E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, tetë muaj pa rroga, 50 punëtorë në protestë



FIER- Rreth 50 punëtorë të kompanisë zbatuese për ndërtimin e autostradës Levan – Vlorë, protestuan dhe pezulluan punën dje, pasi nuk kanë marrë pagesat prej 8 muajsh. Ata kanë vijuar punën duke shpresuar nga muaji në muaj se pagat do t’u jepeshin, por drejtuesit e kompanisë nuk iu kanë komunikuar asnjë zgjidhje. Ndërkohë, shumë prej familjeve të tyre ndodhen në vështirësi ekonomike pasi nuk kanë asnjë të ardhur tjetër. “Kemi 8 muaj pa marrë asnjë lekë dhe kjo nuk është e drejtë. Me se do ushqehemi ne dhe fëmijët tanë? Ne jemi hallexhinj, nuk kemi burime të tjera të ardhurash - u shpreh F.M., një punëtor i kësaj rruge. Ndërkohë me punonjësit janë bashkuar edhe drejtuesit e kompanive nënkontraktore që mesa duket kanë të njëjtin problem. “Punëtorët kanë më se të drejtë. Ne kemi pritur që të na sjellin rrogat, por firma nuk ka paguar asnjë lekë. Të gjithë punëtorët kanë punuar në ditë me diell, në shi e në të ftohtë dhe me të drejtë kërkojnë bukën e fëmijëve” u shpreh Përparim Gropa, sipërmarrës i punimeve. Krahas protestës së ditës së djeshme punëtorët theksuan se puna do të vazhdojë në vijim duke shpresuar do të mund t’i marrin pagesat e prapambetura. Nuk është hera e parë që punëtorët e kësaj firme protestojnë për të njëjtin shkak. Në muajin prill të vitit të kaluar rreth 110 punonjës u hodhën në protestë për këtë arsye. m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›