E Diel, 1 Nëntor 2026

Olldashi: Pronarët jetojnë në bodrume, shtëpitë e tyre i kanë zënë biznesmenë të PS dhe ish-sigurimsat

14-09-2012 / Gazeta 55

Ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi iu përgjigj dje akuzave të PS në parlament lidhur me aktin normativ për lirimin e banesave të ish pronarëve, duke deklaruar se opozita vazhdon të mbajë qëndrim klasor ndaj shqiptarëve.
Sipas tij, pronarët po jetojnë nëpër bodrume, ndërsa në banesat e tyre jetojnë biznesmenë që mbështesin Partinë Socialiste dhe njerëz që i kanë shërbyer Sigurimit të Shtetit. Olldashi tha se me këtë akt normativ, merr fund padrejtësia 68 vjeçare ndaj qytetarëve shqiptarë.
“Si ministër i kësaj mazhorance, si anëtar i këtij kabineti, si sendërtues, materializues i një akti, në konceptin tonë madhor, të vendosjes së drejtësisë në vend, dua të them që në fillim dy gjera. Së pari, ndjehem krenar që e kemi sjellë këtë akt sot këtu, ndjehem krenar sepse zgjidhim një padrejtësi 68 vjeçare, duke zgjidhur në të njëjtën kohë edhe problemet e atyre që kanë hyrë në shtëpitë e pronarëve të ligjshëm dhe prej 68 vjetësh i zotërojnë këto shtëpi. Kemi sjellë një zgjidhje që është përfundimtare. Nuk është një zgjidhje që e sollëm befas! Kemi që në vitin 2006 që po punojmë për këtë zgjidhje. Kemi marrë nga njësitë e qeverisjes vendore, nga bashkitë e vendit, shumë prej tyre të drejtuara nga socialistë, listat e të gjithë qiramarrësve në shtëpitë e pronarëve; kemi filluar të përpunojmë kuadrin ligjor dhe administrative; kemi filluar që nga viti 2009 të vëmë në dispozicion të qiraxhinjve kredi me interes zero, si instrument nga i cili mund të përfitojnë, të strehohen në atë që nesër do të jetë pronë e tyre, dhe jo pronë e tjetërkujt. Për të zgjidhur kështu problemin e atyre që kanë që nga viti 1944 që presin t’u lirohet shtëpia, por edhe problemin e atyre që aktualisht banojnë në këto shtëpi. U kemi vene ne dispozicion kredi me interes zero, ndërkohë që të gjithë qytetarët e thjeshtë të vendit, janë të detyruar qe t’i adresohen bankave me një interes që varion nga 10 deri në 12 për qind”- tha Olldashi.
Kreu i Transporteve theksoi se banesat e pronarëve mbahen peng nga njerëzit e nomeklaturës së regjimit komunist dhe biznesmenë që financojnë PS-në.
“Sa është kosto që shoqëria shqiptare duhet të paguajë për të mbajtur në shtëpitë e pronarëve të ligjshëm, ‘nomekaturën’ e dikurshme të regjimit komunist?!
Sa është kosto, që çdo qytetar shqiptar duhet të paguajë për të mbajtur në shtëpitë e pronarëve, biznesmenët e Partisë Socialiste. Do t’ju jap raste: Agron Papuli- biznesmen, pronar i ish-stabilimentit. Mihal Duri- pronar fshatrash turistikë, me investime në të katër anët e Shqipërisë, mban shtëpinë e pronarit. Spartak Melcka- biznesmen, me fshatra turistikë dhe hotele, ka shtëpi pronari. Në shtëpinë e Aristidh Lekës jetojnë Adriatik Muka, ish kryetar dege, Basri Bedini, funksionar i lartë i Ministrisë së Brendshme, familja e Lilo Zenelit një ndër shefat e ministrisë së brendshme dhe xhelatët e diktaturës, Qemal Klosi, (as Fatos Klosi nuk paska mundësi ta strehojë babain), Beshir Laci, Kryetar komiteti, Shemsi Spaho, zëvendës kryetar dege, Shefki Hoxha, sekretar komiteti partie. Në shtëpinë e Erebarave në Tiranë, Gëzim Erebara vdiq pa e marrë dot shtëpinë e tij - jeton familja e Bato Karafilit, njëri nga monstrat e sigurimit të shtetit. Kush është drejtësia sociale, kush është paqja sociale që kërkoni ju? Bëmë një verifikim: nga 251 shtëpi që verifikuam 93 prej tyre janë të kyçura. Nuk jeton askush. Thjesht i mbajnë mbyllur!Dhe ju çfarë bëni?! Ju nxirrni dy përfaqësues të pushtetit vendor që dalin dhe i thonë pronarëve të ligjshëm të këtij vendi, faljani shtëpitë, pronën tuaj, qiraxhinjve. T’ju bëj një pyetje shumë të thjeshtë. Ky kryetari bashkisë së Durrësit i cili ka ndërtuar 15 pallate në atë qytet, ai ka falur një apartament të vetëm dikujt? Atëherë ky njeri që ka ndërtuar 15 pallate me çfarë morali qytetarët i drejtohet pronarëve dhe i thotë, faljani shtëpitë tuaj, faljani shtëpitë atyre që ju groposën nëpër bodrume!”, tha ai, duke i akuzuar socialistët si klasorë. “Ju jeni klasorë dhe jeni vetëm në vijim të asaj që kryetari juaj ka shpallur publikisht. Sepse ka dy momente publike që nuk i fshihni dot. Deklaratën e z.  Rama, i cili i pyetur në 2007 nga Agim Toro, kryetari i shoqatës së pronave, për strategjinë që do të ndiqte, iu përgjigj, ‘ti qërohu te partia jote’. Së dyti, deklaratën që z. Rama bëri gjatë intervistës me gazetaren Mimoza Picari në vitin 2009, ‘Pronat nuk janë prioriteti ynë’. Ky është qëndrimi që keni ju dhe është ky qëndrim është kryekëput klasor”, theksoi më tej, Olldashi.

