E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olimpi i aktualizuar i Kadaresë

Altin HAXHINASTO

Ky cikël shkrimesh mund të shihet edhe si një “trajnim” për leximin. Nëse kemi mundësi të trajnojmë inxhinierë, mjekë, juristë, filologë etj., ia vlen të mendojmë seriozisht për lexuesin, në mënyrë që ai të ketë mundësi të bëhet më “i prekshëm” nga vlerat estetike që ofron një vepër letrare. Për të shmangur leksionet e lodhshme, mendoj të përdor një mënyrë të thjeshtë, praktike, e cila në fund të fundit do të japë një rezultat të ngjashëm me trajnimin teorik. Pikënisja e pikëmbërritja do të jetë vepra e autorit. Mekanizmi është realizimi i procesit të anasjelltë të krijimit, me anë të të cilit do të përpiqem të depërtoj në ato rrethana e situata, që e kanë bërë shkrimtarin të mbruajë e të prodhojë një realitet të ndryshëm nga ai jetësor, atë që e quajmë realitet artistik.
Një veper letrare s’mund të quhet e tillë pa figurat letrare. Duke qenë se figurat letrare kryesore bazohen mbi analogjinë, si të formës, ashtu dhe të përmbajtjes, duhet të evidentohet ky element për të bërë zbërthimin e tyre e, më pas, rikonceptimin e kumtit që bartin. Po shtyhem pak më tej, për të shpjeguar se si do të funksionojë mekanizmi i analogjive. Vepra artistike është një produkt përfundimtar i ndërgjegjes krijuese të autorit e kjo ndërgjegje formaton përthyerjet emocionale, të shkaktuara nga objekte të ndryshme, qofshin konkrete apo abstrakte. Ne do te na duhet fillimisht t’i zbërthejmë elementet e ofruar nga autori në një vepër, duke i përqasur me nocione të thjeshta, të përgjithshme, lehtësisht të njohshme, për të shkuar nga marrja e kënaqësive estetike të detajit, deri te njohja e unit artistik të artistit.
Analogjitë e simboleve do të bëhen me vepra të të njëjtit autor, por edhe në mos qoftë gjithmonë e mundur, duke marrë parasysh se çdo autor, në shumë shfaqje të personalitetit te tij, ka pika takimi e përngjasimi me autorë të tjerë, pikërisht këto pika përngjasimi a përputhjeje do të shërbejnë për të shkuar drejt atyre njësive vlerësimi, të cilat ndihmojnë të shijohet vepra, duke kuptuar mekanizmin e krijimit.
Çdo artist, në procesin e krijimit, ka një pikënisje të fortë individuale. Do ta përmendim shpesh këtë element të rëndësishëm. Procesi i krijimit artistik është një nga mënyrat e shfaqjes së personalitetit të artistit. Me anë të tij, artisti realizon vetveten. Kjo hallkë e rëndësishme midis autorit e veprës na ndihmon që të kuptojmë dhe shijojmë veprën e krijuar. Çfarë do të thotë të kuptojmë një vepër? Do të thotë që të përjetojmë ato përthyerje, kryesisht emocionale, që fillimisht ka provuar autori dhe që i ka servirur më tej për t’i ndarë me ne. Ky delir i krijimit, i kësaj shpallje të një personaliteti të veçantë, qe është personaliteti i artistit, nuk është dhunti për këdo. Ata që nuk e kanë këtë dhunti, kanë vetëm një mënyrë për ta provuar: nëpërmjet shijimit të veprës në kahjen e kundërt, në procesin e leximit.
Më pëlqen ta shoh një vepër letrare si një mozaik, ku figuracioni, imazhi artistik, rrethanat e fabules, emocioni, perceptimi ndjesor etj., kanë vlerën e tyre. Ato duhen zbërthyer e kuptuar, sepse janë këto elemente që, duke u vënë në lidhje e bashkëveprim me njëri-tjetrin, japin unitetin e vlerave, që është vepra. Çfarë është një vepër? Ndër qindra përkufizime, do të zgjidhja këtë: Është një pjesë e gjeneralizuar e personalitetit të artistit, e cila realizohet me një nga mjetet që ky i fundit ka në dispozicion. Në rastin e letërsisë, mjeti është fjala. Do të merremi pikërisht me fjalën, me këtë njësi bazë, për të vazhduar më tej me shumëfishat e saj e për të përfunduar tek e tëra: vepra.

