Sëmundjet infektive. Kthehet bruceloza në Tiranë
Sëmundja e brucelozës pasuar me atë të shigelozës janë hasur shpesh gjatë këtij viti në kryeqytet. Sipas raportit të fundit mbi situatën e prekshmërisë nga sëmundjet infektive, në 7 muajt e këtij viti, sëmundja e brucelozës renditet si më e shpeshta në kryeqytet, ndërsa pasohet nga një tjetër sëmundje po infektive, shigeloza. Këto sëmundje, të konsideruara të heshtura, janë rikthyer në vendin tonë dhe sipas shefit të Epidemiologjisë pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik në Tiranë, Halil Stana, në shifra të larta në këtë 7-mujor mbeten dhe sëmundjet gastrointestinale, ku raportohen mbi 4500 të prekur. Numri më i madh i tyre është regjistruar në muajin korrik. ”Sëmundjet infektive që dominojnë janë infeksionet respiratore. Ato janë të ndryshme. Kryesisht janë ato që shkaktohen nga virozat, por ka edhe nga mikrobet. Dhe çdo vit ato kanë shifrën më të lartë të sëmundshmërisë, veçanërisht te fëmijët. Gjatë këtij viti kemi pasur 10 raste me brucelozë, ndërsa vitin e kaluar kishim 4 raste”, - pohon Stana. Megjithatë, mjekët sigurojnë se rastet e infeksioneve me prejardhje nga kafshët apo insektet nuk kanë pasur lidhje epidemiologjike mes tyre, pasi kanë qenë të shkëputura nga njëra-tjetra, duke mos rrezikuar kështu përhapjen e epidemive. Bruceloza është një sëmundje e re në vendin tonë, që është shfaqur pas viteve ’90, por që nga viti në vit po rrit numrin e të prekurve. Shkaktari kryesor i saj janë bagëtitë, sidomos ato të imtat, ku futen dhentë dhe dhitë.