E Shtunë, 31 Tetor 2026

Halimi: Inspektimi për rastin “Xhuvani”, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin

25-12-2011 / Gazeta 55

Pas skandalit që pasoi vendimi vetëm me 2 vjet për vrasje, Ministria e Drejtësisë u përgjigjet akuzave të Prokurorisë, për ndërhyrje në hetimet e saj dhe në vendimmarrjen e gjyqësorit


Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi hedh poshtë pretendimet e organit të akuzës për inspektime të paligjshme, kur bën me dije se ka ushtruar detyrimit ligjor të parashikuar nga neni 56 i ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë”, duke informuar Presidentin e Republikës dhe Prokurorinë e Përgjithshme mbi rezultatin e inspektimit të prokurorisë në çështjen penale në fjalë. Sipas ministrit Halimi, inspektimi është kryer në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit dhe ligjin për prokurorinë. “Ligji për Prokurorinë, tha ministri Halimi, ‘Ministri i Drejtësisë kontrollon ligjshmërinë e veprimtarisë së prokurorëve për çështje për të cilat kanë përfunduar hetimet paraprake’ dhe hetimet paraprake për këtë rastin në fjalë kanë përfunduar rreth 5 muaj më parë. Po ashtu, sipas këtij ligji, është detyrë e Ministrisë së Drejtësisë ‘të inspektojë ecurinë e politikës penale dhe politikës së dënimit të ndjekur nga Prokuroria’” Ministria e Drejtësisë reagoi dje pas qëndrimit që mbajti Prokuroria e Përgjithshme, ndaj inspektimit të Ministrisë së Drejtësisë, pas të cilit ministri Eduard Halimi shprehu shqetësim për dënimit me vetëm dy vjet burg të shtetasit Kostandin Xhuvani, ndonëse djali i deputetes socialiste, Luiza Xhuvani, ka kryer një vrasje. Prokuroria akuzoi Ministrinë e Drejtësisë për ndërhyrje të rëndë në funksionimin dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe për presion të hapur ndaj gjykatës dhe prokurorisë, në kushtet kur një çështje është ende në gjykim. Por në reagimin e saj, Ministria e Drejtësisë sjell në vëmendje se në gjendjen në të cilën ndodhet çështja, ku prokurori nuk e ka ankimuar vendimin e shkallës së parë, nuk e ndryshon dot fatin e politikës penale të ndjekur. Në njoftim sqarohet se Ministria e Drejtësisë, ka shprehur shqetësimin në lidhje me politikën penale të dënimit me 2 vjet burgim në rastin e marrjes se jetës së një qytetari me armë zjarri, duke u bashkuar me opinionin publik se kjo politikë penale është e papranueshme dhe bie ndesh me kërkesat e një shteti ku sundon ligji dhe drejtësia. Dy ditë më parë, Ministria informoi mbi rezultatet edhe opinionin publik, duke pasur parasysh ndjesinë e madhe publike që shkaktoi ky rast i paprecedentë. Ministria e Drejtësisë, ka shprehur shqetësimin në lidhje politikën penale të dënimit me 2 vjet burgim në rastin e marrjes se jetës së një qytetari me armë zjarri, duke u bashkuar me opinionin publik se kjo politikë penale është e papranueshme dhe bie ndesh me kërkesat e një shteti ku sundon ligji dhe drejtësia. “Ministria në shkresat drejtuar institucioneve e ka bërë te qartë, se kompetencat kushtetuese të tyre, në gjendjen në të cilën ndodhet çështja, ku prokurori nuk e ka ankimuar vendimin e shkallës se parë, nuk e ndryshojnë dot fatin e politikës penale të ndjekur, por ngrinte një shqetësim publik për rastin e mësipërm duke kërkuar përballjen e prokurorëve me ligjin, si shenjë përgjegjshmërie. Lidhur me ‘hallin’ e Prokurorisë së Përgjithshme për legjitimitetin e inspektimit të kryer i bëjmë me dije opinionit publik se: Inspektimi i Ministrisë së Drejtësisë është kryer në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit dhe ligjin Nr. 8737, datë 12. 02. 2001 ‘Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar. Ushtrimi i kontrollit është bazuar në nenin 56 pika 3 e ligjit Nr. 8737, datë 12. 02. 2001 ‘Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë’ i ndryshuar, i cili parashikon se, ‘Ministri i Drejtësisë kontrollon ligjshmërinë e veprimtarisë së prokurorëve...për çështje për të cilat kanë përfunduar hetimet paraprake’”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Drejtësisë. Bazuar në parimin e transparencës dhe informimit të publikut, Ministria e Drejtësisë bën me dije se hetimet paraprake për këtë çështje kanë përfunduar që prej datës 14.07.2011 pra rreth 5 muaj me parë. “Është e drejtë, por dhe detyrë e Ministrisë së Drejtësisë që në bazë të nenit 56 pika 2 gërma ‘e’ e ligjit Nr. 8737, datë 12. 02. 2001 ‘Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë’ i ndryshuar. ‘Të inspektojë ecurinë e politikës penale dhe politikës së dënimit të ndjekur nga Prokuroria’. Ministria e Drejtësisë ka ushtruar kontroll edhe në veprimtarinë proceduriale të gjyqtarit të shkallës së parë, në përputhje me nenin 6, pikat 7, 8, 9, 10 të ligjit nr. 8678, datë 14. 05. 2001 ‘Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë’, i ndryshuar, me nenin 31 të ligjit nr. 9877, datë 18. 02. 2008, ‘Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë’ dhe me nenin 31 të ligjit 8811, datë 17. 05. 2001 ‘Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë’, i ndryshuar, disa ditë pasi gjyqtari kishte dhënë vendimin e tij përfundimtar mbi çështjen dhe kishte pranuar kërkesat e prokurorisë”. Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë shpreh bindjen se Prokurori i Përgjithshëm do të ushtrojë të gjitha kompetencat ligjore dhe kushtetuese, pasi të lexoje me vëmendje 30 faqet e Raportit të inspektimit, faktet dhe gjithë përshkrimin ligjor të dispozitave dhe se do të qëndrojë larg çdo deklarimi emocional që nuk ka lidhje me ushtrimin e një detyrë kaq shumë të rëndësishme për gjithë sistemin e drejtësisë në vend si  “Autoriteti më i lartë në ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimin e akuzës në gjykim”, në kuptimin e nenit 8 të ligjit  Nr. 8737, datë 12. 02. 2001 ‘Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë i ndryshuar. Ndërkaq, Ministria e Drejtësisë garanton opinionin publik se gjithë veprimtaria e saj është bazuar dhe do të bazohet në parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve i përcaktuar qartë në nenin 7 Kushtetues dhe do të përshkruhet nga profesionalizmi në respekt të plotë të Kushtetutës së vendit, ligjeve themelore të tij, të drejtave dhe lirive të njeriut dhe respektit ndaj punës së çdo prokurori e gjyqtari të ndershëm dhe rritjen e përgjegjshmërisë së sistemit të drejtësisë ndaj ligjit dhe qytetarëve”, përfundon reagimi i Ministrit të Drejtësisë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›