Halimi: Dhuna në familje, të aplikohet sistemi i monitorimit elektronik
Ministri i Drejtësisë reagon pas krimeve në familje
Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi ka reaguar sot pas vrasjeve të fundit që kanë tronditur opinion publik. Përmes një njoftimi në rrjetin social ‘Facebook’, Ministri i Drejtësisë kujton se vetëm pak javë më parë, hyri në fuqi paketa penale më e ashpra ndaj krimit, sepse ata që rrënojnë jetët e të tjerëve, vrasin gratë e tyre, lënë fëmijët jetim dhe u shkaktojnë dhimbje pafund të afërmve të viktimave, duhet të shkojnë në burg për një kohë të gjatë. “Pavarësisht se autorët nuk duhet të paragjykohen, kur krimi është i rëndë, dënimi i vetëm i imagjinueshëm është një dënim i gjatë me burgim. Kjo është çka viktimat dhe shoqëria meritojnë. Ne si shoqëri duam të sigurohemi se ai që kryen një krim të tillë do të marrë një dënim të ashpër jo sipas zgjidhjes së gjykatësit, as lehtësive për çmenduri të avokatit apo prokurorit por sipas një dënimi të ashpër dhe proporcional me krimin që ka kryer. Sepse kështu duhet të jetë një drejtësi efektive, e ashpër po aq sa krimi që kryhet” thekson Halimi. Por ministri shton se nuk duhet pritur që krimi të kryhet dhe më pas të dënohet autori. Ai kujton instalimin e sistemit e monitorimit elektronik disa muaj më parë dhe shprehet se i ka kërkuar disa drejtuesve të institucioneve të drejtësisë që ky sistem të aplikohet më gjerë pasi përdorimi i tij garanton që të gjithë ata që marrin urdhër mbrojtje të mos u afrohet asnjë dhunues në distancë të largët. “Jam i bindur se kjo masë do të parandalojë kryerjen e krimit. Është e papranueshme që gjykatësit të japin urdhëra mbrojtje për viktimat duke i lënë në një banesë me agresorin” thekson Halimi ndërsa ka kërkuar edhe hetimin e të gjitha krimeve të ndodhura ditët e fundit.
...