Halimi, çmime për tre inxhinierët e dixhitalizimit të drejtësisë

Ministri i Drejtësisë shpërblen tre informaticienët e IT, qytetarëve iu dhurua një sistem modern
Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi nderoi dje, me çmimin e mirënjohjes së publikut tre inxhinierë të IT-së, autorë të tre portaleve dixhitalë të promovuar nga Ministria e Drejtësisë në kuadër të reformave në sistemin e drejtësisë. Halimi nderoi me këtë urdhër z. Aristotel Agaraj, autor i portalit “One stop shop për noterët”, z. Xhevair Llakaj, autor i portalit për shërbimet online në sistemin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe z. Agim Kasaj, autor i portalit "gjykatat. gov.al". Duke shprehur mirënjohjen e tij, ministri Halimi theksoi se "ata janë tre novatorë të Shqipërisë dixhitale”. Ministri I Drejtësisë me këtë rast u shpreh se “ Qytetarëve iu dhurua një sistem dixhital modern për t’i larguar njëherë e mire nga radhët, nga lodhja dhe burokracitë
“Brenda pak muajve të këtij viti sollëm për publikun portalin “One stop shop për noterët”, duke e bërë Shqipërinë vend lider në rajon, në shërbimet noteriale tërësisht dixhitale”, theksoi Halimi, duke prezantuar inxhinierin Aristotel Agaraj. Më pas, ministri shtoi se, ”projekti që ne kishim në dorë në fillim të këtij viti ishte parashikuar me një fond prej 300.000 eurosh ndërkohë që z. Agaraj ia kurseu shtetit këtë shumë duke paraqitur projektin e tij". Duke e falënderuar ing. Agarajin edhe në emër të qeverisë shqiptare, ministri Halimi i dorëzoi atij "Çmimin e mirënjohjes publike” dhe një shpërblim shkencor prej 1 milion lekësh. Po kështu, ministri Halimi u dorëzoi ing. Llakajt dhe ing. Kasajt shpërblimin shkencor me vlerën 250 mijë lekë, duke u shprehur mirënjohjen në emër të Ministrisë së Drejtësisë për punën e shkëlqyer. Në mbyllje të kësaj ceremonie ministri i Drejtësisë, tha se “Gjesti i sotëm është vëmendja që qeveria shqiptare tregon ndaj njerëzve novatore, punonjësve te talentuar, punonjësve shkencore, te cilët e meritojnë plotësisht ketë mirënjohje publike ne emër te qeverisë”.