E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pyetjet rrotullohen…

Preç ZOGAJ

Ikje nga bota e poezisë

Të shkruaja si Borghes:
“Shiu është një gjë që ia beh në kohën e shkuar”;
Si Pesoa të thosha:
“Shpirtrat tanë nganjëherë janë pafundësisht larg nesh”.
Përmbi Moravë bisedonim për Greqinë,
për atë vend që shëron helmet e veta
me trishtimin e madh të poezisë.

Në takimet tona netëve me hënë
Garsia Lorka u shpëtonte plumbave.
Vinte i menduar, por më tej
s’dinte si ta vazhdonte jetën e tij,
kthehej nga unë dhe më shihte
gjithë qortim dhe gjithë edukatë:
“Përse më përshkojnë plumbat e s’më rrëzojnë?”

Me gratë e një kohe të shkuar të kam njohur,
tek vinin e shkonin gjithnjë drejt së ardhmes.
Fundi i këtij udhëtimi erdhi.
Në bregun e shkretë me erë dhe det
si pupël u end lamtumira jote,
e puthura me dorë si e Mata Harit
për vrasësit e saj të xhandarmërisë franceze.

Shiu dhe era ia nisën përsëri

Shiu dhe era ia nisën përsëri,
duke ndjellë me ngut mbrëmjen, errësirën,
përzier, kapërthyer në një melodi
që dhjetë herë ma mori e prapë ma merr frymën.

Ndoshta s’kanë rreshtur kurrë dhe unë
jam si ajo viktima që mendon mirë,
duke i atribuar xhelatit të tij
pakëz mëshirë.

Shiu dhe era dhe pritja pa fund
në një stinë pirate pa shenja, pa emër.
Vërtet, si ia bën me dobësinë që të mund?!
Si ia bën me hidhërimin që mendja derdh në zemër?!

Ditë dhe natë, zgjuar dhe jerm.
E njëjta shije, e njëjta klepsidër,
e njëjta humnerë ku hidhesh e s’bjen,
i njëjti rrotullim i pyetjeve pa përgjigje.

Si ia bën, si ia bën dhe a nuk është koha
që mjeshtrit e mëdhenj me Jezusin në krye
të thërrasin këtu një koncil a kuvend
për një tjetër formulë eukaristie?!

Sepse mendoj se shpirti i vrarë
do t’i ngjitet rruzullit si sëmundje fryme,
s’do të rrjedhë më ujë, por vetëm lot paskëtaj,
s’do të mbijnë më pemë, por vetëm gulçime.

Amour

Një brinjë më ikën e shkon të ngulet në rërë,
era fishkëllen në anën time të djathtë...

Me duar mbaj
zgavrën dhe mallin.

Pak nga pak shpirti

Pak nga pak shpirti fillon të shfaqet në bebëza,
si një fëmijë që nuk është rritur
bashkë me trupin.

Pa asnjë rrudhë, pa asnjë damkë,
mbytur në ujë dhe në trishtim
përndrit marramendthi fytyrën.

Asgjë nuk vazhdon më prej së vërteti!
Asgjëje s’i ka hije më vazhdimi!
Shpirti po sheh udhët e qiellit,
po përgatit çastin e shkëputjes
prej këtij trupi që gjatë e mbajti.

Unë nga t’ia mbaj, nga t’ia mbaj
në këtë ndarje?!

I kam ngjarë shpirtit tim.
Shpirti im më ka ngjarë mua.

Tani që dimri erdhi nga të katër anët

Tani që dimri erdhi nga të katër anët,
ti nënë mbështillesh me duart e tua,
në fund të rrugës shikon me habi
si bien gjethet, si zhvishen drurët...

Dhe loja e zogjve në çerdhe duket;
lakorja e rrugës deri larg duket.
Vetminë tënde zbulon papritur
si të ishte fshehur nën futën e verës,
të verës që iku si një dallëndyshe
tani që dimri erdhi nga të katër anët.

Përse s’të bën zemra të hysh në shtëpi?
Kujt i thërret ashtu: “Ejani brenda!”
Ah, gjethe që ratë! Nëna më ka ditur
prapa perdes suaj.

Por unë kam ikur.
Motrat janë martuar.
Me radhë na hoqi koha
nga shtrati yt, nënë.

Tani që dimri erdhi nga të katër anët
dhe veriu fishkëllen fushës pambarim
ti kthen në shtëpi për hatrin tonë
netëve të vona shtrin duart e ëndërrta
sikur do t’na lindësh përsëri
dhe zgjohesh tashmë nga të qarat e tua.

Në Lezhë përsëri nëna ime

Në Lezhë përsëri nëna ime
me duart e saj nxjerr bukën e saj,
si të mos ketë patur
asnjë fëmijë.
E çfarë pastaj që mbeti me barrë?
Ah, kjo shajni ndodhi dikur,
përpara se të njihej
me zotin e saj.