Kisha mëdyshjen e përzgjedhjes së veprës, që do të merrja së pari në analizë. Zgjedhja e veprës dramatike “Stinë e mërzitshme në Olymp”, e shkrimtarit Ismail Kadare, nuk është e rastësishme. Do të shpjegoj se kapërcimet në kohë e hapësirë shkojnë krahas me kapërcimet e problematikës komplekse që bartin e transmetojnë këto kohëra dhe hapësira. Personazhet mitologjike të kësaj vepre shkelin në të njëjtat rrugë që shkelim edhe ne, veshin të njëjtat rroba, përdorin të njëjtat mjete, mendojnë si ne, duhen, urrehen, lakmojnë, falin... Sa mirë do të ishte që, për të vazhduar, të mbanit në dorë një kopje të kësaj vepre.
Vetat e dramës renditen në këtë mënyrë: Prometheu – hyjni, Zeusi – zot i zotave. Vini re se hyjni është fjalë e gjuhës standarte letrare. Zota, zotat janë fjalë me burim dialektor. Hierarkia gjuhësore në këtë rast, ashtu si dhe radha e vendosjes, shërben për përcaktimin e hierarkisë së personazheve.
Të vazhdojmë me elementë të tjerë, që na kujtojnë një terminologji të njohur e të stërpërdorur gjatë më shumë se gjysmës së dytë të shekullit XX në Shqipëri: Përçarje në udhëheqje (fq. 19). Zënka për: a) njerezit; b) per çeshtje smire, lufte per pushtet; c) flitet se Prometheu ka vjedhur zjarrin hyjnor dhe ua ka dhene njerezve. (Fq. 23) Ndërsa në fq. 26:
“...per fronin behen te gjitha…”
Në përputhje me stilin eskilian të tragjedive, përpara ligjërimit të vetave, autori jep një shpjegim të shkurtër të mjedisit e rrethanave ku ndodhen ata, por shkon me tutje, duke krijuar me fjalë edhe skenografinë e dukjes së parë. Ajo që të bie në sy, është kupa në forme konserve, ku është shkruar fjala “nektar”. Për të mos e sforcuar imagjinatën e lexuesit, po paraqes nga Sandro Botticelli pikturën “Afërdita dhe Marsi”, po nga ky piktor edhe “Lindja e Afërditës”. Pa u marrë me analizën e tyre, do t’ju sugjeroja të imagjinonit se si do të dukeshin këto personazhe (vetat – siç i quan Kadareja në vepër) me nga një kanoçe lëngu në dorë, shto edhe disa të tilla të zbrazura, hedhur rrëmujshëm përtokë.

Mjafton vetëm ky element që krejt personazhet të çmitizohen, të bëhen po aq të rëndomtë, sa edhe objekti që mbajnë në dorë. Sepse personazhet, duke e konsumuar në mënyrë të vullnetshme këtë produkt, shprehin edhe një qëndrim të tyre ndaj objektit – janë të lidhur me të. Të jetë i rastësishëm ky element? Në art nuk ka elemente të rastësishëm. Për ta rikonfirmuar këtë, po i referohem përsëri veprës në faqen 38, ku gjejmë: ankth, dyshime, komplote, …të qena, të paqena… (të tërë këto elemente i përkasin realiteteve inperfekte njerëzore), apo faqes 41, ku në Olymp gjejmë: vjedhje, zvetënim.
Përse i duhet autorit ta çmitizojë Olympin? Sepse, pa e bërë këtë, nuk do të mund të japë si duhet efektin e klimës së terrorit politik në qarqet e larta, kupto: qarqe politike, që i gjejmë në faqet 15-17. Kur flasim për Olympin, në mendje të vijnë tipare të këtij nocioni, të cilat të largojnë nga ato çka përmenda pak më parë. Përqasen fillimisht cilësitë e residencës hyjnore, të cilat, edhe në qofshin të paqarta, gjithsesi janë larg të qenit të zvetnuara, të ndyra… Pas këtij çmitizimi, kemi mundësinë që të bëjmë përkahje (asosacione) me atë që na servir më tej autori. Në dukje del një vetë, i quajtur Hypnos, hyjni i departamentit të vdekjes, të cilit Hermesi, ndërlidhësi hyjnor, – i thotë: “…ngaqë merresh me gjumin dhe ëndrrat, u beson dhe vetë çarturive që sjell!”. Analogjia e parë që më vjen në mendje, është me personazhet e një tjetër vepre të Kadaresë, “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”. Cilësi dhe elemente të gatshme nga kjo vepër serviren haptazi edhe në këtë rast.
