E Diel, 1 Nëntor 2026

Halimi: Numri i gjyqtarëve, sipas ngarkesës në gjykata

Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi

TIRANE – Ministri i Drejtësisë thirri dje një takim konsultativ mbi reformën e sistemit të drejtësisë, për të prezantuar dhe diskutuar tri reformat e planifikuara për sistemin gjyqësor. Në prani të zëvendëskryetarit të KLD-së, Elvis Cefa, shefit të misionit EURALIUS, Joaqin Urias dhe kryetarëve të gjykatave të rrethit dhe apelit, si dhe përfaqësues nga Gjykata e Lartë dhe Kushtetuese, Halimi prezantoi projektet e Ministrisë së Drejtësisë. Pasi bëri të ditura tri angazhimet kryesore, rishpërndarjen e gjyqtarëve të Shkallës së Parë dhe të Apelit sipas ngarkesës, me qëllim rritjen e eficensës së Gjyqësorit; përmirësimin e legjislacionit në kuadër të rritjes së eficensës së sistemit gjyqësor; Përcaktimi i numrit të nevojshëm të gjyqtarëve për çdo gjykatë administrative të Shkallës së Parë dhe Apelit në Shqipëri dhe fillimi i procedurave për funksionimin e tyre. “Ministria e Drejtësisë synon të rishpërndajë tërësisht numrin e gjyqtarëve për çdo gjykatë, duke krijuar një fizionomi krejtësisht të re të sistemit gjyqësor në Shqipëri. Kjo realizohet duke rritur numrin e gjyqtarëve në gjykatat me ngarkesë të lartë, duke ulur numrin e gjyqtarëve në gjykatat e vogla dhe duke rritur numrin e gjyqtarëve në gjykatat e apelit”, tha Halimi. Sipas tij, bazuar në statistikat zyrtare për numrin e gjyqtarëve për ketë çështje, ne kemi menduar se numri i gjyqtareve në çdo gjykatë administrative të jetë nga 4 gjyqtarë në çdo gjykatë dhe në Tiranë të jetë 16, ndërsa për Apelin të jetë 7. “Shumë shpejt, që javën e ardhshme, do t’i propozoj KLD-së dhe Presidentit fillimin e procedurave për emërimin e këtyre gjyqtarëve, sipas procedurave që parashikon ligji i miratuar në Parlament pak muaj më parë”, theksoi Halimi. Duke u përqendruar te reformimi në Gjyqësor, me qëllim shmangien e ngarkesës së punës në gjykata, ministri Halimi tha se qëllimi është rritja e eficensës dhe efikasitetit në sistemin gjyqësor, me synim eliminimin e procedurave gjyqësore në çështjet që kanë të bëjnë me vendimet gjyqësore, në lidhje më dëshmitë e trashëgimisë dhe urdhrat e ekzekutimit. “Ne propozojmë që këto vendime gjyqësore të hiqen nga procedurat gjyqësore dhe t’i kalojnë noterit. Nëpërmjet sistemit të ri të noterisë, qytetari vetëm brenda pak minutave mund ta marrë këtë shërbim shumë më shpejt. Kjo reformë ka rëndësi edhe për sistemin gjyqësor, sepse do të lehtësoje punën e gjyqtarëve për mijëra e mijëra dosje”, theksoi ministri. Sipas tij, “procesi i lëshimit të urdhrave të ekzekutimit duhet të reformohet dhe ne kemi paraqitur një skemë, e cila do të eliminojë automatikisht gjithë këtë ngarkesë të jashtëzakonshme për qytetarët dhe gjyqtarët”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›