Halili, kandidat për president të FSHF-së
Leonard Karaj
Refik Halili është kandidati tjetër për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit, zgjedhjet e së cilës do të zhvillohen më 9 mars. Në garë për postin e presidentit janë edhe kreu aktual Duka dhe ish-kapiteni i Kombëtares, Rudi Vata. Lajmi është konfirmuar për gazetën “Panorama” nga burime të sigurta pranë presidentit të Tiranës. Sipas të gjitha gjasave, Halili do zyrtarizojë sot kandidimin e tij për postin e Njëshit të federatës. Ndërkohë mësohet se presidenti i Tiranës ka marrë vendimin e kandidimit, vetëm pasi është konsultuar me disa nga krerët e klubeve në kampionatin shqiptar, të cilët janë njëkohësisht edhe votues në këtë asamble. Sipas llogarive, Njëshi bardheblu shpreson të marrë përqindjen më të madhe të votave duke “nxjerrë nga zyra” pas tetë vjetësh, presidentin aktual. Fakt është se si Halili dhe Rudi Vata mbështesin fushatën e tyre tek anët negative të futbollit në vend (incidente, probleme me fushat, dhunë në stadiume, akuza për trukime ndeshjesh, probleme me gjykimin, etj), të cilat sipas tyre kanë ardhur si pasojë e një keq-drejtimi dhe keq-menaxhimi të institucionit rregullator të futbollit në vend, FSHF-ja.
Mësohet gjithashtu se ekzistojnë mundësi reale që deri ditën e Asamblesë Zgjedhore, Refik Halili dhe Rudi Vata të bashkojnë projektet si dhe përkrahësit e tyre kundër presidentit Duka, i cili shihet si i favorizuar përkundrejt rivalëve të tij në këtë garë. Ndaj nuk përjashtohet mundësia që ditën e zgjedhjeve, më 9 mars “opozitarët” e Dukës të dalin me një kandidat të vetëm. Kjo, nuk do të përçante votat e pjesës opozitare sikundër ndodhi katër vjet më parë ku në garë kundër Dukës u paraqitën dy kandidatë: Salvador Kaçaj dhe Edmond Haxhia. Ndaj pritet që në ditët në vazhdim mes Halilit dhe Vatës të ketë një takim, i cili do të vendosë përfundimisht nëse që të dy këta të fundit do të kandidojnë kundër Dukës apo njëri do të tërhiqet për ti lënë më shumë hapësirë tjetrit në “luftën” për postin e presidentit.
Gjakosi trajnerin, pezullohet 1 vit Patushi
Lojtari i KF Kamza, Saimir Patushi është dënuar me një vit pezullim nga të gjitha aktivitetet futbollistike nga Komisioni i Disiplinës në FSHF. Shkak është bërë goditja me kokë që solli edhe gjakosjen ndaj trajnerit të Pogradecit Ylli çekiçi në ndeshjen e ditës së diel, Kamza-Pogradeci. Patushi është gjobitur edhe me 200 mijë lekë (të reja) gjobë. Ndërsa lojtari i Shkumbinit, Erjon Mustafaj, për goditje me bërryl të kundërshtarit (Andi Lilës), është dënuar me pesë ndeshje pezullim dhe 100 mijë lekë (të reja) gjobë. Pezullim me dy ndeshje dhe gjobë prej 50 mijë lekësh (të reja) ka marrë edhe trajneri i Shkumbinit, Përparim Daiu, për hyrje pa lejen e arbitrit në fushën e lojës gjatë ndeshjes Shkumbini-Tirana.
Krujë, përmbytet fusha e Kastriotit
Përmbytet tërësisht fusha e futbollit ku stërvitet ekipi i Kastriotit të Krujës. Shkak i përmbytjes janë bërë shirat e shumtë të rëna gjatë këtyre ditëve por edhe mungesa e drenazhimit të fushës prej vitesh. Në këtë fushë përveç Kastriotit, stërviten edhe ekipet e moshave të ndryshme. Si pasojë e kësaj gjendjeje të krijuar në këtë fushë futbolli, Kastrioti ka zhvilluar stërvitjen në Kamëz, ndërsa ekipet e moshave duke filluar që nga ekipi i të rinjve janë prej shumë ditësh pa stërvitje ose në ndonjë rast stërviten nëpër kalçetot private. Për ta mirëmbajtur këtë fushë në gjendje normale nuk është bërë asnjë lloj investimi prej më shumë se 20 vitesh.