E Diel, 1 Nëntor 2026

Haldeda: Deficiti buxhetor është rritur, por kufiri nuk do të kalohet

Të ardhurat në buxhetin e shtetit për 7 muajt e këtij viti janë 4% më të larta se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, por ende të pamjaftueshme për të mbajtur nën kontroll deficitin. Zv.ministri i Financave, Nezir Haldeda, deklaroi se të ardhurat në buxhet për këtë periudhë janë më të ulëta krahasuar me parashikimet. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe ka pasur edhe rritje të shpenzimeve publike me rreth 6%, ku ndikimin më të madh e kanë dhënë investimet publike dhe rritja e pagave dhe pensioneve. Edhe pse gjatë muajve të fundit pati një rritje të deficitit buxhetor, sipas z. Haldeda, në nivel vjetor do të ruhen parametrat e shpallur në ligjin e buxhetit të shtetit, pra 3,5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Mosrealizimi i të ardhurave sipas planifikimit në fillim të vitit dhe nevoja për të mbajtur nën kontroll deficitin, e detyruan Ministrinë e Financave të rishikojë buxhetin 2011 për pjesën e dytë të vitit. Sipas ligjit të ndryshuar dhe të miratuar në Kuvend, shpenzimet u pakësuan në vlerën e 18.3 miliardë lekëve. Ndërkohë, niveli i të ardhurave u ul me rreth 14 miliardë lekë. Shpenzimet korrente janë shkurtuar me 5,6 miliardë lekë, shpenzimet kapitale me 7.8 miliardë lekë, fondi rezervë me 428 milionë lekë, fondi i kontingjencës me 1.2 miliardë lekë dhe fondi i rritjes së pagave dhe pensioneve me 799 milionë lekë. Kjo tendencë e të ardhurave dhe shpenzimeve solli një rritje të fortë të deficitit buxhetor e rriti deficitin buxhetor 10 herë më shumë, krahasuar me pesëmujorin e parë të vitit 2010. Ndërkohë që në rishikimin që i është bërë buxhetit ekspertët kanë marrë në konsideratë shkurtime në pjesën e projekteve dhe zërave që nuk i kanë konsumuar fondet sipas programit fillestar të buxhetit. Është bërë traditë tashmë që në mes të vitit buxheti i shtetit të rishikohet me qëllim riorientimin e fondeve në strukturimin e tyre në raport me realizimin.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›