Hal Singer: Luaj për ata që pëlqejnë jazz-in
Festivali i Jazz-it në Tiranë ka sjellë deri tani personazhe të njohur në botë. Në skenën shqiptare, tashmë kanë shkelur vokalistja Crystal White dhe saksofonisti Jerry Weldon. Surprizë ishte interpretimi i saksofonistit 90-vjeçar, Hal Singer
Javës së muzikës jazz në Tiranë po i vjen fundi. Kanë përfunduar tri mbrëmje të "Vesa Jazz festival", gjatë së cilave kanë interpretuar emra të njohur të kësaj muzike si, Crystal White, Hal Singer, Jerry Weldon, etj.
Në natën e parë, publiku pati mundësinë të dëgjonte një nga zërat më të mirë të jazz-it, Crystal White. Me një performancë të ngrohtë, erdhën në skenën e Teatrit të Metropolit disa këngë tepër të njohura si, "Sumertime" dhe "Cry me a river".
Zëri i ëmbël i White ka mbajtur të mbërthyer për një orë publikun. Gjithë kohës ajo shoqërohej nga saksofonisti Jerry Weldon, i cili ekzekutoi dhe natën e dytë të festivalit, e cilësuar "Nata e Saksofonit", me protagonist amerikanin 90-vjeçar, Hal Singer.
Ai doli në skenë duke ecur me ngadalë. Njërin krah e kishte mbështetur tek bashkëshortja dhe tjetrin tek bastuni i tij. Ky ishte i vetmi moment që publiku pa lodhjen e viteve të instrumentistit. Sapo mori në dorë saksofonin (i cili shkëlqente si të ishte prej ari), Singer u shndërrua në tjetër njeri.
Tingujt e parë që lëshoi saksofoni, - ca tinguj të fortë dhe plotë jetë-, treguan që muzika nuk njeh moshë. Përreth një orë e gjysmë interpretoi pjesë të ndryshme, jo vetëm me instrument po dhe me vokal.
Natën e parë publiku kishte dëgjuar "Cry me a river" me zërin e White, ndërsa Singer-i dha një version tjetër të këngës. Ai preferoi të interpretonte vetëm strofën e parë dhe të fundit të këngës, ndërsa pjesën tjetër të historisë ia la saksofonit ta tregojë.
Vargjet që interpretoi ishin të pakta, por mjaftonin për të treguar zërin aspak të plakur të Hal Singer-it. Mbrëmjen e tij në "Vesa Jazz Festival", Singer-i e mbylli me një pjesë bluz dhe më pas tregoi për "Shekulli"-n disa nga momentet e karrierës.
Intervista
Z. Singer, ju keni një jetë të tërë që luani jazz, si do t'ia përshkruanit këtë muzikë dikujt që nuk e ka dëgjuar më parë?
Muzikën mund ta krahasoj me një vend ku shkoj për të ngrënë. Aty më thonë që ushqimi është shumë i mirë, por unë them që nuk më pëlqen. Kur njerëzit pëlqejnë gjëra, ata thjesht i pëlqejnë. Me muzikën ndodh e njëjta gjë. Mund të luash të njëjtën muzikë që luan dikush tjetër, por dikujt i pëlqen dhe dikujt tjetër jo.
Nuk duhet të njohësh gjithçka që ta shijosh. Është njësoj si kur sheh një vajzë të bukur dhe thua, "O Zot, ajo është e mrekullueshme". Një tjetër mund të thotë, "Mua nuk më pëlqen". Publiku këtu më vlerësoi shumë, reagoi mirë dhe e shijoi muzikën.
Ju luajtët bashkë me saksofonistin Jerry Weldon. Veç muzikës së mrekullueshme binte në sy që instrumentet tuaja ishin të ndryshme. Saksofoni juaj shkëlqente si të ishte prej floriri, ndërsa ai i Weldon-it dukej shumë i vjetër.
E di cila është gjëja më qesharake? Që saksofonisti tjetër është sa gjysma e moshës sime. Është për të qeshur që të gjithë saksofonistët e rinj duan instrumente të vjetra, ndërsa ata të vjetrit duan saksofonë të rinj.
Përse ndodh kjo?
Nuk e di pse. Unë kam pesë saksofonë dhe të gjithë janë të rinj. Kam dy me të cilët ushtrohem, dy të tjerë me të cilët luaj dhe një tjetër, i cili më ka falur momente shumë të bukura. Por tani nuk luaj më me të. Ia kam dhuruar gruas sime, aty kam gdhendur me ar edhe emrin tim.
Gjatë gjithë karrierës suaj, ju keni pasur mundësinë të luani me emra legjendarë të muzikës jazz si, Ray Charles, Duke Ellington, etj.
Çfarë kujtoni prej tyre?
Kjo është një pyetje shumë e vështirë, sepse nga çdo skenë dhe nga njerëzit që takon merr reagime të ndryshme. Krijon lidhje të ndryshme dhe është e vështirë të thuash ky është më i mirë se ai tjetri. Kur shkoj për të luajtur, unë shkoj për të luajtur.
Dua të luaj për njerëz që e pëlqejnë këtë muzikë. Nëse publiku nuk ndihet rehat, kjo gjë pasqyrohet në muzikë. Kështu që unë përpiqem që t'i qetësoj.
Ka pasur një moment në karrierën tuaj kur jeni përballur me emra të mëdhenj të jazz-it. Në Nju Jork ju keni marrë pjesë në konkursin "Big Battle of the Bands".
Ky është emri që i vunë, por në një farë mënyre edhe ishte, edhe nuk ishte betejë, sepse të gjithë pjesëmarrësit ishin miq.
U përpoqëm që të jepnin më të mirën tonë. Kur je në një konkurs dhe ke përballë miqtë e tu, në atë moment ngatërrohet dhe miqësia. Nëse merr pjesë në një garë, ti nuk mendon, "unë nuk do të fitoj, sepse ai është miku im". Jo, njësoj do të përpiqesh që të fitosh.
Ju ende dilni në skenë dhe jo vetëm luani, por i bëni të tjerët të emocionohen. Jeni 90 vjeç dhe kjo është e habitshme.
(Qesh). Unë kam një bashkëshorte shumë të ligë. Nëse nuk dal të luaj dhe të fitojë lekë, ajo do të më rrahë.
Nata e katërt e muzikës jazz
Mbrëmja e katërt e "Vesa Jazz Festival", që organizohet në Teatrin e Metropolit nga "Rey, jo vetëm Jazz Club", ngjit në skenë grupin italian, "Sandro Gibellini Quintet". Sot, në orën 19:30, Gibellini luan së bashku me instrumentistët Jerry Weldon (saksofon), Andrea Rea (piano), Carmelo Lelotta, (kontrabas) dhe Elio Coppola (bateri).
Sandro Gibellini cilësohet si një nga kitaristët italianë më të mirë të muzikës jazz. Gjatë karrierës së tij ka luajtur me emra të njohur si Jimmy Woodie, Alvin Queen, Kenny Barron, etj. Për disa vite ka qenë edhe pjesëtar i "Big band" të RAI-t.