E Diel, 1 Nëntor 2026

Halimi: Përmirësimi i sistemit gjyqësor do të kthejë besimin te drejtësia

14-09-2012 / Gazeta 55

Ministria e Drejtësisë dhe KLD, marrëveshje bashkëpunimi për monitorimin e gjyqësorit 

Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi dhe Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa nënshkruan një memorandumin e bashkëpunimit institucional për shmangien e mbivendosjes së kompetencave në Inspektimin Gjyqësor. Ky memorandum synon që të përmirësojë procesin e monitorimit të sistemit gjyqësor. 
Ministri i Drejtësisë, Halimi në fjalën e  mbajtur me këtë rast deklaroi se rritja e transparencës do të mund të kthejë besimin e qytetarëve tek drejtësia. “Sistemi i drejtësisë ka nevojë për paanësi dhe pavarësi, po aq sa dhe për rritjen e përgjegjshmërisë së gjyqtarëve përballë ligjit dhe Kushtetutës, po aq për rritjen e aksesit të publikut në drejtësi, po aq dhe për rritjen e transparencës së gjithë procesit gjyqësor, në mënyrë që qytetarët të kthejnë besimin tyre tek drejtësia. Është shumë i rëndësishëm monitorimi i pushtetit gjyqësor, evidentimi i gjyqtarëve të aftë nga ata të paaftë”, deklaroi ministri Halimi. 
Sipas tij, memorandumi i bashkëpunimit vjen në kuadër të përmbushjes së objektivave strategjike dhe politike që Ministria e Drejtësisë, në emër të Qeverisë Shqiptare ka planifikuar në rrugën e realizimit të proceseve integruese. Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi theksoi se  kjo marrëveshje bashkëpunimi vjen edhe si domosdoshmëri për plotësimin e një prej rekomandimeve të Bashkimit Europian.
“Ky nënshkrim përmbush drejtpërdrejt objektivat e Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë dhe një ndër masat kyçe të Rekomandimit nr. 7 ‘Shteti i së drejtës’, të Opinionit të Komisionit Europian për Shqipërinë me objektiv specifik harmonizimin e procedurave inspektuese dhe shmangien maksimalisht të mbivendosjeve. Me këtë rast, dëshiroj të falënderoj ekspertët e Misionit Euralius, të cilët na kanë asistuar nga afër në të gjitha sfidat tona, por edhe në përmbushjen e aktivitetit të sotëm”, theksoi kreu i Drejtësisë.
Nga ana e tij, nënkryetari i KLD-se, Elvis Çefa, deklaroi se, “ky memorandum e ngre në një shkallë të re bashkëpunimin ndërmjet dy inspektorateve”. 
Sipas tij, KLD, synon të ndërtojë strategji të qarta që çojnë në përmirësimin e veprimtarisë së sistemit të drejtësisë.  Me anë të memorandumit, dy Inspektoratet do të forcojnë bashkëpunimin midis tyre, duke koordinuar veprimtarinë e tyre. Dy institucionet kanë deklaruar se ky akt synon harmonizimin e procedurave dhe praktikës së inspektimit gjyqësor në të dy institucionet bazuar në parimin e roleve dhe përgjegjësive të ndara, për të: përmirësuar efektivitetin dhe transparencën e inspektimeve në sistemin gjyqësor; rritur besueshmërinë e publikut ndaj gjykatave dhe ndaj autoriteteve shtetërore të inspektimit të tyre; nxjerrë rekomandimet e përshtatshme për përmirësimin në vijimësi të kuadrit ligjor përkatës. Së fundmi, me portalin e ri www.gjykata.gov.al ka mundësi shumë të mira për inspektimin on-line, si një mjet cilësor, të shpejtë dhe efikas në monitorimin e sistemit gjyqësor. Falë portalit të ankesave on-line, komunikimi bëhet automatik, dhe shmanget tërësisht mbivendosja.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›