E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrogat e teknikëve të Botërorit



Fabio Kapelo dhe Marçelo Lipi janë dy trajnerët që paguhen më shumë nga 32 drejtuesit e pankinave pjesëmarrës në botërorin "Afrikë e Jugut 2010". Trajneri italian i Anglisë merr 8,8 milionë euro në vit duke lënë pas me diferencë të madhe kolegët e tij në këtë botëror. Ndërkohë që trajneri që paguhet më pak është nigeriani, Shaibu Nadia, i cili përfiton 125 mijë euro në vit, gati aq sa edhe trajneri ynë i Kombëtares, Josip Kuzhe. Kroati kuqezi përfiton pak a shumë 10 mijë euro në muaj, ose 120 mijë euro në vit, pa futur këtu edhe shpenzime të tjera si qiraja e shtëpisë dhe permio, që të gjitha këto të paguara nga federata jonë. Në vend të dytë pas Kapelos renditet Marçelo Lipi, i cili merr 3 milionë euro, më shumë se dyfishi i rrogave që përfitojnë tre trajnerët e grupit të Italisë, Herbert (Zelanda e Re), 800 mijë euro, Martino (Paraguaj), 245 mijë euro dhe Veis (Sllovaki), 215 mijë euro. Mesatarisht trajnerët evropianë janë ndër më të paguarit, ndërsa Verbek (Australi), me 1,2 milionë euro është më i paguari i zonës aziatike dhe oqeanike. Ndërkohë që në kontinentet e tjera, në Afrikë më i paguari është Parreira (Afrikë e Jugut) me 1,2 milionë euro, në Amerikat, Aguire (Meksikë), 1,2 milionë euro. Mungon në këtë botëror Gus Hidink (merrte 5 milionë euro nga Rusia) i eliminuar nga slloveni Matjazh Kek (245 mijë euro në vit). Ndërsa personazhet e tjerë karizmatikë të këtij botërori nuk e kalojnë shifrën e 1 milion eurove. Kështu Domenek (Francë) merr 560 mijë euro, Dunga (Brazil), 800 mijë euro dhe po aq përfiton edhe Diego Armando Maradona (Argjentinë).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›