Halimi: Pushuan çështje pa qenë prezent, dështuan edhe me ekstradimet

Ministria e Drejtësisë kërkon procedim disiplinor për 8 gjyqtarë, konstatohen shkelje të rënda ligjore
Ministria e Drejtësisë ka depozituar ditët e fundit, pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë 8 kërkesa për procedimin disiplinor të 8 gjyqtarëve, të cilët ushtrojnë detyrën e tyre në Tiranë, Durrës, Vlorë, Korçë, Elbasan, Kavajë dhe Kukës. Llojet e masave disiplinore të kërkuara nga Ministri i Drejtësisë janë në raport të drejtë me shkeljet e kryera prej gjyqtarëve dhe variojnë nga masa “vërejtje” deri tek “shkarkimi nga detyra”.
Procedimet disiplinore bazohen në gjetjet e inspektimeve të zhvilluara si nga Inspektoratet e Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Ministria e Drejtësisë mbetet e vendosur për të konsoliduar pushtetin gjyqësor në drejtim të efektivitetit të tij dhe rritjes së përgjegjshmërisë ndaj ligjit dhe Kushtetutës.
Eduard Halimi
Masat që kërkohen të merren ndaj tetë gjyqtarëve variojnë nga vërejtje deri tek shkarkimi nga detyra. Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi deklaroi dje se këta gjyqtarë janë gjetur me shkelje të rënda ligjore. “Emrat nuk i kemi bërë të ditur për publikun për faktin se këta gjyqtarë do të vazhdojnë të kryejnë funksionet e tyre derisa të merret vendimi përfundimtar”- tha ministri Halimi. Procedimet disiplinore bazohen në shkeljet e gjetura në inspektimet e zhvilluara si nga Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë ët Drejtësisë. “Për këta gjyqtarë janë gjetur shkelje të rënda të Procedurës nga ana e tyre, me zvarritje të hetimeve deri në dështim të disa çështjeve penale të bujshme si dhe kanë të bëjnë me një inspektim të kryer nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Ministria e Drejtësisë vitin e kaluar. Gjatë inspektimit është vërejtur se disa gjyqtarë duke qenë jashtë shtetit janë larguar pa marrë leje nga autoritet përkatëse nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, apo kanë nënshkruar vendim pushimi çështjesh pa qenë prezent, si çështje që kanë të bëjnë me dështime të ekstradimeve nga shteti shqiptar drejt shtetit italian dhe çështje të rënda të etikës në gjyqësor”, tha më tej ministri Halimi. Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi deklaron se vetëm me anë të monitorimit të të gjithë hallkave të sistemit do të arrihet në konsolidimin e pushtetit gjyqësor në drejtim të efikasitetit të tij dhe rritjes së përgjegjshmërisë ndaj ligjit dhe Kushtetutës. “Është normale që kur kemi një armatë gjyqtarësh që janë 370 gjyqtarë, është normale që të paktën inspektoratet që kanë për detyrë për të kontrolluar të identifikojë pikërisht këta elementë që janë devijatë. Çështjet dihet se janë të zgjatura në sajë të monitorimeve dhe të daljes së konkluzioneve por ne po ecim me një formë të jashtëzakonshme me dixhitalizimin e sistemit të drejtësisë. Javën e kaluar ne inauguruam sistemin audio, një sistem jashtëzakonisht i rëndësishëm për transparencën, efiçencën e sistemit, por edhe efiçencë të monitorimit dhe të kontrollit”, tha ministri Halimi. Pritet që shumë shpejt po kjo Ministri të bëjë publike emrat e kancelarëve të gjykatave dhe përmbaruesve të cilët janë konstatuar gjithashtu me shkelje të rënda.
Halimi-Vjeti: Një drejtësi funksionale, element kyç për integrimin
“Efikasiteti i drejtësisë dhe lufta ndaj korrupsionit janë elementë kyç për integrimin evropian të vendit”. Ky ka qenë mesazhi që ka përcjellë nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë italiane, Mishel Vjeti, pas takimit me ministrin e Drejtësisë Eduard Halimi.
Ministri i Drejtësisë,z. Eduard Halimi e informoi shefin e Magjistraturës Italiane për reformat e ndërmarra në sistemin gjyqësor në drejtim të dixhitalizimit të tij, instalimin e sistemit audio-rikording në çdo sallë gjykimi si dhe përfundimin në kohë të dixhitalizmin të sistemit e noterisë dhe përmbarimit. Ministri bëri prezent edhe planet e afërme për realizimin e instalimit të sistemit video- rikording në sallat e gjykimit.
Pas takimit Ministri Halimi i deklaroi medias se “shkëmbyem ide jashtëzakonisht të rëndësishme për reformat që kanë të bëjnë me disiplinimin e gjyqtarëve , reformat që kanë bëjnë me promovimin e gjyqtarëve nga Këshillimi i Lartë i Drejtësisë bazuar në profesionalizëm dhe meritokraci”. Nga ana e tij, zv kryetari i Këshillit të lartë të Drejtësisë, Michele Vieti, pas falënderimeve për mikpritjen e konsideroi këtë takim shumë të frytshëm si në kuadër të marrëdhënieve miqësore mes Shqipërisë dhe Italisë , ashtu edhe në kuadër të bashkëpunimit institucional. Këshilli i lartë i Drejtësisë së Italisë ka dhënë ndihmën e tij në përparimin e mëtejshëm të reformimit të sistemit gjyqësor në vend. “Ne kërkojmë të vazhdojmë këtë bashkëpunimin institucional sepse ne kemi besim tek Shqipëria si një faktor kyç në stabilitetin gjeopolitik të rajonit. Ne do të donim ta mbështesim Shqipërinë në integrimin e saj drejt BE-së dhe për të gjitha këto është e rëndësishme të kesh një drejtësi që funksionon. Kemi nevojë për një drejtësi që është e pavarur dhe autonome, që është efikase për t’i dhënë përgjigje kërkesave të qytetarëve, dhe që është e fortë në luftimin e fenomenit të korrupsionit”- u shpreh, zv/kryetari i Këshillit të lartë të Drejtësisë së Italisë. Shefi i magjistraturës italiane shprehu vlerësimin për reformat e ndërmarra për rritjen e performancës së sistemit të drejtësisë duke theksuar se “në një shtet ku sistemi i drejtësisë funksionon atëherë ky vend ka mundësi të madhe në përthithjen e investimeve”.