E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesë banka mbajnë depozitat e shqiptarëve

SHKRUAN: Blerina Hoxha 20-08-2011 11:35

Shkalla e përqendrimit të depozitave të sistemit bankar vlerësohet të jetë e lartë, ku 5 bankat më të mëdha zënë rreth 74% të totalit të depozitave në fund të vitit që shkoi, thuhet në një raport të fundit të Bankës së Shqipërisë në lidhje me ecurinë e depozitave në sistemin bankar. Sipas të dhënave, treguesi i përqendrimit të numrit të depozituesve tregon se bankat e mëdha kanë një shkallë të lartë përqendrimi. Nga ana tjetër për gjithë sistemin bankar shuma e totalit të depozitave të 20 depozituesve më të mëdhenj të secilës bankë zë 10.6% të totalit të depozitave, nivel i cili duket të jetë përmirësuar me 1.6 pikë përqindjeje krahasuar me dhjetorin 2009. Përsa i përket përbërjes sipas monedhave, vihet re se pjesën më të madhe e zënë depozitat në monedhën vendase, 71% të totalit të aktiveve likuide, pasuar nga ato në euro me 20.8% dhe në monedhën amerikane me 5.8%. Kjo strukturë duket se ka ndryshuar krahasimisht me një vit më parë, ku depozitat në lekë e kanë ulur peshën e tyre në favor të aktiveve në monedhën europiane. Pas rënies së depozitave gjatë tremujorit të fundit të vitit 2008, fenomen i cili vazhdoi edhe gjatë fillimit të vitit 2009, depozitat e klientëve filluan të ktheheshin sërish në sistem, duke shënuar pikën e kthimit në muajin Prill 2009, ku trendi rritës dhe me ritme akoma më të larta vazhdoi edhe në vitin 2010. Gjatë vitit 2010 depozitat u rritën me 122 miliardë lekë ose 17% kundrejt 49 miliardë lekë 7% të një viti më parë. Në fund të dhjetorit 2010, totali i depozitave arrin nivelin prej 816.7 miliardë lekë ose 82.4% e totalit të pasiveve të sistemit. Depozitat vazhdojnë të përbëjnë fondet më të qëndrueshme të sistemit, ku sipas maturitetit vihet re se 35% e tyre kanë maturitet të mbetur deri në një muaj, krahasuar me 36% të një viti më parë. Nga ana tjetër, depozitat me maturim të mbetur mbi 1 vit zënë 3% të totalit të depozitave, kundrejt 2% në dhjetor 2009. Përveç depozitave burim i rëndësishëm financimi për një pjesë të bankave në Shqipëri janë huatë e marra nga bankat mëma ose institucione të tjera financiare jorezidente. Kjo shifër në fund të dhjetorit 2010 zë 2.5% të aktivit të sistemit bankar dhe 5.4% të aktiveve të grupit të bankave, që financohen nga këto hua. Krahasimisht me një vit më parë vihet re reduktim i këtij niveli, çka ka ardhur kryesisht si pasojë e rënies së përdorimit të linjave të kredive të akorduara nga bankat mëma, të disa bankave të sistemit. Bankat në fjalë kanë prezantuar një situatë të përmirësuar të likuiditetit, ku ulja e përdorimit të linjave të kredive ka ndikuar gjithashtu edhe përmirësimin e treguesit kredi ndaj depozita të këtyre bankave. Ndërkohë një pjesë e bankave të sistemit kanë të miratuara nga ana e bankave mëma linja kredie ende të papërdorura, evidentuar si zëra jashtë bilancit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›