Hapen kutitë - KQZ konfirmon manipulimin në Lezhë - PD siguron mandatin e katërt
Në 5 Qendra Votimi PS-së i janë shtuar padrejtësisht votat duke falsifikuar rezultatin e shënuar në procesverbal. Në QV 07081, pas rinumërimit PS kishte vetëm 89 vota, ndërsa në fotokopjet e procesverbaleve të dorëzuara rezultonte me 189 vota. Gjithashtu, edhe në QV 0770, PS i ishin shtuar 169 vota, nga 22 që ka patur realisht në kutitë e votimit. Pas zbardhjes së këtyre shifrave, PD siguron mandatin e katërt në qarkun e Lezhës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hapur kutitë e para të votimit në këtë proces elektoral. Ato i përkasin qarkut të Lezhës, ku u ndryshua numri i mandateve nga 4 me 3 në favor të së majtës, në 4 me 3 për të djathtën. Më herët ishin refuzuar ankimimet e LSI-së, kandidatit të pavarur Dritan Prifti, si edhe disa partive të vogla, për të rinumëruar votat në disa qarqe, si Kukës, Fier, apo Tiranë. Shqyrtimi i materialeve zgjedhore në kutitë e hapura, ka nxjerrë në pah disa prej dyshimeve dhe pretendimeve të PS-së. Pas numërimit të votave të njërës prej kutive të qendrës së votimit 07051 del se partitë kryesore: PS ka marrë 69 vota, PD – 55 vota, LSI – 26 vota, PSD – 4, ndërsa FRD – 1 votë. Përfaqësuesi i PD, Njazi Kosovrasti deklaroi se tabela ka korrigjim tek shifrat e PS. “Është manipuluar në 71 vota, ka qenë 70 në elektronikë. Në fakt nga rezultati del 69 realisht”- tha ai. Në Qendrën e Votimit 0708, fletë votimit të gjetura janë 229. PS 89, PD 46, LSI 16. “Përputhen rezultatet elektronike, me procesverbalet në kuti. Kopja e mbërritur në KQZ rezulton e manipuluar. Koalicionit të djathtë i janë shuar votat, janë 107 që i ka patur dhe janë shuar. Kanë bërë edhe një marifet tjetër, ja kanë hequr edhe PS, por kanë lënë LSI-në dhe disa aleatë me 29 vota. Diferenca mes dy koalicioneve dilte në favor të së majtës me 15 vota, pas falsifikimit shkon në plus 29”, tha Kosovrasti.
Kutia e tretë, ajo e QV 07081, PS 89, PD 81, LSI 22. Këtu u konstatua edhe falsifikimi i shifrave. Përfaqësuesi ligjor i PD në KQZ, Ivi Kaso deklaroi se, “u vërtetua pretendimi se 89 votave të PS u ishte vënë një 1 përpara dhe ishin bërë 189 vota. Koalicioni i majtë fitoi 172 vota vetëm nga manipulimi i votave”. Kutia e katërt, ajo e QV 0764, rezulton pas rinumërimit në KQZ se, PS ka 31 vota, PD 34, PR 44 dhe LSI 30. Përfaqësuesi ligjor i PD, Ivi Kaso theksoi se nga rezulton që kjo tabelë dhe rezultati i kutisë, është i ndryshëm edhe me rezultatin në sistem, pasi PS kishte 149 vota, PD me 5 vota dhe PR me 1 votë. “PS paska vetëm 31 vota dhe PD ka patur 34 vota, por e kanë lënë me 5. PR edhe më keq, e kanë lënë me 1 votë. LSI-në e kanë tabuluar 1 votë, por paska patur 30 vota”- tha ai. Në kutinë e pestë të QV 0768 ka gjithashtu ndryshim rezultati në favor të PD dhe PR. Kutia e gjashtë e QV 0762, përputhet me të dhënat e grupeve të numërimit. Kutia e QV 0770, pas rinumërimit rezultoi se PD ka 75 vota, PS 22, LSI 63, dhe PR 6 vota. Kryetarja e KQZ theksoi se këtu jemi përpara faktit që ka ndryshime që nga grupi i numërimit. Kjo pasi, LSI-së i janë shtuar 28 vota. Gjithashtu, PS i ishin shtuar 169 vota, nga 22 që ka patur realisht në kutitë e votimit. Në kutitë e QV 0763 PS rezultoi me 63 vota, ndërsa PD kishte 123 vota dhe LSI 55 vota. QV 0769, për PD ishin 95 vota, LSI 48 vota, PS 1 votë dhe PR 13 vota.
KQZ hapi dje 10 kutitë e votimit të KZAZ nr.13, me kërkesë të PD, e cila pretendoi se ka pasur shkelje me mosdorëzim të materialit origjinal, por të fotokopjeve të rezultateve. Në vendimin e datës 10 korrik për qarkun e Lezhës, KQZ mori parasysh kërkesën ankimore të PD duke sjellë një ndryshim të rezultatit me një raport mandatesh 4 me 3 në favor të të djathtëve. Ajo çka u pa dje edhe në rinumërimin e kutive, doli në pah manipulimi i shifrave ku PS-së i ishin shtuar votat, me qëllim shumëfishimin e rezultatit elektoral.