E Shtunë, 31 Tetor 2026

Holanda mbështet Shqipërinë për integrimin në BE

14-09-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha takon Ambasadorin e ri të Mbretërisë së Holandës, Martin de la Beij


Kryeministri Berisha priti në një takim Ambasadorin e ri të Mbretërisë së Holandës, Martin de la Beij. Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen dhe suksese në detyrën e re, Kryeministri Berisha i shprehu mirënjohjen ambasadorit holandez për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe ndihmën bujare e të çmuar që Holanda i ka dhënë Shqipërisë, gjatë gjithë kësaj periudhe, në të gjitha përpjekjet e saj për konsolidimin e demokracisë, integrimin euroatlantik dhe atë evropian.  Ambasadori holandez e falënderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë e miqësore dhe i rikonfirmoi atij vullnetin e vendit të tij për të vijuar të mbështesë Shqipërinë edhe në të ardhmen, në veçanti, për sa i përket ecjes përpara drejt anëtarësimit të plotë në BE. Ambasadori i Holandës, Martin de la Beij, vlerësoi arritjet e rëndësishme që Shqipëria ka shënuar gjatë viteve të fundit, të cilat janë përshëndetur nga partnerët dhe miqtë ndërkombëtar të Shqipërisë, në të gjitha fushat, në veçanti në fushën ekonomike, në reformat e rëndësishme në fushën politike dhe arritjet historike në fushën e integrimit.  Në këtë kontekst, ambasadori holandez e vlerësoi si shumë mbresëlënëse ngjitjen e Shqipërisë në grupin e vendeve me të ardhura të mesme e të larta, por edhe klimën shumë të favorshme qe qeveria shqiptare ka krijuar për bizneset në vend, çka ka ngjallur interesin më të lartë të investitorëve prestigjioz dhe biznesit holandez. Në takim, u rikonfirmua vullneti i të dy vendeve dhe qeverive për të punuar ngushtësisht, për të nxitur investimet e ndërsjella dhe për të zgjeruar e thelluar bashkëpunimin në fushën ekonomike, tregtare, në veçanti, në ndërtimin e infrastrukturave moderne në Shqipëri, hidrocentraleve, infrastrukturave të përpunimit të ujërave dhe furnizimit me ujë të popullatës, në fushën e turizmit, etj. Më tej, kreu i Ekzekutivit Berisha e njohu ambasadorin e Holandës me reformat e gjithanshme të realizuara në Shqipëri gjatë kësaj periudhe, në fusha si ajo e zhvillimit ekonomik, thjeshtimi i procedurave administrative dhe krijimi i klimës së favorshme për biznes, në fushën e arsimit, të shëndetësisë, në fushën energjetike, në ndërtimin e infrastrukturave të rëndësishme, në procesin e integrimit evropian, etj. Ambasadori i Holandës Martin de la Beij i konfirmoi  kryeministrit Berisha se ai personalisht dhe Ambasada holandeze, mbeten të angazhuar për të punuar ngushtësisht me qeverinë shqiptare, për realizimin e të gjitha projekteve të përbashkëta, në dobi të interesit më të mirë të të dy vendeve dhe popujve.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›