Zaptuesit e banesave të ish pronarëve, biznesmenë dhe njerëz të Sigurimit të Shtetit

Në shtëpinë e Aristidh Lekës jetojnë Adriatik Muka, ish kryetar dege, Basri Bedini, funksionar i lartë i Ministrisë së Brendshme, familja e Lilo Zenelit një ndër shefat e ministrisë së brendshme dhe xhelatët e diktaturës, Qemal Klosi, (as Fatos Klosi nuk paska mundësi ta strehojë babain), Beshir Laci, Kryetar komiteti, Shemsi Spaho, zëvendës kryetar dege, Shefki Hoxha, sekretar komiteti partie. Në shtëpinë e Erebarëve në Tiranë, Gëzim Erebara vdiq pa e marrë dot shtëpine e tij - jeton familja e Bato Karafilit, njëri nga monstrat e sigurimit të shtetit
Në shtëpinë e familjes Krroqi jeton biznesmeni Sokol Muço Saliu dhe Muço Saliu, për ata që s’e kanë njohur, ka qenë një nga kryekriminelët e sigurimit të shtetit. I vdiq në duar gjatë torturave Ali Begeja. E hodhi kufomën nga dritarja e birucave dhe tha që u vetëvra. I biri është biznesmen, jeton prej 15 vjetësh në Suedi dhe familja e Gjon Krroqit nuk e gëzon dot shtëpinë e tij sepse i biri i Muco Saliut i ka vënë drynin dhe ka ikur prej 15 vjetësh.
E veja e Gjylani Shehut jeton prej 15 vjetësh në Kanada, por prej 15 vjetësh mban të mbyllur pronën e Xhaferr Vilës, i cili nuk e gëzon dot shtëpinë e tij, megjithëse qiraxhiu është në Kanada
Në rrugën Fortuzi, në pronën e familjes Kondi apo Hatibi, që në 40 vjet mori emrin “Pallati i Gjeneralëve”, një e vetmuar me emrin Hariklla Korini mban katër dhoma të mbyllura. Po aty, Xhuxhi Bitraj, person i vetëm mban 150 metër katrorë dhe pronari nuk guxon të hyjë dot atje. Dhe ju thoni që kjo është drejtësi sociale?! Një individ i vetëm mund të mbaj 160m/2 pronë të tjetër kujt, ndërkohë që nuk di nëse shumica juaj e ka apo jo kaq sipërfaqe banimi
E njëjta gjë me Agim Kapaj jeton në Itali prej 15 vjetësh, mban shtëpinë mbyllur.
Idajet Elmazi katër dhoma një ish oficer sigurimi i vetëm.
E njëjta gjë në Durrës me pronën e Llambi Martos. Djali ish-shefit të policisë së Durrësit, Rexhep Kajosha mban 6 dhoma një njeri i vetëm dhe pronarët e ligjshëm duhet të presin pafundësisht?!
Në protestë dolën familja e Luan Babametos, ish ministër; familjen e Rrahman Hankut ish ministër; familjen e Petro Dodes ish kryetar i planit të shtetit, familjen eProkop Murrës ish- ministër, familjen e Skënder Kosovës hierark i sigurimit, familjen e Sotir Koçollarit; të bashkimeve profesionale, familjen e Kristo Themelkos, familjen e Koço Priftit kryetar i gjykatës kundër kriminelëve të luftës, ish pronarëve, familjen e Aleks Verlit, ish ministër; familjen e Pilo Peristerit, anëtar i Byrosë Politike; familjen e Sul Bahollit, sekretar i parë dhe ministër; familjen e Vasil Nathanailit, ish-ministër, që rrinë shtëpinë e Jorgo Kllapit, ndërkohë që ky I fundit detyrohet të rri në Korçë. Ka vilën në mes të Tiranës, ia banon një ish-ministër i Enver Hoxhës dhe nuk jeton dot këtu, jeton në magazina, në Korçë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›