Han: “Ekipi mund të përmirësohet”
“Guten Tag, meine Herren” (Tunjatjeta, zotërinjtë e mi) Rezultati me Shqipërinë nuk na intereson”, - iu drejtua trajneri i Polonisë, Leo Benhaker futbollistëve të tij para ndeshjes me Shqipërinë. Holandezi kishte mbetur i zhgënjyer me barazimin 1-1 kundër Maqedonisë, dhe ndaj Shqipërisë hodhi në fushë formacionin më të mirë të mundshëm. Braziliani me pasaportë polake Roger Guereoro i dhuroi një top sulmuesit Maciej Zuravski, i cili nga një distancë pesë metra gjeti këmbët e hapura të Isli Hidit, vetëm kur kishin kaluar jo më shumë se 150 sekonda lojë. Gol që solli edhe acarimin e Skelës. “Goli i kundërshtarëve nuk duhet të ndodhte”, - tha Ervini për mediat gjermane. Sipas gea.de, Altin Lala (Hannover 96) dhe Edmond Kapllani (Karlsruher SC) ishin shumë të zbehtë. Konkluzioni i trajnerit të përfaqësueses shqiptare, Ari Han, gjithsesi është pozitiv: “Ekipi im ka shumë mundësi të përmirësohet”. Shqipëria humbi testin e parë me Poloninë (1-0, gol i Zuravskit në minutën e 3-të), por trajneri Han në premierën e parë të tij kundër një ekipi kombëtar mbeti në përgjithësi i kënaqur. “Loja jonë erdhi në rritje, ndryshimet e bëra dhanë efektin e duhur. kam ankesa për pësimin e golit, pasi lojtarët u treguan të pasigurt. Me Poloninë kemi bërë gabime të panevojshme”.
CURRI – “Pësimi i golit ishte një moment që na zuri në befasi. Mbrojtja ishte përbërë nga lojtarë shumë të rinj dhe të improvizuar”.
VANGJELI – “U gjendëm të papërgatitur te goli, na zuri në befasi. Në pjesën e dytë ekipi e rriti lojën. Donim të luanim sa më hapur dhe të ishim sa më të rrezikshëm në sulm”.
SALIHI- “Për ndeshjen jam i kënaqur. Krijuam volum loje dhe raste për shënim. Luajtëm si të barabartë ndaj një ekipi që do të luajë në finalet e Euro 2008”.
DURO- “Duhet të ishim të treguar më të kujdesshëm. Për të gjithë lojtarët vlejti shumë ky takim. Gjithçka përveç rezultatit ishte pozitive për ne”.
CANA – “Fatkeqësisht pësuam gol shumë shpejt, siçe kemi zakon. Më pas polakët u mbyllën dhe krijuam pak hapësira. Gjëja më pozitive ishte mentaliteti i lojtarëve, dëshira që të bashkëpunojnë me grupin”.
BOGDANI – “Nuk ishte i rëndësishëm rezultati, pasi ishte një miqësore ku trajneri dëshironte të provonte të gjithë lojtarët. Duhet të shohim anët pozitive, pasi ndeshjet e rëndësishme fillojnë në shator”.
Luan Krasniqi, VIP i Poloni - Shqipëri
Boksieri më mirë shqiptar i të gjitha kohërave, Luan Krasniqi, është i njohur për pasionin e tij për futbollin e veçanërisht për Kombëtaren shqiptare, ishte i pranishëm midis 2900 shikuesve në Poloni-Shqipëri (1-0). Boksieri i peshave super të rënda, i cili mbron ngjyrat e Gjermanisë, jeton në Rotveil.
Dallku – Curri, shfaqet pista e Hertës
Dy mbrojtësit e Kombëtares shqiptare, kosovarët Debatik Curri (24 vjeç) dhe Armend Dallku (23), të cilët formuan edhe dyshen qendrore të repartit difensiv në ndeshjen miqësore Shqipëri-Poloni (0-1) u ndoqën në Reutlingen të Gjermanisë nga menaxherë të Hertës së Berlinit. Lajmin e jep faqja e njohur gjermane bild.de. Menaxheri i Hertës së Berlinit, Dieter Henës është në kërkim të lojtarëve të rinj në mesfushën ofensive, atë qendrore por dhe në thellësi të mbrojtjes. Pikërisht rolin e fundit të përmendur, kryejnë edhe dy futbollistët kosovarë që luajnë në Ukrainë me Vorskla Poltava.
Jurgen Gjasula pranë kalimit te Lacio
Ndërsa Igli Tare do të largohet nga Lacio pas përfundimit të kontratës, dhe kosovari me pasaportë zvicerane Valon Behrami mund të transferohet në Spanjë te Sevilja, një tjetër shqiptar por edhe me nënshtetësi gjermane, 22-vjeçari Jurgen Gjasula mund të jetë përforcimi i mundshëm në mesfushë i Lacios. Lajmi jepet nga siti italian tuttomercato.it. Trajneri Delio Rosi prej kohësh e ka shprehur interesimin për djaloshin nga Tirana, por që ka luajtur së fundi me zviceranët e St.Gallenit dhe më të cilët ka zgjidhur kontratën. Mesfushori Gjasula, i cili më parë ka refuzuar Kombëtaren e Shqipërisë, zotëron edhe pasaportën gjermane, kështu që te Lacio do të shkojë si një komunitar.
29 Maj 2008