Ministria e Brendshme: Procesi nuk ka filluar në 14 komuna
Ministria e Brendshme reagon pas denoncimeve nga ana e PS-së për pajisjen e qytetarëve me karta
TIRANË- Kur kanë mbetur dhe 45 ditë nga data e zgjedhjeve, procesi i aplikimit për pajisjen me karta identiteti nuk ka filluar akoma në 14 njësi të qeverisjes vendore.
Vetë Ministria e Brendshme ka deklaruar nëpërmjet një reagimi zyrtar, se procesi i aplikimit për letërnjoftimet elektronike nuk ka filluar në 14 komuna të shtrira në disa rrethe të vendit, ndërkohë që ky proces sapo ka filluar në 14 njësi vendore të tjera.
Në komunat Shllak, Topojan, Lurë, Ulëz, Tunjë, Greshicë, Çepan, Potom, Gore, Petram, Ballan, F. Memaliaj, Çarshovë dhe Sukë, procesi i aplikimit dhe pajisjes së qytetarëve me karta identiteti nuk ka filluar dhe, sipas Ministrisë së Brendshme, ky proces në këto komuna do të hapet javën e ardhshme.
Ky dikaster hedh poshtë dhe deklaratat e Partisë Socialiste për numrin e personave pa pasaportë që u përkasin 14 komunave, në të cilat nuk ka filluar akoma procesi.
Ministria deklaron se numri i personave që nuk kanë pasaportë, që janë banorë të komunave, ku nuk kanë nisur procedurat e pajisjes me karta identiteti, është 6232 shtetas, duke kundërshtuar shifrën prej 17.234 shtetas, të dhënë nga Partia Socialiste.
Edhe në disa njësi të tjera vendore, procesi i aplikimit për letërnjoftimet elektronike ka filluar vetëm në dhjetëditëshin e parë të majit. Në komunat Surroj dhe Zapod të Rrethit të Kukësit dhe në komunën Markat të Rrethit të Sarandës, procesi ka filluar vetëm me datë 9 maj.
Zyrtarët e Ministrisë së Brendshme deklarojnë se, nëse qytetarët kanë vullnet për pajisjen me karta identiteti, atëherë, komunat që pritet të fillojnë të presin qytetarët për aplikime, do ta mbyllin procesin e aplikimit në një periudhë prej dhjetë ditësh.