“Koalicioni me PD-në, i qëndrueshëm - ka arritur të sigurojë stabilitet të përgjithshëm politik”

Kreu i LSI, Ilir Meta u përgjigjet pyetjeve në rrjetin social “Facebook”
Lideri i LSI-së, Ilir Meta, ka shmangur stafin e tij dhe ka preferuar t’i përgjigjet në mënyrë të drejtpërdrejtë pyetjeve të qytetarëve të bëra në rrjetin social “Facebook”, për çështje konkrete. Për dy ditë Ilir Metës i janë drejtuar 342 pyetje. Si gjithnjë në publik me gjetje të veçantë Meta nuk ka lënë asnjë shteg interpretimi duke qenë vetë në “Inbox-in” e të gjithë atyre që kanë pyetur.
“Të nderuar miq është kënaqësi e veçantë për mua që të komunikoj drejtpërdrejtë me ju nëpërmjet medias sociale të ‘Facebook’. Dua të shpreh kënaqësinë time për qindra pyetje që më janë drejtuar”, është shprehur Meta në nisje të përgjigjeve të tij.
Të 342 pyetjeve në mënyrë individuale u është dërguar përgjigja nga ana e Ilir Metës në “Inbox”in e tyre në “Facebook”.
I pyetur rreth koalicioneve të ardhshme nga rreth 60 qytetarë, kreu i LSI është shprehur se “Lëvizja Socialiste për Integrim është një forcë politike që i qëndron marrëveshjeve. Këtë e ka bërë edhe me Partinë Socialiste përpara zgjedhjeve lokale të vitit 2007, pavarësisht se ishte ajo që nuk i qëndroi marrëveshjes pas rizgjedhjes së kryetarit të saj si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Dhe këtë gjë e ka bërë njëkohësisht në mënyrë tepër të qëndrueshme edhe me Partinë Demokratike pas koalicionit që imponoi vota dhe rezultati i qershorit të vitit 2009”.
Sipas tij, çështja e koalicionit do të diskutohet në momentin e duhur (16 prill, afati i fundit për regjistrimin e koalicioneve) dhe do të vendoset nga Konventa Kombëtare e LSI-së, e cila përbëhet nga 2300 delegatë. Ndërsa i pyetur për programin e punësimit të LSI, Meta u shpreh se, “Në këtë drejtim unë dua të shpreh besimin tim se për të gjithë ata të rinj të cilët kanë arritur që përmes studimeve të tyre të fitojnë me aftësi dhe me djersë një diplomë me vlerësime optimale padyshim se ekziston mundësia për të gjetur një vend pune, jo vetëm në sektorin publik, ku vlerësimi apo punësimi bazohet në konkurs, por njëkohësisht edhe në sektorin privat që është sektori më i gjerë në vend dhe gjithmonë e më me arritje”.
Ndërkaq Ilir Meta u ndal edhe në pyetjen sesi vlerëson performancën e këtij koalicioni qeveritar, Ilir Meta vuri në dukje se, “ky koalicion ka treguar që është një koalicion i qëndrueshëm dhe që ka arritur të sigurojë një stabilitet të përgjithshëm politik dhe ekonomik në vend, duke pasur në konsideratë rrethanat rajonale, evropiane e globale të një krize që ende vazhdon dhe që është me pasoja tepër të ashpra në vendet tona fqinje si Greqia apo edhe Italia, që janë edhe partnerët tanë kryesore tregtarë dhe ekonomikë. Pra, duhet të theksoj se ky stabilitet dhe kjo qëndrueshmëri pa asnjë diskutim që është një sukses edhe i këtij koalicioni që LSI ka realizuar dhe ka kontribuar deri tani”. Gjithashtu Meta theksoi se gjatë këtij mandati qeverisës “heqja e tatimit për pagat deri në 30 mijë lekë të reja që është një tjetër kontribut në interes të të gjithë të punësuarve me të ardhura të pakta dhe modeste”. Ndërsa për fatin e tre ligjeve të integrimit Europian, kreu i LSI, Meta nënvizoi se “Këto ligje janë bërë të famshme sepse janë bërë objekt i një debati të jashtëzakonshëm përgjatë këtyre muajve të fundit dhe njëkohësisht nuk janë bërë të famshme për mirë por janë bërë të famshme për keq, pavarësisht se nuk është faji i këtyre dy ligjeve dhe i kësaj rregulloreje që pritet të miratohen në Kuvendin e Shqipërisë sepse këto janë të standardeve evropiane. Është faji i konfliktit politik dhe i bllokimit që nuk kanë ndihmuar për të realizuar konsensusin e domosdoshëm prej 3/5 që duhet për miratimin e tyre. Sikurse edhe Komisioneri për Zgjerim ka theksuar është kërkesa minimale që Shqipëria të miratojë këto tre akte por të pasur një raport pozitiv për marrjen e statusit të vendit kandidat”. Sipas Metës ky ishte edhe qëllimi i vizitës më të fundit të komisionerit Fyle në vendin tonë, përveç angazhimit për t’i ftuar palët për të mos dëmtuar standardin e zgjedhjeve që po vijnë. “Në këtë drejtim Kristi besoj ju e keni ndjekur vazhdimisht shqetësimin tonë si LSI dhe timin personal njëkohësisht edhe apelet tona të vazhdueshme që ethet elektorale të 23 qershorit të mos pengojnë miratimin e këtyre tre akteve dhe marrjen e statusit të vendit kandidat. Sikurse e tha edhe Komisioneri Fyle statusi është plotësisht i arritshëm, varet nga politikanët. Ne si LSI do të vazhdojmë të kërkojmë këtë bashkëpunim të domosdoshëm sepse është e rëndësishme që të mos i bëhemi pengesë vendit për realizimin e një aspirate që u takon të gjithë shqiptarëve dhe që s’mund të jetë kurrsesi as pronë dhe as pasuri e politikës. Ndaj shpresoj që edhe kjo vizitë e Komisionerit Fyle të japë efekte pozitive në këtë drejtim. Ne si LSI do të luajmë rolin tonë përshpejtues, moderues dhe konstruktiv që këto standarde të plotësohen, Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat dhe njëkohësisht zgjedhjet të jenë plotësisht të standardeve evropiane”, theksoi Meta.