E Diel, 1 Nëntor 2026

Periudha e re progresive e Amerikës?

07-02-2013 / Nga Jeffrey D. Sachs


Është shumë herët që të shpallet Era e Re Progresive në Amerikë. Interesat e ngushta vazhdojnë të jenë të pranishme, posaçërisht në Kongres – e madje edhe brenda Shtëpisë së Bardhë. Këto grupe të pasura dhe këta individë kanë dhënë miliarda dollarë për kandidatë në fushatën e re zgjedhore dhe ata presin që kontributet e tyre t’u shpaguhen. Për më tepër, 30 vjet të shkurtimeve tatimore e kanë lënë Qeverinë amerikane pa resurset financiare të domosdoshme për të realizuar programe efektive në fushat kryesore

Më 1981, presidenti amerikan, Ronald Reagan,nisi mandatin e tij presidencial me thënien e famshme se “Qeveria nuk paraqet zgjidhjen për problemin tonë. Qeveria është problemi”. Pas tridhjetë e dy vjetësh dhe katër presidentësh, fjalimi inaugurues i presidentit Barack Obama, përmes të cilit mbështetet një rol më i madh i Qeverisë në tejkalimin e sfidave më emergjente të Amerikës dhe të botës, duket sikur paraqet përmbyllje të asaj periudhe të cilën e kishte nisur Reagani. Deklarata e Reaganit më 1981 ishte e jashtëzakonshme. Ajo sinjalizonte se presidenti i ri i Amerikës ishte më pak i interesuar në shfrytëzimin e Qeverisë për të zgjidhur problemet e shoqërisë, sesa që ishte në shkurtimin e tatimeve, kryesisht për përfitimin e më të pasurve. Më e rëndësishme është se presidenca e tij filloi një “revolucion” nga e djathta politike – ndaj të varfërve, ambientit, shkencës dhe teknologjisë – që zgjati tridhjetë vjet dhe që u respektua në parim nga të gjithë ata që e pasuan: George H. W. Bush, Bill Clinton, George W. Bush dhe në disa aspekte edhe Obama gjatë mandatit të parë. “Revolucioni Reagan” kishte katër komponentë kryesorë: shkurtimet tatimore për të pasurit; shkurtimet e shpenzimeve për arsim, infrastrukturë, energjetikë, ndryshime klimatike dhe trajnime; rritje masive të buxhetit të mbrojtjes dhe liberalizëm ekonomik, përfshirë privatizimin e funksioneve bazë të Qeverisë. I quajtur si revolucioni i “tregut të lirë”, për shkak se premtonte ta ulte rolin e Qeverisë, në praktikë ky ishte fillimi i sulmit mbi klasën e mesme dhe të pasur, për shkak të interesave speciale të të pasurve. Këto interesa speciale përfshijnë “Wall Street”, “Big Oil”, kompanitë e mëdha të sigurimeve shëndetësore dhe prodhuesit e armatimit. Ata kërkuan shkurtime tatimore dhe e siguruan këtë gjë; ata kërkuan politika më liberale të mbrojtjes së ambientit dhe e siguruan këtë gjë; ata kërkuan, dhe morën, të drejtën për të sulmuar sindikatat; ata po ashtu kërkuan kontrata fitimprurëse qeveritare, madje edhe për operacione paramilitare. Për më shumë se tridhjetë vjet, askush nuk i vuri në pikëpyetje pasojat e afrimit të pushtetit tek ata që ofronin më së shumti. Ndërkohë, Amerika kaloi prej një shoqërie të klasës së mesme në shoqëri të ndarë midis të varfërve dhe të pasurve. Drejtorët ekzekutivë, që dikur paguheshin rreth tridhjetë herë më shumë sesa punëtorët, tani fitojnë rreth 230 herë më shumë sesa ajo shumë. Amerika, dikur lidere botërore në luftën kundër degradimit të ambientit, u kthye në ekonominë e fundit të madhe që pranoi realitetin e ndryshimeve klimatike. Derregullimi financiar pasuroi “Wall Streetin”, por në fund krijoi krizë ekonomike globale përmes manipulimeve, marrjes