Halili e Vata, aleancë në raundin e dytë
Me shumë gjasa Refik Halili dhe Rudi Vata do të futen që të dy në garë për kreun e ri të Federatës Shqiptare të Futbollit kundër Armand Dukës. Pakti mes tyre ekziston, por kjo vetëm pasi të bëhet votimi i parë për president, pasi sipas tyre asnjëri nga të tre kandidatët nuk do të ketë mundësi të marrë kuorumin e nevojshëm për t'u shpallur menjëherë president, çka do të thotë se do të nevojitej një tjetër raund. Përsa më sipër citohet edhe në nenin 29 të statutit të FSHF-së ku thuhet qartazi mënyra e zgjedhjes së presidentit të FSHF-së. Dy aleatët e bashkuar nga dje edhe në "Lëvizjen për zhvillimin e futbollit shqiptar" pretendojnë që pikërisht në raundin e dytë të mund të ndihmojnë njëri-tjetrin për të mundur presidentin aktual Armand Duka. Ky i fundit është favoriti kryesor por sipas Halilit dhe Vatës ai nuk do të mund të arrijë të marrë përqindjen më të madhe të votave që në raundin e parë, çka do të bëjë që në këtë asamble të zhvillohet edhe një raund tjetër votimi. Presupozohet këtu pakti mes Halilit dhe Vatës, ku votat e njërit kandidat do t’i kalojnë tjetrit për të bërë të mundur akumulimin e 50+1 të votave në këtë asamble zgjedhore.