Fq.18: Emërtimi i godinës ku mbidhen shefat e udhëheqjes është: Pallati Qendror. Analogjitë që më shkojnë në mendje menjëherë janë: Pallati i Brigadave, Komiteti Qendror… ju mund të gjeni edhe të tjera. A duhen bërë këto analogji? Askush nuk na pengon. Nëse shkrimtari ka liri të krijojë siç e mendon vetë, edhe lexuesi ka lirinë të lexojë si të dëshirojë, domethënë të ecë sa të mundet në atë shteg që të hap shkrimtari. Nëse analogjia do të jetë e pasaktë, nuk do të ketë koherencë logjike me analogjitë e tjera apo me nënshtratin e veprës dhe, vetvetiu, do të bjerë poshtë. Por mua s’më ka ndodhur kështu. Ju mbetet ju të provoni të kundërtën.

* * *
Fq.23: Analogji është bërë nga autori me shprehjen “i njerëzishëm”, duke krijuar fjalën “i hyjnueshëm”. Siç mund ta vini re, ky fjalëkrijim të nxit pyetjen: kush ishte më parë, hyjnitë apo njerëzit? Në mënyrë intuitive, edhe ky element shërben në të bërit njerëzor të Olympit hyjnor.
Fq.25: Edhe vlerësimi që u bëhet perëndive, është me matësa njerëzorë: Shihni si përshkruhet Prometheu: i zoti, i pashëm, sqimatar, krenar, por... mendjemadh, ambicioz, me gratë ka ndryshuar, është i ftohtë, trillan. Një vlerësim të tillë përgjithësisht shkrimtarët e ruajnë për të përshkruar atë personazh që, më së shumti, reflekton prirjet e tij personale, mbart tipare të tijat, qoftë edhe ato që nuk i ka, por që do të dëshironte t’i kishte. Është e dallueshme qartë që vlerësimi femëror për personazhet meshkuj është shumë i rëndësishëm - një prirje e natyrshme e racës mashkullore kjo. Kush ka vlerësimet e një femre, ka “vulën e garancisë” për mashkullinë e tij. Po ashtu, vlen e kundërta. Nëse do ta ulësh dikë, vëri në krah gruan që s’ka pikë stime për të apo ia dredh, dhe ja ku e rrënove këtë farë burri. Figura mashkullore e Prometheut, e vënë në krahasim me disa nga zotat e tjerë, vetëm lartësohet, duke i bërë të përvajshme figurat mashkullore apo fatet mashkullore të këtyre të fundit, p.sh.: krahasimi me Hefestin e shëmtuar e sakat, që ia dredh gruaja, me Hadesin e verbër, që megjithëse s’i mungon potenca seksuale, është i shëmtuar e, së fundmi, e shoqja i vë brirët.
Fq.27-28: Flitet për armë të reja, të prodhuara nga Hefesti. Përveç analogjisë për shpenzimet e palogjikshme të sistemit komunist për mbrojtjen, siç ishte bunkerizimi, këtu mund ta shtrijmë rrethin e përfshirjes edhe më gjerë.
Fq.31: “Hypnosi: Ç'lidhje ka kjo me ne? Tani do t’jua them. Veç mos më ndërprisni. Besoj se e pranoni që njeriu është bërë nga balta. E pra, ashtu si njeriu është pjellë nga balta, ne jemi pjellë prej njeriut...” E para referencë me Biblën. Zoti e krijoi Adamin nga balta. Zhbalancimi i pozicioneve hyjni-njeri është po ashtu për t’u vlerësuar. Fq. 32: Element i ri: "Qendra". Fq. 35: Analogji e thyerjes dhe prishjes së relievit të Shqipërisë, e vënë përkrah me fatin e saj historik. Fq. 36: “Prometheu paska mprehur brirët kundër Zeusit”. Analogji me deshtë, që luftojnë me njëri-tjetrin apo me shprehjen: i futi brirët! – d.m.th. e tradhtoi? E para shkon më mirë. Fq. 38: “Gjyshe Gjea, nënëmadhja e perëndive…hiqet si gjyshe e dhembsur, kurse prapa krahëve u fut spica të gjithëve… shtijane… kurva plakë”. Më sjell ndër mend një personazh të një librit të Fahri Balliut për një zonjë me tiparet e sipërpërmendura.
Fq. 20, 39, 74: Karrocat e perëndive janë të zeza. Analogji me ngjyrën e benzave qeveritarë. E njëjta figure është edhe në veprën “Dimri i madh”, me “Zimat e zinj”. Fq. 41: Raca e re njerëzore. Analogji me pjellën ideologjike të importuar në Shqipëri nga Revolucioni kinez për “njeriun e ri”. Fq.47:
Dukja III, që zhvillohet në tokë, me një gjuhë belbane ka dhënë tërë zvetënimin moral, shpirtëror e intelektual të njerëzve të thjeshtë, të cilët filluan të zhdërvjelltësojnë mendjen dhe shpirtin nën dritën e “zjarrit” të sjellë nga Prometheu. Përsëri edhe këtu kemi një grua, e cila reagon e para dhe është një hap përpara burrit në latimin e shpirtit e mendjes. Shkrimtari s’e fsheh asnjëherë stimën që ka për seksin femëror edhe në këto aspekte.
