Halili: “Unë presidenti i ri? Jo, jam më mirë donator”

"Nuk dëshironim të merrnim këtë vendim së bashku me presidentët e tjerë, për këtë situatë që po kalon Shqipëria. Kërkojmë shumë ndjesë, por kemi qenë të detyruar këtë vendim, për investimet që bëjmë bashkarisht në futboll", - tha donatori i Tiranës, Refik Halili.
"Janë goxha të mëdha dhe jemi të detyruar të marrim këtë masë, për ta parë Shqipërinë ashtu sic e kemi parë në vitet e shkuara jo me rezultate negative, por duke shpresuar se nga dita në ditë do ta ngrejmë më lart", - shtoi Halili. "Kemi tre vjet që e presim të dimë fatin e parave tona. Nuk jemi mbledhur këtu që ti kundërvihemi njeri apo tjetrit, por mendoj se tre vjet ishin të mjaftueshme për të zgjidhur problemet", - theksoi një nga katër donatorët e 23-herë kampionëve të Shqipërisë.
"Unë do të pyesja ministrin Pango apo presidentin Armand Duka, kur do ta zgjidhin problemin. Nëse ata janë të paaftë, të largohen menjëherë dhe t'i japin rrugën futbollit për të vazhduar më tej. Tirana? Unë jam një nga donatorët e Tiranës, por kam marrë miratimin e donatorëve të tjerë. Fakti është që gjatë kohës që morrëm vendimin e parë nuk kam pasur një telefonatë nga donatorë e tjerë që të thonë se ne nuk jemi dakord me vendimin që ti ke marrë. Unë personalisht jam i larguar edhe në qoftë se do të vazhdojë të zhvillohet kampionati deri sa të mblidhet Asambleja e Tiranës. Përsa i përket anës financiare, këtë e them për tifozët e Tiranës për këtë sezon futbollistik e kam vënë në dispozicion të klubit. Edhe sikur të mos zgjidhet problemi unë do të takohem me përfaqësuesit e klubit vetëm në Asamblenë e tij. Atje do të flas. Përfitoj nga rasti, duke deklaruar edhe dicka tjetër. Meqënëse një pjesë e jona jemi investitorë në fushën e ndërtimit, unë personalisht dhe firma ime do të ndërtojmë falas tre shtëpi në Gërdec. Halili kandidat për president? Jo. Unë jam një njeri që rrjedh nga në familje punëtori që do të rrijë gjithmonë kështu sic kam qenë. Do të investoj gjithmonë në futboll, por jo këtë futboll që na ka mbërthyer", - përfundoi Refik Halili.