Djegiet, aparatura të reja për të eliminuar shenjat
Pavijoni i Djegieve në QSUT është pajisur me aparatura të reja, që do të bëjnë të mundur eliminimin e shenjave të djegies deri në masën 70%, si dhe kryerjen e operacioneve plastike me standarde europiane
Gjendet zgjidhja për të eliminuar shenjat e djegieve edhe në vendin tonë. Tashmë, personat që aksidentalisht pësojnë djegie, jo vetëm që do të kurohen, por me aparaturat e reja që kanë ardhur së fundi në QSUT nuk do të trashëgojnë më as shenjat që lë pas ky fenomen. Me investimin e Komisionit Europian prej 950 milionë euro, Pavijoni i Djegie-Plastikës në QSUT ka ndryshuar pamje, pasi veç blerjes së aparaturave të reja edhe ambienti i këtij spitali tani është i rikonstruktuar. I pranishëm në inspektimin e këtyre punimeve, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, tha se këto ndërhyrje do të bëjnë të mundur që të eliminohen deri në 70% shenjat e djegies. Garancia për shërbime më të sigurta dhe me shkallë saktësie shumë të lartë vjen nga ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, dhe shefi i këtij shërbimi, Gjergj Belba, gjatë inspektimeve të punimeve në këtë pavijon. “Është i pari projekt që ne arrijmë ta realizojmë në mënyrë shumë të suksesshme me mbështetjen e një granti nga Komisioni Europian. Është në nivelin e një blloku ndërhyrjesh jo vetëm operatore, por të të gjithë teknologjisë më të lartë që e vë këtë shërbim në parametra tërësisht bashkëkohorë, lidhur me sigurinë e jashtëzakonshme ndaj infeksioneve shoqëruese, që është një nga problemet e mëdha në problematikat e djegie-plastikës. Njëkohësisht edhe i gjithë sistemi i furnizimit me gazra mjekësor dhe sistemi i kondicionimit dhe i sterilizimit është i standardit europian”, - tha ministri Vasili. Më tej ai ka bërë të ditur se këtë të premte, pranë Spitalit të Ri në QSUT, do të inaugurohet aparatura e re rezonancës, e dyta unike në këtë qendër spitalore. Aparatura e dytë e rezonancës vendoset pas 10 viteve, për t’u ardhur në ndihmë pacientëve që vuajnë nga sëmundjet tumorale. Lidhur me trajtimin e djegieve, shefi i Pavijonit të Djegie-Plastikës, Gjergji Belba, ka pohuar: “Në thelb do të thotë që ne do t’u shërbejmë pacientëve të djegur rëndë me rezultate bashkëkohore, do të thotë të shpëtojmë 50% të sipërfaqes së djegur, të ulim mortalitetin dhe njëkohësisht të kryejmë operacione plastike të nivelit më të lartë europian”. Pavijoni i Djegie-Plastikës është një ndër më të frekuentuarit në QSUT, pasi për rastet e djegieve operacionet plastike kryhen vetëm në këtë shërbim. Numri i këtyre rasteve është tepër i madh, sepse ai është i vetmi spital në vend që ofron një shërbim të tillë. Sipas të dhënave, rastet nga rrethet janë të shumta, ku nuk mungojnë dhe ato në gjendje të rëndë, por fatmirësisht këto operacione në QSUT kryhen falas për pacientët e siguruar. Përveç djegieve, fluksi në këtë shërbim shtohet edhe nga operacionet plastike.