Fq.53: Kalojmë te Dukja e katërt: Mbledhje me presidium – analogji me mbledhjet e dikurshme të Byrosë Politike. “Grindja jonë s’ka qenë vetëm për zjarrin. Prometheu u ngrit kundër meje jo për shkak të njerëzimit, por për një arsye tjetër: ai donte skeptrin tim. Ai donte rrufenë dhe shkabën, armët e mia”.
Cilat janë analogjitë që mund të bëjme me këto dy nocione: rrufe e shkabë? Nuk po bëj asnjë të tillë, për të mos jua prerë hovin e mendimit. Pra, Prometheu akuzohet jo si mbrojtës i njerëzve, por si mtonjës i pushtetit. I cilit pushtet? Ai thotë: “Ky është mashtrim! S’e lakmoj, e përbuz pushtetin tënd.” Ka edhe një pushtet, që ka të bëjë me vendin që zë në hierarkinë e shpirtit të njerëzve një person. Ai është pushtet nga më të sigurtit. I pacënueshëm nga nomenklaturat, lufta e klaneve. Do t’i rikthehem këtij argumenti, po vazhdoj me analogji të tjera: Prometheu zot i njerëzve, kundër “njeriut tjetër”, Zeusi kundër njeriut-njeri. Fq.58: Më bën përshtypje, te Dukja IV, futja e një elementi gazetaresk, e ngjashme me një konferencë shtypi, ku edhe pyetjet që bëhen janë shumë të guximshme, pasi flitet dhe kërkohet llogari për veprimet e kreut të shtetit. Përsëri një analogji me sisteme të quajtura demokratike, ku aplikohen nga pushteti të njëjtat praktika despotike.
Fq. 56: Kur flitet sesi e shtiu në dorë Prometheu zjarrin, përmenden: 1) Dielli; 2) Punishtja e Hefestit; 3) Fërkon dy drurë, nga të cilët njëri me vrimë, duke aluduar për simbolikën e dy organeve gjenitale femërore dhe mashkullore. Analogji e dukshme midis dashurisë njerëzore dhe iluminimit shpirtëror më të lartë. Po këtu, Prometheu thotë: “Pranoj më mirë një tru të rrezikshëm dhe të aftë, sesa një tru të squllur. Zvetënimi i njeriut do të çonte në humbjen tonë.” Mund ta analizojmë gjatë këtë paragraf, por më pëlqen ta drejtoj mendimin nga dëshira e natyrshme e një shkrimtari që bashkëkohësit e tij të arrijnë ta vlerësojnë sa më mirë veprën e tij, në mënyrë që ai ta marrë që në gjallje vendin që i takon mes tyre. Mos harroni, po flasim për një betejë pushteti midis një zoti të zotave dhe një hyjnie.
Fq. 76: “Prit... Ç'është ajo grua me të zeza..?...Kam dëgjuar për një hyjneshë të huaj, që ka ardhur kohët e fundit s’dihet nga ku. “Vrasja e ndërgjegjes”, kështu më duket se e ka emrin.” Një grua me te zeza vishet në rast zije, të vdekjes së një të afërmi, përgjithësisht bashkëshortit. Gjithashtu, kjo ngjyrë është normale te veshjet e murgeshave, kallogreve. E përbashkët e këtyre kategorive grash është mungesa e një burri përkrahu. Pershkrimi në libër për këtë personazh është mjaft dashamirës. Përmendet fakti që është “e huaj”, “ka ardhur kohët e fundit”. Me fjalë të tjera, ajo shoqëri e asaj kohe nuk ishte mësuar të vuante nga vrasja e ndërgjegjes, çka për ta mund të konsiderohej një luks i pamundshëm.
Fq. 77: Në Dukjen VI, flitet për censurën artistike. Temat e kohës konsiderohen të rrezikshme. Prometheu po i afrohet territorit të artit. Kemi dhe një figurë aktori (kupto-artisti) rebel. Termat këtu fillojnë të bëhen më të qarta. Del një shkrimtar në skenë, për të cilin thuhet “ kur fitojnë në konkurs, i ka cmire gjithë bota”. Gjithë bota i përfshin edhe perënditë, sigurisht.

