Halimi: Të vendosur për të zmbrapsur krimin, rritja e dënimit receta më e mirë për këtë qëllim

Ministri i Drejtësisë prezanton në Komisionin e Ligjeve paketën e drejtësisë penale dhe rritjes së pagave të gjyqtarëve
“Ne jemi të vendosur për të zmbrapsur krimin”, ishin fjalët me të cilat Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi nisi të prezantojë dje Paketën për drejtësinë Kriminale dhe Paketën e rritjes së pagave për gjyqtarët dhe prokurorët në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.
Paketa e Drejtësisë Kriminale u konsideruar nga Ministri i Drejtësisë, gjatë prezantimit të saj si më e ashpra në këto 20 vjet pluralizëm.
“Ne jemi të vendosur për të zmbrapsur krimin urban, duke rritur dhe ashpërsuar dënimet për shkelësit e ligjeve, kështu, me këtë paketë të re do të kemi jo më pak se 10 vjet burg për cilindo që lëviz me armë zjarri në publik, jo më pak se 38 vjet për atë që vret policin, vret për gjakmarrje, vret njeriun e familjes, vret të miturin pas kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë... etj. Jo ‘lirim me kusht’ autorëve të këtyre veprave”, theksoi Halimi, duke nxitur dhe diskutime të ndryshme në komision.
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu duke u ndaluar në ndryshimet e propozuara ka theksuar se ligji duhet të ketë një mbrojtje të veçantë për fëmijët dhe ashpërsim të dënimit për dhunën ndaj gruas.
Deputeti i PS-së Fatmir Xhafaj kërkoi që të thirren në komision edhe grupet e interesit nga Prokuroria e Përgjithshme, shoqatat e gjyqtarëve, Avokati i Popullit dhe nga komiteti i Helsinkit, kërkesë e cila ka gjetur dhe reagimin e kreut të komisionit të ligjeve Ilir Rusmali i cili theksoi se do të merren masa të sillen në komision përfaqësues nga grupet e interesit.
Në fund Ministri i Drejtësisë nënvizoi rëndësinë e kësaj pakete duke thënë se reforma a drejtësisë penale është një recetë për parandalimin e krimit, por nuk e zgjidh plotësisht këtë çështje.
Po ashtu gjatë mëngjesit të djeshëm në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut u morë në shqyrtim dhe propozimi tjetër i Ministrisë së Drejtësisë, Paketa e rritjes së pagave për gjyqtarët dhe prokurorët.
“Ne, tha Halimi, jemi të vendosur për të përmirësuar statusin e gjyqtarit dhe prokurorit, jemi të vendosur për të konsoliduar sistemin e drejtësisë në vend. Dhe kjo, shtoi Ministri i Drejtësisë, realizohet me rritjen e pagës. Kështu kjo paketë parashikon pagë jo më pak se 1000 dollarë në muaj për çdo gjyqtar dhe çdo prokuror të shkallës së parë në vend. Jo më pak se 1.400 dollarë në muaj për gjyqtarët dhe prokurorët e apelit”, tha Ministri i Drejtësisë.