E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli vonon dekretet e Topit

Kuvendi vonon ratifikimin e dekreteve të Presidentit të Republikës për emërimet e anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë. Më datë 12 maj 2008, Presidenti Bamir Topi ka dekretuar, sipas kompetencave që i jep Kushtetuta, tre anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë, të cilët janë: Kristaq Traja, Zamir Poda dhe Artan Zeneli. Ndërkaq, dhjetë ditë më pas, më 22 maj 2008, kreu i shtetit ka bërë publike edhe dy dekrete të tjera, po për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, të cilët janë: Medi Bici dhe Altina Xhoxhaj. Burime zyrtare nga Presidenca, bëjnë të ditur se, sipas rregullores, pasi firmosen, dekretet drejtohen drejt institucionit përkatës, që në këtë rast është Kuvendi dhe më pas publikohen në faqen zyrtare të Presidencës. Sipas Kushtetutës, Presidenti emëron anëtarët e shkallës më të lartë të gjyqësorit, e më pas Parlamenti jep pëlqimin përkatës. Kjo procedurë është ndjekur me të gjitha dekretet, po kështu edhe me pesë anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë. Sipas nenit 136 të Kushtetutës së Shqipërisë, "anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit". Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, pas dekretimit të Presidentit Topi të pesë anëtarëve të Gjykatës së Lartë, duhet t‘i kishte kaluar menjëherë për shqyrtim ligjor në Komisionin Parlamentar të Ligjeve. Nga burime në kancelarinë e Kuvendit, mësohet se këto dekrete kanë mbërritur nga Presidenca në zyrën e Kryetares së Kuvendit, të cilat po mbahen në sirtarë prej gati dy javësh. Deputeti Spiro Peçi si jurist, por edhe si anëtar i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, sqaron se "me firmën e Kryetares së Kuvendit, dekretet e Presidentit duhet të paraqiten në Komisionin e Ligjeve, për t‘i shqyrtuar nga ana ligjore dhe më pas ato kalohen për votim në sallën e Kuvendit". Sipas rregullores, për procedura të tilla nuk është e nevojshme mbledhja e Konferencës së Kryetarëve për të caktuar ditën se kur ata duhet të futen në seancë. Për të mos krijuar vakume institucionale, emrat e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, por edhe të institucioneve të tjera që dekretohen nga Presidenti, duan edhe miratimin e Kuvendit, paraqiten në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, menjëherë sapo protokollohen në Kuvend. Por, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, megjithëse emrat e anëtarëve të Gjykatës së Lartë duhet të kenë gati dy javë në tryezën e kryeparlamentares Topalli. Tashmë ato janë shtyrë edhe për një javë tjetër, pasi kryetarja Topalli ndodhej për vizitë pune jashtë shtetit. Opozita ka akuzuar kreun e legjislativit, se po i vonon qëllimisht këto dekrete dhe kjo, sipas tyre, nuk është hera e parë që ndodh. Ata i kanë kërkuar Kryetares së Kuvendit që të mos i mbajë në tryezën e saj dekretet e Presidentit, por t‘ia kalojë për shqyrtim Komisionit Parlamentar të Ligjeve, që më pas të kalojnë për votim në seancë plenare. Burime zyrtare nga Gjykata e Lartë bëjnë të ditur se në vitin 2005 u ka mbaruar mandati dy anëtarëve të kësaj gjykate, të cilët ende nuk janë zëvendësuar. Ndërsa në fillim të vitit 2008, i ka mbaruar mandati një tjetër anëtari të Gjykatës së Lartë, ndërsa më 21 maj, u ka përfunduar mandati dy pjesëtarëve të tjerë të shkallës më të lartë të gjyqësorit dhe për pak ditë i mbaron mandati edhe kryetarit të saj, Thimio Kondi. Aktualisht, Kuvendi po shkel ligjin, duke mos votuar emërimet e reja për anëtarët e Gjykatës së Lartë, veprim i cili paralizon edhe punën e këtij institucioni.

Emrat

Kreu i shtetit firmosi dekretet pak para mbarimit të mandateve

Pesë anëtarët e shkallës më të lartë të gjyqësorit që emëroi Topi

Më datë 12 maj 2008, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka dekretuar emërimin e tre anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Sipas Kushtetutës së Republikës, kreu i shtetit bën emërimet me dekret të posaçëm dhe më pas Parlamenti, me një votim të përgjithshëm në seancë plenare, jep pëlqimin për to. Tre anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë, të emëruar nga kreu i shtetit më 12 maj, janë juristët e njohur me përvojë: Kristaq Traja, Zamir Poda dhe Artan Zeneli. Gjithashtu, Presidenti i Republikës për të shpejtuar mirëfunksionimin e shkallës më të lartë të gjyqësorit ka dekretuar dhjetë ditë më pas, pikërisht më 22 maj 2008, dy anëtarë të tjerë të Gjykatës së Lartë, të cilët janë: Medi Bici dhe Altina Xhoxhaj. Sipas Presidencës, këto dekrete janë miratuar në përputhje me Kushtetutën dhe konkretisht në bazë të neneve 93 dhe 136, pika 1 e ligjit themeltar të shtetit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›