E Shtunë, 31 Tetor 2026

Halili, letra me “vrimë” e bën president



Refik Halili është presidenti i ri i Tiranës dh ei parë ga katër donatorët në ciklin e tyre të dytë katërvjeçar. “Pokerin” bardhblu vendosi dje në orët e vona të mbrëmjes së të martës, pas një mbledhje maratonë, që zgjati afërsisht katër orë për konfirmimin e Ridit në krye të 23-herë kampionëve të Shqipërisë.
Refik Halili u përcaktua pas një shorti te hedhur, ku donatorit, i cili njihet edhe si një pasionant i këngës së popullore tiranase, i ra letra me “vrimë”. Radha e rotacionit në presidencën bardheblu ka si të parë Refik Halilin (1 qershor 2008-31 maj 2009) e me radhë: Agron Papuli (1 qershor 2009-31 maj 20010), Shefikat Ngjela (1 qershor 2010-31 maj 2011) dhe në fund, Avni Nuri (1 qershor 2011-31 maj 2012). Halili do të përcaktojë së shpejti edhe trajnerin e ri të Tiranës, që e mbylli sezonin 2007-2008 pa asnjë trofe dhe në vendin e gjashtë. Një gjë është e sigurt, Sulejman Mema, nuk do të vazhdojë si trajner te bardhblutë, teksa pritet edhe konfirmimi i ndonjë të huaji, ku të kuotuar janë italiani Leonardo Menikini dhe gjermani Aksel Ros.
Gjatë vitit të tij presidencial Halili do të administrojë buxhetin prej 1 miliardë lekësh të vjetra, që të katër donatorët do të vënë në dispozicion të ekipit.

MERKATO
Lëvizjet e fundit nga Superliga

DINAMO – Kampionia e Shqipërisë konfirmoi në bankinë trajnerin Ilir Daja, i cili i dha edhe titullin e 17-të kampion Dinamos. Blutë përgatiten për ndeshjet eliminatore të Ligës së Kampioneve. Daja është trajneri i pestë i konfirmuar për këtë sezon pas Hasan Likës (Partizani), Agim Canaj (Vllaznia), Slavko Kovaçiç (Flamurtari), Gugash Magani (Shkumbini).
PARTIZANI- Portieri Orges Shehi, do të niset në fillim të muajit korrik drejt Vietnamit. Sipas menaxheri të 30-vjeçarit, Mario Cenolli, durrsaku do të shohë nga afër ekipin e tij të ri e do të bisedojë për kushtet e kontratës. Shehi ka ende edhe dy vjet kontratë me klubin e presidentit Albert Xhani.
VLLAZNIA - Ndriçim Shtubina, lojtari i ri, i cili pjesën e parë të sezonit të kaluar luajti për fanellën e Adës së Velipojës dhe të dytën me Skënderbeun, firmosi një kontratë 3-vjeçare me Vllazninë. Edhe sulmuesi 18-vjeçar Jasmin Rraboshta (3 gola në sezonin e fundit) firmosi me kuqeblutë shkodranë. Të hënën firmën në kontratë e hodhi edhe lezhjani Dritan Smajli.
TIRANA - Mesfushori i Dinamos, Igli Allmuça, është në fokusin e bardhebluve. Ish-lojtari i Partizanit, ka qenë pjesë e skaudrës së Tiranës, që fitoi titullin në sezonin 2006-2007, por që u largua pas mosmarrëveshjeve financiare me ish-sekretarin Shkëlqim Muça. Mbrojtësi kolumbian Diomedes Penja mund të rikthehet te Tirana, por bashkë me të mund të rikthehen edhe nigeriani Abraham e kosovari Adnan Haliti.
FLAMURTARI -Sulmuesi korçar Denis Mema do të luajë edhe sezonin e ardhshëm për ngjyrat e Flamurtarit. Edhe Taulant Kuqi konfirmoi vazhdimësinë e tij me klubin më të suksesshëm në arenën ndërkombëtare. Flamurtari do të drejtohet sezonin e ardhshëm nga kroati Slavko Kovaçiç.

29 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›