E Shtunë, 31 Tetor 2026

Halimi: Heqja e imunitetit përmes referendumit, zhvesh alibitë e prokurorisë për mos hetim

29-08-2012 / Gazeta 55

Ministria e Drejtësisë nënshkruan marrëveshjen për askes on-line të ILDKP-së në kontrollin e pasurive të zyrtarëve të lartë. Kreu i ILDKP: Prokuroria pushoi kërkesat për hetim

Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi deklaroi dje gjatë nënshkrimit të marrëveshjes me ILDKP, për askes on-line të këtij institucioni në kontrollin e pasurive të zyrtarëve të lartë, se heqja e imunitetit përmes referendumit do t’i heqë çdo alibi prokurorisë për mos hetimin e tyre.
Sipas tij, imuniteti është bërë pengesë për hetimin e gjyqtarëve, duke zhbalancuar kështu barazinë para ligjit. “Heqja e imunitetit për zyrtaret dhe politikanet përmes referendumit popullor do t’i heqë çdo alibi prokurorisë për mos hetimin e tyre. Imuniteti është një pengesë për hetimin e gjyqtarëve. Ky është një qëndrim i shprehur edhe nga prokuroria në vijim dhe për të hequr edhe çdo alibi të prokurorisë, sigurisht që kjo çështje duhet të marrë fund njëherë e mirë. Gjyqtarë dhe zyrtarë duhet të jenë të barabartë me qytetarët dhe për këtë do të vendosin qytetarët. Drafti fillestar për heqjen e imunitetet për zyrtaret dhe gjyqtaret ishte me radikal, por ishte opozita ajo qe e zbuti, duke arritur ne variantin e kufizimit te imunitetit dhe me pas nuk e votoi atë ne Kuvend. Referendumi do t’i japë zgjidhje përfundimtare kësaj çështje”, u shpreh Halimi.
Ndërkaq, kreu i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Adriatik Llalla u shpreh se në disa raste organi i akuzës ka pushuar kërkesat për hetim ndaj atyre zyrtarëve për fshehje apo tjetërsim të pasurive.
“Kemi kërkuar që të hetohen rastet e personave të lidhur me zyrtarët, pasi në mjaft raste konstatojmë se zyrtarë të ndryshëm, ashtu siç është bërë publike edhe në media disa ditë më parë ose edhe në vijim, deklarojnë si sigurime të tyre financiare të ardhurat nga dhuratat dhe huamarrjet. Kërkesa jonë është përqendruar në faktin se duhet të hetojmë rastet e personave të tretë, pra lidhjet familjare apo shoqërore të zyrtarëve, të cilët deklarojnë se japin dhurata apo huamarrje në shuma të konsiderueshme, çka në mjaft raste shërbejnë si burim kryesor financiar për zyrtarët, të cilët dyshojmë se janë mënyra për të fshehur pasurinë e krijuar në mënyrë jo të ligjshme. 70-80 për qind e kërkesave për hetim të zyrtarëve të lartë për fshehje apo tjetërsim të pasurisë që i janë çuar prokurorisë janë pushuar”, deklaroi Llalla.
Këto deklarata u bënë gjatë marrëveshjes që Ministria e Drejtësisë nënshkroi me ILDKP-në, lidhur me kontrollin e pasurive të
zyrtarëve të cilët deklarojnë si burim të ardhurash dhuratat dhe borxhet.
Thelbi i ndryshimeve ligjore që Inspektorati i Larte i Kontrollit dhe Deklarimit te Pasurive ka propozuar është se hetimi do të përfshijë edhe personave që u bëjnë dhurata zyrtarëve të lartë. Ndryshimet ligjore tashme janë miratuar në Këshillin e Ministrave e do te miratohen në  Parlament në fillim te shtatorit. Këto ndryshime ligjore u bënë të domosdoshme pasi u vu re fenomeni masiv i dhuratave dhe i huamarrjes  në deklaratat e pasurisë, veçanërisht te gjyqtarëve. Këta të fundit rezultojnë më së shumti me pasuri të dhuruara në shifra të konsiderueshme, çka ka hedhur dyshimin për fiktivitetin e tyre.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›