Riker: Shqipëria kontribut të rëndësishëm për sigurinë ndërkombëtare - krenar që ju kemi aleat
Ministri i Brendshëm, Flamur Noka dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan, Philip Reeker, vizitë tek Delta Force në Vlorë
Zv/ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Fillip Riker i shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Flamur Noka udhëtoi dje drejt Vlorës, ku zhvilluan një vizitë në njësinë “Delta Force” në Radhimë. Të dy zyrtarët e lartë panë nga afër përpjekjet dhe arritjet nga kjo njësi në veçanti dhe Policia e Kufirit në tërësi. Të dy zyrtarët e lartë vlerësuan rezultatet e shkëlqyera në luftën kundër trafiqeve dhe krimit. Gjatë kësaj vizite nëpër ambjentet logjistike të Njësisë, Ministri Noka dhe Zv.Ndihmës Sekretari Reeker u njohën me detaje të punës dhe aktivitetit të këtij reparti dhe njëherësh përgëzuan drejtuesit dhe efektivat specialë për bilancin. Zyrtari amerikan ka vlerësuar partneritetin mes dy vendeve, Shqipërisë dhe SHBA-së në fushën e sigurisë e antikrimit. Sikurse përcolli sërish mesazhe politike e nevojën për më shumë punë për reformat integruese.
“Është vërtet një nder për mua të jem këtu dhe në emër të Sekretares së Shtetit, znj. Hilari Klinton, ambasadorit Arvizu, t’ju përgëzoj për gjithçka keni bërë vecanërisht në këto 100 vjet të Pavarësisë së Shqipërisë në këtë vend, në Vlorë, një qytet kaq i rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. SHBA janë shumë të kënaqura që kanë një partner si Shqipëria dhe jemi shumë krenarë që mund t’ju quajmë aleatë. Si një anëtar i rëndësishëm i NATO-s, ju keni dhënë vërtet kontribute të rëndësishme në kuadër të përpjekjeve të përbashkëta, nëpërmjet ISAF në Afganistan. Ju keni ndërmarrë reforma të mëdha në fushën e policimit si dhe keni bërë përpjekje të mëdha për luftën kundër krimit. E gjithë kjo na bind se Shqipëria është shumë e aftë të bëjë reforma dhe ndryshimet e duhura për të arritur standardet e nevojshme për në BE. SHBA do të jenë përkrah jush përmes ICITAP dhe programesh të tjera ndihmëse. Kjo kërkon punë dhe përpjekje për konsensus politik për të vazhduar përpara dhe ne kemi besim se Shqipëria është e aftë për këtë”- u shpreh Riker.
Ministri i Brendshëm, Flamur Noka duke vlerësuar ndihmën amerikane, parashtroi përpjekjet e qeverisë për të ndëshkuar krimin dhe trafiqet ku një kontribut ka reparti elitë Delta Forcë në Vlorë. “Njësia e Lëvizshme Territoriale, Delta Force e krijuar tre vite më parë si njësi rezervë në mbështetje të Policisë Kufitare dhe Migracionit, është shndërruar sot në një njësi elitë të policisë shqiptare. Si një njësi elitë, simbol i modernizimit të policisë shqiptare, ajo ka kryer misione të vështira, në tokë dhe në det, për kapjen e elementëve kriminalë dhe trafikantëve të drogës, duke u shndërruar në një barrierë të pakapërcyeshme dhe garante për kufirin blu. Më lejoni të kthehem jo shumë vite pas në kohë, jo për të bërë krahasime, por thjesht për të kujtuar dhe mos harruar faktin se jo më larg se 7 vjet më parë këtu ku sot është e instaluar Delta Force, operonte industria famëkeqe e skafeve që trafikonte njerëz, armë dhe drogë, që tronditi botën e qytetëruar. Ky transport vdekjeprurës, solli kob në familjet shqiptare dhe tentoi të njolloste dinjitetin e kombit dhe atë të shtetit shqiptar. Edhe pse kanë kaluar pak vite, tashmë gjithçka është vetëm një kujtim i hidhur. Të vendosur për të bërë realitet kërkesën që buronte nga shpirti i çdo shqiptari, për të qenë pjesë e familjes së madhe europine përpjekjet tona, me mbështetjen e aleatëve tanë natyralë dhe strategjikë, SHBA-të dhe BE, sot janë një realitet që flet vetë. Në zinxhirin e masave antikrim, si një ndër prioritetet kryesore të Qeverisë Shqiptare, Moratoriumi i Skafeve ishte një nga vendimet më të rëndësishme që Qeveria ndërmori, duke vënë mbi gjithçka mbrojtjen e jetës së çdo qytetari dhe imazhin e vendit. Moratoriumi u dha fund trafiqeve nëpërmjet detit dhe hoqi përfundimisht Shqipërinë nga lista e vendeve që mundësonte çdo trafik të paligjshëm drejt vendeve perëndimore nga deti. Koha dhe shifrat kanë dëshmuar më së miri drejtësinë e këtij vendimi. Shqiptarët tashmë lëvizin të lirë, pa viza në gjithë hapësirën “Schengen” dhe me gjerë, me dokumente identifikimi nga më të sigurtat dhe më modernet. Sistemi TIMS, një instrument efikas, i mbështetur fuqimisht nga ana e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, nëpërmjet misionit ICITAP, tashmë është vënë në eficencë të plotë. Ky sistem i ka mundësuar policisë kufitare rezultate maksimale, në kapjen personave në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, mjeteve motorike të vjedhura apo poseduesve të dokumenteve të falsifikuara”- u shpreh Noka. Ai theksoi vullnetin e hekurt të Qeverisë Shqiptare për luftë me zero tolerancë ndaj çdo forme të krimit, gjë që sipas tij, ka bërë që Shqipëria të hiqet nga lista e zezë si vend tranzit i drogave të forta, të këtë arritje shumë pozitive në sekuestrimin e aseteve të krimit të organizuar, trafikut të qenieve njerëzore, pastrimit të parave dhe në sektorë të tjerë. Bashkëpunimi i shkëlqyer në nivele bilaterale me SHBA, vendet e BE-së, por edhe me struktura si Europolin, Interpolin, etj., kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen dhe konsolidimin profesional të të gjitha strukturave të Policisë së Shtetit.
Gjatë vizitës, Ministri i Brendshëm Flamur Noka dhe Ndihmës Zv.Sekretarit i Departametit të Shtetit, z. Filip Riker, shoqëroheshin nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Burgaj, zv. ambasadorit i SHBA-ve, në Tiranë, Henri Jardine, zv.drejtori i përgjithshëm për Kufirin dhe Migarcionin, Pëllumb Nako dhe titullarë të lartë të Policisë së Shtetit dhe ambasadës së SHBA-ve në Tiranë.