E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hallakaten në Beograd

Presidenti i Serbisë, Boris Tadic reagoi ashpër ndaj paralajmërimeve të zyrtarëve të Kosovës për vendosjen e kontrollit doganor në pikat 1 dhe 31. Ai tha se Serbia do të ankohet për këtë në të gjitha instancat ndërkombëtare. Tadic pohoi se ajo që po bëjnë EULEX’i dhe KFOR’i është papërgjegjësi e madhe. Nga Express më 14 shtator 2011 në ora 08:43

Autoritetet e Serbisë kanë bërë deklarata të ashpra ndaj paralajmërimeve të zyrtarëve kosovarë për vendosjen e kontrollit në pikat doganore 1 dhe 31.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadic ka mbajtur një konferencë për media, ku ka akuzuar palën kosovare dhe bashkësinë ndërkombëtare duke thënë se “synimet e autoriteteve të Prishtinës që të vendosin doganierët në pikat administrative, Serbia nuk do t’i pranojë.

Tadic ka theksuar se Serbia ka kërkuar edhe nga Këshilli i Sigurimit që të merren të gjitha masat që sipas tij, Prishtina të pengohet në planet e saj për përdorimin e forcës në veri të Kosovës.

Ai ka thënë se nga të gjithë akterët ndërkombëtarë do të kërkojë parandalimin e këtyre përpjekjeve duke potencuar se EULEX’i dhe KFOR’i kanë obligime që të jenë neutralë karshi statusit.

“Përfaqësuesit ndërkombëtarë, të cilët po luajnë me paqen nuk mund t’i kuptoj – kjo është një papërgjegjësi e lartë dhe pikërisht për këtë nga kanalet ndërkombëtare do t’i marrim të gjitha masat që ky synim të ndërpritet”, ka thënë ai.

“Unë tash them se Serbia me asnjë lloj presioni nuk do të pranojë një zgjidhje të tillë”, ka thënë ai.

Presidenti i Serbisë ka deklaruar se për këtë çështje Serbia do të kontaktojë me shefen e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO’s dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.

“Fakti që Serbia është e njoftuar rreth synimeve të Prishtinës, nuk do të thotë se i pranojmë synimet e tilla. Do të bëjmë gjithçka është e mundur që një gjë e tillë mos të ndodhë, por i paralajmëroj institucionet ndërkombëtare se nëse ndodh kjo, ato do ta marrin përgjegjësinë për pasojat eventuale”, ka thënë Tadic.

“ Ekzistojnë vijat e kuqe dhe ne do t’iu përmbahemi atyre, por duam zgjidhje kompromis dhe askush nuk mund të na pengojë se jemi faktorë rëndues”, ka thënë Tadic.

I pyetur se si është e mundur që Beogradi i ka njohur vulat doganore, e në anën tjetër nuk i pranon doganierët nga Prishtina në pikat kufitare, Tadic ka thënë se vulat i rregullon UNMIK’u në pajtim me qasjen neutrale ndaj statusit dhe se zgjidhja ka qenë rezultat i dialogut.

Ai ka thënë se pranimi i vulës që e rregullon UNMIK’u nuk do të thotë se Serbia e ka pranuar rregullimin e çështjeve të tjera doganore.

“Konsideroj se është më mirë që serbët e Veriut të paguajnë doganë, por kjo është pjesë e dialogut dhe për këtë duhet të gjendet një zgjidhje kompromisi”.

Ai ka akuzuar KFOR’in duke thënë se nuk guxon të jetë shërbim transporti për të ashtuquajturit doganierë të Prishtinës.

“Për ne është mjaft shqetësuese ajo që ata që janë të gatshëm për aksione unilaterale të tilla, janë të gatshëm ta bëjnë këtë edhe me përdorim të forcës”, ka thënë Tadic.

Ministri i Brendshëm serb, Ivica Dacic ndërkaq ka thënë se bashkësia ndërkombëtare nuk po i respekton marrëveshjet që i ka arritur me Serbinë.

Me këtë rast, ai ka përmendur Rezolutën 1244 dhe Gjashtëpikëshin e shumëpërfolur.
“Serbia duhet të vazhdojë të insistojë që bashkësia ndërkombëtare të respektojë aranzhmanet për të cilat është marrë vesh me Serbinë”, ka thënë Dacic.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremic ka bërë të ditur se Beogradi i ka dërguar letër Sekretarit të Përgjithshëm të OKB’së, Ban Ki Moon, të cilit, sipas tij, i kërkohet që të marrë të gjitha masat për të parandaluar dhunën e Prishtinës në veriun e Kosovës.

“Krejt rrjeti diplomatik dhe konsullor i Serbisë është në aktivitet ë plotë për të parandaluar përpjekjet e Prishtinës për përdorimin e forcës. Një drejtim i luftës sonë diplomatike është letra që i është dërguar Ban Ki Moonit.

Ai ka thënë se KFOR’i, EULEX’i e kanë përgjegjësinë për situatën në Kosovë duke thënë se nëse ka viktima, përgjegjësinë do ta kenë ata që kanë mandat ta pengojnë një gjë të tillë, e ato janë BE’ja dhe NATO’ja.

Edhe Milan Ivanovic nga Këshilli Nacional Serb dhe Oliver Ivanovic, i ashtuquajtur sekretar për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka thënë se një veprim i tillë i Qeverisë së Kosovës do t’i nxisë serbët lokalë.“Reagimi i serbëve mund të jetë shumë i shpejtë dhe efikas. Ata mund t’i bllokojnë tërësisht të gjitha rrugët, ato kryesore të trafikut, por edhe ato anësore apo alternative, të cilat eventualisht do të mund t’i shfrytëzonte ndonjë njësit nga Prishtina ose ato të KFOR-it” ka thënë Oliver Ivanovic.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›