përsipër të risqeve të mëdha, mungesës së kompetencës dhe pazarllëqeve të brendshme. Mbase fjalimi i fundit i Obamas shënon jo vetëm fundin e kësaj agjende destruktive, por edhe fillimin e një ere të re. Në të vërtetë, ai ia kushtoi pothuajse tërë fjalimin rolit pozitiv të Qeverisë në sigurimin e arsimimit, luftimin e ndryshimeve klimatike, rindërtimin e infrastrukturës, kujdesin për të varfrit dhe investimin në të ardhmen. Ishte ky fjalimi i parë inaugurues i një lloji të tillë që kur Reagan largoi Amerikën nga Qeveria, më 1981.
Po qe se fjalimi i Obamas del se shënon fillimin e një ere të re të politikës progresive në Amerikë, atëherë ai do t’i përshtatej skemës së hulumtuar nga njëri prej historianëve më të mëdhenj të Amerikës, Arthur Schlesinger Jr., i cili dokumentoi intervalet afërsisht 30-vjeçare midis periudhave të “interesave private” dhe “qëllimeve publike”. Në fund të viteve 1800, Amerika e kishte “Periudhën e artë”, me krijimin e industrive të mëdha nga “baronët hajna”, shoqëruar me pabarazinë dhe korrupsion të përhapur. Era e mëpasme Progresive u përcoll me kthimin e përkohshëm të plutokracisë në vitet njëzet. Pastaj ndodhi Depresioni i Madh, Marrëveshja e Re e Franklin Rooseveltit dhe një periudhë tjetër tridhjetëvjeçare e politikës progresive, gjatë viteve 1930-1960. Vitet shtatëdhjetë ishin periudhë transitore deri tek periudha e Reaganit – tridhjetë vjet të politikës konservative, të manifestuara me interesin e madh të korporatave. Ka ardhur koha që Qeveria ta marrë përsipër misionin e luftimit të ndryshimeve klimatike, të ndihmës për të varfrit, promovimit të teknologjive të qëndrueshme dhe modernizimit të infrastrukturës së Amerikës. Po qe se Amerika realizon këta hapa vendimtarë përmes politikave publike, ashtu siç ka theksuar Obama, atëherë ndikimet pozitive do të shkojnë në të mirë të botës. Është shumë herët që të shpallet Era e Re Progresive në Amerikë. Interesat e ngushta vazhdojnë të jenë të pranishme, posaçërisht në Kongres – e madje edhe brenda Shtëpisë së Bardhë. Këto grupe të pasura dhe këta individë kanë dhënë miliarda dollarë për kandidatë në fushatën e re zgjedhore dhe ata presin që kontributet e tyre t’u shpaguhen. Për më tepër, 30 vjet të shkurtimeve tatimore e kanë lënë Qeverinë amerikane pa resurset financiare të domosdoshme për të realizuar programe efektive në fushat kryesore.
Megjithatë, Obama e ka hapur mundësinë, duke shpallur një erë të re të aktivizimit qeveritar. Këtë gjë ai e bën me të drejtë, për shkak se shumica e sfidave kryesore të sotme lypin zgjidhje kolektive. Zbatimi i politikës publike është po aq i rëndësishëm për qeverisjen e mirë, sa edhe vizioni që shoqëron atë. Për këtë arsye, detyra e radhës është që të përgatiten programe novative dhe pak të kushtueshme për përballjen me këto sfida. Fatkeqësisht, kur është fjala për programet novative për përmbushjen e nevojave kryesore njerëzore, Amerika ka dalë nga rrjedhat. Është koha që Amerika të niset nga starti dhe mbështetja nga Obama e një vizioni progresiv dëshmon se SHBA-ja ka marrë drejtimin e duhur.

Autori, profesor për zhvillim të qëndrueshëm dhe politika të shëndetit dhe menaxhimit është drejtor i institutit “Earth” në Universitetin e Columbias. Marrë nga “Project Syndicate”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›