Has, plagoset me armë polici i bankës
GRABITJA/ Një person i armatosur dhe i maskuar tentoi që të grabiste me armë bankën e qytetit të Krumës
Helikopterë u vunë në dispozicion të policisë në kërkim të autorit, i cili ende nuk është identifikuar
HAS - Plagoset me armë punonjësi i sigurisë i degës së "Raiffeisen Bank" të qytetit të Krumës. Fadil Lusha është plagosur mesditën e së enjtes, teksa ishte në shërbim.
Ndërsa polici është dërguar në spitalin e Kukësit për një ndërhyrje kirurgjikale, uniformat blu kanë nisur kërkimin e autorit, ende të paidentifikuar, duke mbledhur prova nga personat që ishin në vendngjarje dhe që mund të kenë parë diçka. Vështirësia qëndron edhe në faktin se autori i krimit ishte me maskë në momentin që ka hyrë në ambientet e bankës.
Tentativa
Ngjarja ka ndodhur në mesditën e së enjtes në mjediset e degës së "Raiffeisen Bank", ku një grabitës i armatosur e i maskuar ka hapur zjarr ndaj punonjësit të sigurisë, ndërsa kishte shkuar për të grabitur bankën.
Burime nga policia e Hasit shprehen se ishte ora 11:45 e së enjtes, kur një person me maskë dhe i armatosur me pistoletë ka hyrë në mjediset e degës së "Raiffeisen Bank" të Krumës me qëllim për të grabitur.
Sapo ka hyrë në mjediset e bankës, grabitësi është ndaluar nga punonjësi i sigurisë, Fadil Lusha. Por ai ka hapur zjarr, duke e plagosur policin me një plumb në gjoks. Pas kryerjes së krimit, grabitësi i armatosur është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes pa arritur që të kapet apo identifikohet nga ana e policisë.
Hetimi
Në vendngjarje shkuan forcat e policisë së Hasit. Mësohet se autori i krimit është larguar në drejtim të lagjes "Geca" për në malin e Gajrepit në afërsi të kufirit me Kosovën. Në drejtim të Krumës janë nisur forca të shumta të drejtorisë së Policisë së Qarkut të Kukësit, ku janë ngritur dhjetëra postblloqe policie përgjatë rrugës Kukës-Krumë.
Ndërkohë, një helikopter i ardhur nga Tirana është vënë në dispozicion të forcave të policisë, i cili po patrullon nga ajri zonën kufitare me Kosovën, në mënyrë që autori i krimit të mos ketë mundësi që të kalojë kufirin për në Kosovë.
Ndërkohë, i plagosuri është dërguar menjëherë në spitalin e Krumës ku ka marrë ndihmën e parë dhe më pas për në spitalin e Kukësit, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Burime spitalore bëjnë të ditur se gjendja e pacientit pas operacionit është e rëndë, por me shpresë për jetën. Plumbi i ka dëmtuar atij toraksin dhe ka depërtuar tejpërtej trupin duke dalë në shpatull.
Grupi hetimor ka konkluduar se plagosja e punonjësit të sigurisë së bankës ka ardhur pas një goditjeje me një plumb pistolete të tipit TT.
Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se personi me maskë është shfaqur befas në ambientet e bankës dhe ka pasur si objektiv sportelin ku kanë qenë paratë. Por i është ndërprerë rruga nga punonjësi i sigurisë. Qyteti i Krumës dhe fshatrat e tij ditën e 14 majit thuajse kanë qenë të boshatisur.
Një dëshmitar i ka thënë policisë se ka parë autorin e krimit duke u larguar me vrap. Sipas dëshmitarit, grabitësi ka qenë i veshur me kostum sportiv ngjyrë të kaltër dhe gjatë largimit me shpejtësi nga vendi i ngjarjes nuk e kishte hequr maskën nga fytyra.