E Shtunë, 31 Tetor 2026

Po finalizojmë projektin e Shqipërisë dixhitale, ulje tarifave të telefonisë dhe internetit

08-09-2012 / Gazeta 55

Konferencë për shtyp e Kryeministrit Berisha dhe Sekretarit të Përgjithshëm të ITU (Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit) z. Hamadoun Toure

“Interneti me bazë të gjerë përbën forcën më të shpejtë ndërlidhëse të zhvillimit të një vendi dhe në këtë kontekst nuk kemi të bëjmë vetëm me një shpejtësinë, e cila e shuan distancën, por kemi të bëjmë më një fluks të pakufishëm informacioni që qytetari merr nëpërmjet këtij interneti”, kështu ka deklaruar dje kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha në konferencën e përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm te ITU-se, (Unioni ndërkombëtar i Telekomunikacionit) z. Hamadoun Toure.
Shefi i qeverisë Berisha e ka cilësuar konferencën për internetin si një sukses të vërtetë dhe një nxitje e madhe në këtë 100 vjetor, e cila intensifikoi të gjitha përpjekjet për realizimin e ambicieve pozitive në një burim të pashtershëm informacioni. Ai ka vlerësuar përpjekjet dhe angazhimin e doktor Toures në projektin madhor të vendit tonë, atë të Shqipërinë dixhitale. “Dr. Toure ka ndjekur me vëmendje projektin e Shqipërisë dixhitale. Shqipëria ka përfituar nga ekspertiza e specialistëve të ITU-së”, u shpreh Kryeministri Berisha, teksa theksoi se, “Shqipëria është një anëtare themeluese e Bashkimit Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve”.
Më tej ai nënvizoi se raportet mbi situatën e telekomunikacionit kanë qenë të një rëndësie të veçantë në ndërtimin e politikave në interes të qytetarëve shqiptarë, duke rritur shkallën e penetrimit dhe duke ulur tarifat. “Shqiptarët që më parë paguanin çmime stratosferike, sot paguajnë çmime më të ulëta se më parë, sot shkalla e penetrimit të telefonisë mobile nga 35 % që ishte në fund të viti 2005 ka arritur në 107 % dhe tregu i këtyre sipërmarrjeve është tregu më dinamik me një potencial të madh ndikimi në të gjitha fushat”, theksoi shefi i qeverisë, i cili shtoi se me ndihmën e mbështetjen e doktor Toure-s dhe agjencisë që kryeson, i ka dhënë mbështetje të fuqishme qeverisë në realizmin e një ëndrre të vërtetë, atë të Shqipërisë dixhitale. Sipas tij do bëhet e pamundura për normalizimin e tregut të internetit, dhe se çmimet do ulen në përputhje me etikën në këtë treg. “Ne do normalizojmë tregun e internetit dhe do të bëjmë ç`është e mundur që çmimet të jenë afër normës. Ne nuk kontrollojmë tregun por një lloj etike duhet të ketë” theksoi  kryeministrit Berisha.
Ndër të tjera Kryeministrit u shpreh se bashkëpunimi me ITU-në dhe mbështetja e qeverisë kanë qenë ndër faktorët që ndihmuan për realizimin e një ëndrre të shqiptarëve, atë të Shqipërisë dixhitale. “Shqipëria u rendit e dyta në botë, përsa i përket treguesit të gatishmërisë së rrjetit. Vendi ynë ka përfituar nga shkalla e lartë e ekspertizës së të dërguarve të ITU-së. Konferenca për internetin me bazë të gjerë, që u organizua në Tiranë, ishte një nderim i veçantë që ITU i bëri Shqipërisë”, vijoi ai.
 Kreu i Këshillit të Ministrave garantoi se, “interneti me bandë të gjerë përbën forcën më të shpejtë lëvizëse të zhvillimit. Në këtë proces kemi të bëjmë jo vetëm më një shpejtësi që e shuan distancën, por kemi të bëjmë me një fluks të pakufishëm informacioni, që merr qytetari. Konferenca ishte një sukses i vërtetë dhe një nxitje e madhe për n, që në kuadër të 100 vjetorit të intensifikojmë përpjekjet”.  Me z. Toure, vijoi Kryeministri Berisha, “ramë dakord të vazhdojmë këtë bashkëpunim të frytshëm, që Shqipëria të anëtarësohet në qendrën e vendeve të internetit me bandë të gjerë. Ramë dakord që Shqipëria të japë kontributin në forumin e kësaj organizate dhe që ITU-ja të ndihmojë në përpjekjet për këtë fushë”.
Në lidhje me rezolutën e parlamentit të Kosovës për të përdorur prefiksin njësoj si të Shqipërisë, parimisht Kryeministri Berisha u shpreh dakord në parim, por theksoi ai, “mendimi përfundimtar do të vinte pasi të konsultohesha me ekspertët e fushës dhe të financave, pasi nëse në rrafshin financiar të Kosovës krijon një shmangie kjo gjë, do të doja që të studiohej më gjerë”
Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm e Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU) Hamadoun Toure theksoi se ndjehet i nderuar që gjendet në Shqipëri. “Ne organizojmë një simpozium këtu në Tiranë, duke sjellë të gjithë të gjithë aktorët e kësaj fushe në rajonin tonë, ministritë  e komunikacionit dhe teknologjisë së informacionit, të gjitha autoritet e sektorit privat dhe organizatat ndërkombëtare dhe rajonale së bashku”, theksoi Sekretari i ITU-së, Toure. Në takim u diskutua bazat ligjore e rregullatorëve për të lëvizur nga shoqëria e informacionit dhe teknologjisë që është sot, në atë të cilën do të shërbejë si forcë shtytëse për të ardhmen. “Jam shumë i impresionuar nga vizioni i Shqipërisë dixhitale të viti 2020 që parashtroi kryeministri. Ne e dimë shumë mirë që për të zhvilluar këtë sektor kemi nevojë së pari për vizion, së dyti ju duhet të keni kornizën e duhur ligjore dhe rregullatorë për të ftuar sektorin privat që të investojë dhe së treti, ju duhet që qeveria të bëjë përgatitjet e duhura për ti konkretizuar këto gjëra, në mënyrë që të jenë të gatshme për të ardhmen”, nënvizoi Sekretari i Përgjithshëm e Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›