E Shtunë, 31 Tetor 2026

‘Si po manipulohen zgjedhjet’



Leonard Karaj

Dy kandidatë për postin e presidentit të FSHF-së, Refik Halili dhe Rudi Vata kanë denoncuar dje në një konferencë për shtyp shkeljet në prag të Asamblesë Zgjedhore. Kemi të bëjmë me një vjedhje ose manipulim të hapur të Asamblesë Zgjedhore të Federatës Shqiptare të Futbollit. Kjo, të paktën sipas dy rivalëve kryesorë të presidentit aktual të FSHF-së, Halili dhe Vata. Në një dalje të përbashkët para gazetarëve, dy rivalët e Armand Dukës i kanë kërkuar këtij të fundit rregulla të barabarta gare. Njëkohësisht ata kanë bërë të ditur një skandal, sipas tyre që e bën Armand Dukën ta nisë garën e 9 marsit me 9 vota të sigurta, të manipuluara.
Skandali
"Shoqata e Futbollit Amator", e cila ka propozuar kandidatë për postet drejtuese të FSHF-së, me të drejtë vote nga 8 delegatë nuk figuron e regjistruar në gjykatë. Kjo gjë bën këtë shoqatë inekzistente për të bërë propozime dhe për të pasur 8 vota, aq sa zona ka në tërë Shqipërinë. Përmes një konfirmimi zyrtar të bërë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, përmes një shkrese me numër protokolli 883/2, datë 03.03.2010, kancelari i gjykatës në fjalë, Ilir Sauli, konfirmon pikë për pikë si vijon: "Në përgjigje të shkresës suaj, datë 02.03.2010, ju sqarojmë se nga verifikimet e bëra në regjistrat e Zyrës së Regjistrimit të OJF-ve, momentalisht nuk figuron "Shoqata e Mjekëve Sportivë", as "Shoqata e Futbollit Amator", të regjistruara pranë kësaj zyre". Kjo do të thotë se dy shoqatat në fjalë, duke mos qenë të regjistruara në gjykatë, nuk kanë asnjë fuqi ligjore, as vendimmarrëse. Shkresa në fjalë është bërë dje publike nga Refik Halili dhe Rudi Vata.
Manipulimi
I konsideruar si skandal ligjor, me qëllime të caktuara të presidentit aktual, Armand Duka, "Shoqata e Futbollit Amator" është bërë pjesë e FSHF-së dhe paguhet prej saj, çka sipas Halilit dhe Vatës e favorizon hapur presidentin në detyrë. Bëhet fjalë për 8 vota të futbollit amator, por edhe për një votë të mjekëve sportivë, dy shoqata me të drejtë vote në asamblenë e 9 marsit, sipas FSHF-së aktuale, por në kundërshtim me ligjin, sepse nuk mund ta kenë këtë të drejtë, duke mos qenë të regjistruara në gjykatë. Ndërkohë është kontestuar ashpër edhe mënyra sesi komisioni i verifikimit të dokumentacionit në FSHF ka verifikuar kandidatët për në KE. Sipas Vatrës dhe Halilit ky komision nuk ka shpallur asnjë vendim për kandidatët e skualifikuar me arsyet dhe motive të qarta për secilin, çka ka sjellë shkeljen e statutit të FSHF-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›