Halili: Lila qëndron, blejmë dhe 3 lojtarë
Deklarata vjen nga presidenti i Tiranës, Refik Halili, i cili pohon se futbollistit i ka vënë në dispozicion gjithçka të mundshme, me qëllim që ai të mos tundohet nga klubet e tjera jashtë Shqipërisë. "Andi Lila është një nga lojtarët më të mirë të Tiranës. Unë si president i këtij klubi mund t'ju them se për asgjë në botë nuk do ta lejoja këtë lojtar që të largohej nga skuadra. Natyrisht, ai ka një kontratë në radhë të parë me mua personalisht dhe më pas edhe me klubin", ka thënë fillimisht Halili.
Klauzola - Përpos elozheve dhe dëshirave, Halili pohon se nëse futbollisti do të ngulmojë që të largohet, ai nuk do të bëhet pengesë. "Natyrisht, ai është një lojtar edhe i Kombëtares dhe sikundër të gjithë futbollistët ambiciozë, dëshiron të shkojë në një skuadër më të mirë, kuptohet jashtë
Shqipërisë, sepse për në Shqipëri më mirë se te Tirana nuk ka ku të shkojë. Ne jo vetëm tani, por edhe më përpara e kemi pasur gjithnjë zakon që pasi ua japim shansin për të disatën herë lojtarëve për të qëndruar te Tirana, në fund, kur ata insistojnë për t'u larguar, nuk i pengojmë. Gjithnjë, që të mos keqkuptohemi, kur bëhet fjalë për lojtarë që ikin jashtë Shqipërisë, pasi në kontrata kanë pasur një klauzolë, sipas së cilës, në rast oferte nga jashtë, klubi nuk do t'i pengonte; ashtu sikundër e ka edhe Andi", ka vijuar presidenti bardheblu.
Paga - Njëshi i 24 herë kampionëve pohon se Lila është një ndër më të paguarit e Tiranës, ndaj i sugjeron atij që të mos bjerë pre e batakçinjve dhe të largohet nga bardheblutë. "Shpresoj që Lila të marrë vendimin e duhur, pasi 90 milionë lekë në sezon që ai merr sot për sot te Tirana, nuk është një shifër e ulët, por absolutisht për t'u vlerësuar. Unë kam folur vetë me të dhe e kam këshilluar që të mos bëhet pre e batakçinjve, të cilët hiqen si të mirë në fillim se gjoja po të gjejnë skuadër, kur dihet që e bëjnë vetëm për të marrë fitimet, sepse më pas as që duan t'ia dinë se çfarë ndodh me lojtarin, luan apo nuk luan".
Merkato - Gjithsesi, presidenti i Tiranës konfirmon se do të hyjë në merkaton e janarit për të blerë të paktën 3-4 lojtarë cilësorë, paçka vendimit të Andi Lilës. "Pavarësisht nëse Lila do të ikë apo jo nga Tirana, ne do të hyjmë fuqishëm në merkaton e janarit për të marrë tre-katër lojtarë cilësorë dhe për të arritur objektivin primar, fitimin e titullit. Sigurisht nëse do ikë Lila, te Tirana ju siguroj se do vijë një tjetër po aq i aftë sa ai", ka përfunduar Refik Halili.
Andi Lila
Andi Lila nuk është ende në gjendje të thotë nëse do qëndrojë apo do të largohet nga Tirana. Natyrisht, ndikim ka pasur edhe presidenti i Tiranës, Refik Halili, i cili i ka kërkuar të qëndrojë, pasi tek bardheblutë ka jo vetëm një rrogë të mirë, por edhe avantazhe që s'mund t'i gjejë në një klub tjetër. "Nuk kam firmosur ende asgjë, për më tepër pyesni presidentin Halili nëse do qëndroj apo jo". Lojtari kërkohet nga Dinamo e Zagrebit, ku ndërmjetës është bërë trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe.
Â
Â
LEONARD KARAJ