E Diel, 1 Nëntor 2026

Egjipti mirëkuptim për shtetin e pavarur të Kosovës

Nga Express më 13 shtator 2011 në ora 16:48

Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Egjipt, ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar takime me kandidatë potencial për president të Egjiptit dhe disa përfaqësues të Qeverisë së Përkohshme të këtij shteti.

Kandidati për President Hamdeen Sabahi, gjatë takimit me ministrin Hoxhaj thuhet se ka shprehur bindjen që ai do të fitoj garën për këtë post, ndërsa ka thënë se do të ndihet krenar që ta kurorëzoj njohjen e Kosovës nga Egjipti.

“Nuk ka dilemë që unë do të jem President me fat, në ditën kur unë do të lidh marrëdhënie diplomatike me vendin tuaj. Egjipti dhe Kosova duhet të thellojnë bashkëpunimin në të gjitha fushat. Kosovarët kanë luftuar njëjtë si egjiptianët muajt e fundit, për liri dhe dinjitet, prandaj pranimi i pavarësisë do të jetë edhe mbështetje për sakrificën e popullit tuaj për liri dhe pavarësi”, ka thënë Sabahi.

Ministri Hoxhaj e ka falënderuar Sabahin për mirëkuptimin e plotë të tij dhe popullit egjiptian për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës, duke e njoftuar për zhvillimet në Kosovë dhe procesin e përmbylljes së njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Kurse, gjatë takimit me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Egjiptit, Hoxhaj e ka informuar atë me zhvillimet e fundit në Kosovë, procesin e shtetndërtimit, progresin e vazhdueshëm në aspektin e brendshëm, dhe me forcimin sistematik të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Hoxhaj, ka kërkuar nga Qeveria e Egjiptit që sa më parë që të jetë e mundur të njohë shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës, si dhe që të ushtroj ndikimin e saj në vendet e tjera arabe që nuk e kanë njohur ende Kosovën, të marrin një vendim të tillë.

Në anën tjetër, zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Egjiptit e ka siguruar ministrin Hoxhaj se pas revolucionit në Egjipt, populli i egjiptian ka simpati dhe mirëkuptim për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Andaj, sipas tij, pas mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe demokratike të dy qeveritë do të lidhin marrëdhënie diplomatike.

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, ka zhvilluar një takim edhe me kabinetin e kryeministrit të Egjiptit, ku pasi ka prezantuar realitetin dhe zhvillimet në Kosovë, ka kërkuar përkrahjen e Republikës së Egjiptit për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës dhe thellimin e marrëdhënieve mes dy popujve dhe shteteve tona.

Këshilltari i kryeministrit egjiptian ka thënë Egjipti tash e tutje nuk duhet të bëjë gabimin që e ka bërë në të kaluarën dhe se duhet që sa më parë të pranojë pavarësinë e Kosovës.

“Kosova dhe populli i saj i kanë treguar tërë botës se e kanë merituar lirinë dhe pavarësinë dhe Egjipti shumë shpejt do ta pranojë këtë realitet”, ka thënë këshilltari i kryeministrit egjiptian.

Ministri Enver Hoxhaj, gjatë ditës ka mbajtur një ligjëratë në Unionin e Mjekëve të Egjiptit, ku përveç mjekëve, ka takuar edhe shumë përfaqësues të revolucionit të fundit demokratik, intelektualë dhe dashamirës të popullit dhe shtetit të Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›