E Diel, 1 Nëntor 2026

Moody’s dhe Standard and Poor’s certifikojnë stabilitetin e Shqipërisë

25-12-2011 / Gazeta 55

Pas një investigimi të hollësishëm, të dyja kompanitë e vlerësimit japin nota pozitive për ecurinë e ekonomisë së Shqipërisë, duke konfirmuar se rritja ekonomike do ruajë nivelin e 4 përqindëshit, duke garantuar stabilitet edhe për reformat e pritshme


Dy kompanitë prestigjioze të vlerësimit të profilit të riskut të letrave me vlerë të qeverive, Mood’s Investors Service (Moody’s) dhe Standard and Poor’s (S&P) kanë publikuar ditët e fundit raportet e tyre të vlerësimit periodik mbi Shqipërinë. Në të dy raportet, kompanitë rikonfirmojnë vlerësimin e tyre të njëjtë për Shqipërinë (B1 nga Moody’s dhe B+ nga S&P), si dhe këndvështrimin e tyre afatmesëm si “stabël” për ekonominë shqiptare. Kompanitë e vlerësimit të riskut analizojnë situatën ekonominë të rajonit dhe më gjerë, duke theksuar se ndryshe nga vendet e rajonit, Shqipëria ka demonstruar një rritje të qëndrueshme ekonomike në nivelin e 4 për qind në vitet e fundit. Përveç rritjes ekonomike të viteve të fundit, kompanitë në vlerësimin e tyre vlerësojnë veçanërisht potencialin e ekonomisë shqiptare për të pasur rritje të qëndrueshme dhe të lartë në vitet në vijim, konsolidimin e vazhdueshëm fiskal me uljen në nivelin e 3 për qindëshit të deficitit, si dhe seriozitetin e qeverisë për të mbajtur nën kontroll dhe ulur gradualisht nivelin e borxhit publik. Moody’s dhe S&P vlerësojnë më tej dhe qëndrueshmërinë e sektorit bankar si likuid, i mirë kapitalizuar dhe me rritje të vazhdueshme të depozitave. Lidhur me të ardhmen europiane të vendit, kompanitë e vlerësimit të riskut çmojnë potencialin e Shqipërisë për të marrë së afërmi statusin e vendit konditat, faktor që nëse kombinohet me uljen e raportit të borxhit ndaj prodhimit të brendshëm, si dhe me zbutjen e risqeve të jashtme financiare, mund të sjellin rritjen në një nivel më të lartë të vlerësimit të riskut (uljen e perceptimit të riskut) sovran të Shqipërisë. Në këtë mënyrë, të dyja kompanitë kanë vlerësuar si tejet të qëndrueshme dhe me potencial të fortë rritjeje ekonominë shqiptare, duke konfirmuar suksesin e reformave të qeverisë. Agjencitë thonë se qeveria shqiptare po punon me seriozitet për të mbajtur nën kontroll dhe ulur gradualisht nivelin e borxhit publik, duke shprehur gjithashtu vlerësimin pozitiv për reformat ekonomike. Sipas këtij vlerësimi, Shqipëria ka bërë progres të rëndësishëm në përmirësimin e forcës së saj ekonomike dhe institucionale që nga fundi i viteve 1990. Sidoqoftë, sfida të konsiderueshme mbeten. Ndërsa ekonomia e saj ka mbetur relativisht elastike gjatë krizës globale financiare e 2008-2009, rimëkëmbja ekonomike ka ende për të marrë hov. Për më tepër, Shqipëria është tani një vend me të ardhura mesatare, vlerësojnë Moody’s dhe S&P. Ky vlerësim vjen në një kohë kur thuajse të gjitha vendet e rajonit dhe të eurozonës janë përballur me ulje të vlerësimit te profilit të riskut, apo minimalisht me përkeqësim të këndvështrimit të prospekteve afatmesme të tyre nga “stabël” në “negative”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›