë duart nga prangat, nxjerr një pistoletë dhe pasi ua drejton policëve, duke i kërcënuar se do t‘u hidhte trutë në erë, del nga salla dhe largohet. Në shkallët që e çonin në katin e parë qëllon në ajër, duke trembur shumë qytetarë që prisnin zhvillimin e gjyqeve. Ndërkohë ai rrëzohet në portën kryesore të Gjykatës së Tiranës dhe pasi çohet del në rrugë, ku e priste një motoçikletë dhe pasi hipën në të largohet pa u kapur nga policia. Drejtimi i motoçikletës ishte nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, duke shmangur çdo patrullë policie, pasi mendohet se Dajti ndërroi edhe bluzën gjatë arratisjes, duke i shpëtuar ndjekjes policore.