Ka ndryshuar nëna!
Nuk është më nëna!
Përpara pasqyrës qëndron herë-herë,
shikon atje bijën e zotit
edhe mendon me pakëz turp:
“Më fal, o Atë, mëkatin e pasosur,
që nuk e shoh siç e ke bërë
shumë të bukur bijën tënde.
Ka faj shikimi, shikimi plaket
Në këtë jetë.”

Kam bërë be: keq armikut nuk do t’i bëj
sa të kem nënën gjallë.
Por nuk ka gjasa të marr hak.
Përgjithmonë do të më shohë
nga pasqyra e saj dhe nga kujtimi.

Ato të mëdhatë...

Ka qenë shpejt kur shkruaja
dhimbjet e atit.
Ato të mëdhatë, të pazëshmet
nuk paskan fund.

Kishte një ëndërr: të shndërrohej në gur
në një prej netëve. Të kridhej, të prehej
në gjumë e fishkëllima e të mos zgjohej kurrë.

Ngadalë, por e sigurt thyhet pleqëria,
tani ka hequr dorë nga çdo pretendim,
madje sesi i vjen të pyesë “a ka jetë tjetër?”,
teksa s’është përgatitur kohë më parë.

Si një deradë tretet prapa kripit të bardhë,
besoj rri e mendon për gruan që deshi,
ndoshta uron jo pa turp që ajo
të vdesë para tij për të vetmen arsye:
t’i çojë në varr tufën e luleve
që nuk ia dhuroi kurrë.

Stuhi e qetë kujtimi kjo që tund shtëpinë,
vitet shkunden si çatma nga e padukshmja.
Për herë të fundit merr vrull
trandafili i sertë i vjeshtës, pleqëria.

Fragmente

Shtëpia ku linda, ku u bëra djalë
është në rrugën e erërave që klithin
sa shohin detin.

Në kërcejtë e kallamave
toka ka fshehur lirika.

Ti më vret me shikime dashurie
dhe ikën pa më kthyer me fytyrë nga qielli.

* * *
Janar, shkurt, mars. U ngjalla.
Në trupin tim kërcitën fara lulesh
ty të kujtova dhe qava.

Erdhi pranvera, vallë më dëgjon,
o e bukura ime më e mirë se unë!
Erdhi pranvera, fjala “të dua!”
e mbushi ajrin rrotull gojës sime,
në bilbila i ktheu dhjetë gishtërinjtë e mi
gishtërinjtë e mi që ikin prej meje,
unë që iki prej lëkurës sime
drejt teje, drejt teje, drejt teje...

Zoti im, gjallë unë pashë

Shtrati yt, tempulli, ujdhesa, përralla jote.
Atje pushojnë menjëherë luftën
erërat, vetëtimat, dallgët, flatrat.
Fytyra e shprishur si në Aulidë
kthehet në trajtën e vet të mëparshme.

Shtrati yt, dora jote, frymëmarrja jote,
fikja jote në qetësinë e thellë
pa frikë se nuk do të zgjohesh më kurrë.

Si të ka tretur lufta, e shtrenjta ime,
ikja pambarim, me kokën prapa duke u rropatur
në rrugët qorre të së ardhmes së përjetshme.
Nuk të jep paqe, vetëm shkrehje të jep ora jote.

Por natën gishtat e mi përkëdhelin
hukamën tënde si një mjellmë.

Ti nuk e di,
kurrë s’do ta dish
formën e bukur të shpirtit tënd
kur i bën hije frymëmarrjes sate.

* * *
Zoti im, më dhe kandilin
të shoh provat që bën në ndarje
shpirti i saj nga trupi i saj.

Zoti im, gjallë unë pashë
atë që di vetëm i vdekuri.

Jeta që më mbetet

Tani si një ditë është jeta që më mbetet,
kryesisht një e diel, një rreng, një farfuri.
Shumë kam pritur një ditë të tetë,
fati ndërkaq m’i përlau gjashtë të parat.

Gjithë çfarë ishte shkruar të ndodhte, ndodhi.
Kusuri vazhdon, por kjo s’ka shumë rëndësi.
Me jetue të diturën është e papëlqyeshme,
por edhe epike është gjithsesi.

Sa herë ka çelur jargavani në ëndrrat e mia!
Sa herë kam menduar për ty, Marie!
Sa herë jam përshëndetur pa e ditur kush
me një sëmbim që era dhe sytë femërorë
si magnet e hiqnin nga zemra ime.
Sa herë kam pritur paskëtaj fundin.
Sa herë jam rrëzuar në perëndim
duke ndjekur jehonën e një klithme
që imja ishte para se të më braktiste.

Çfarë do ta bëja një jetë tjetër
po të ma linte në derë fati?
Çastet e mia shkrepen,
kurshtja ime kaloi.
Në fund të së dielës fytyra
përkund një rreng, një pritje, një mbarim
dita e tetë nuk vazhdon këtu...

25 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›