* * *
Po kaloj te Dukja VII. Fq. 85: Përmenda vlerësimin e lartë të autorit për femrën. Ja ku kemi tani të njëjtin element, të kthyer me kokë poshtë: të shkretët burra, që s’i kanë gratë të mira e të bukura. “Herë vithegjerë”. Zeusi e paska gruan me vithe të gjera. “Prangat ju lumturojnë më shumë se seksi”, i thotë pak më poshtë. Më tej, Prometheu lidhet në një shkëmb në Kaukaz. Analogji me traditën popullore, Eposin e kreshnikëve,ku ngjarjet vendosen në vende të largëta, ekzotike, intriguese për konsumuesin e veprës.
Fq. 90:“Në të dalë të Thesalisë… mitingje kundër meje…” Analogji me mbledhjet e masave, ku kritikoheshin shfaqjet e huaja, shkarjet ideologjike etj.? Shumë e mundshme. Fq.91: Oqeanidet, vajza të reja, admirojnë Prometheun si mashkull. Del përsëri raporti mashkull-femër, i përmendur edhe më lart.Fq. 99: Konkluzion i rëndësishëm teorik: “Është e vërteta e moçme se gjëja e parë që bën një tiran është mihja e gropës së vet.” Po këtu, përsëri kthehet lufta Promethe-Zeus, por në rrafshin mashkullor: “Jam e sigurt se smira e Zeusit, ashtu si e çdo burri, zanafillën e parë aty e ka patur”, thotë një grua, që i njeh mirë praktikat seksuale dhe mentalitetin e partnerëve. Rimarrja e temës së rivalitetit seksual mashkullor krijon një dimension tjetër të konfliktit. U entuziasmuam në fillim kur përmendëm se sa e vlerëson femrën autori, por sikur më zbehet pak ky imazh, kur na serviren të tilla konkluzione: “Ka meshkuj që puthja e rrugaçes, që mban erë djersë, u shijon më fort se shtrati i nimfave, ashtu siç ka femra që janë gati të shkojnë nga shtrati i princit te një jevg brashnjar”. Në të dy rastet, vetëm femra ndyhet: fillimisht ngaqë vetë mban era djersë; së dyti, kur i futet në shtrat një jevgu brashnjar. Çfarë i ka ndodhur shkrimtarit në këtë rast?
Fq. 104: “Katragjyshja jonë, nëna e gjyshes Gjea, ajo që arriti e para ta zbuste me përkëdhelje Kaosin, ajo e di ç'ka hequr. Ose, më mire, vagina e saj e di... Ajo e di si ia zbuti furinë dalngadalë, si ia joshte spermën brenda barkut të saj...” Kemi një mrekulli të shtrirjes së efekteve të seksit deri në përmasa kozmike. Ja ku ia kthen menjëherë borxhin grave autori.
Fq. 109: Një shkrimtar, që ka marrë rrugën e mërgimit. Të jetë një analogji e fatit të shkrimtarit tonë, në atë ikje të shumëpërfolur në Francë? Pa dyshim, analogjia Eskil - Kadare është e qartë.
Fq.133: Duhet të them se është hera e parë që Prometheu paraqitet si shkrimtar: “Ky ishte haku që do të mbante veglën e shkrimit. Se jam i sigurt që mendonte se shkruante më bukur se Zeusi.” Është e njohur cmira dhe konkurrenca midis artistëve, përfshi edhe shkrimtarët. Kujtoj se edhe udhëheqësi komunist shqiptar shkruante libra. Kjo është shfaqja e radhës e konfliktit mes dy personazheve tanë kryesorë.
Fq. 134: Bëhet përqasja e parë e Prometheut me Jezu Krishtin. Fillon jo vetëm paraqitja e figurës, por edhe e disa tipareve të doktrinës kristiane. P.sh, në faqen 140-142, Ëndrra mashtruese, ky personazh i njohur edhe nga tregimi me të njëjtin titull, tenton të shkaktojë ftohjen me njerëzit. Del në pah problemi i mosmirënjohjes njerëzore, i përcaktuar si një mëkat i rëndë nga doktrina kristiane.

* * *
Mund të vazhdojmë gjatë me të tilla analogji, por mendoj se edhe me kaq mund të sintetizojmë, të bëjmë disa përgjithësime që vijnë si konkluzion logjik i këtyre analizave. Pra, po bëj kalimin nga deduksioni i mesazheve të veprës në induksionin e ngjarjeve jetësore të shkrimtarit.
1) Ndarja e kohës në kohën prometheane dhe në kohën kristiane ka të bëjë me ndarjen e historisë sonë në periudhën komuniste e post-komuniste.
Fillimisht, shkrimtari e ka futur veten në lëkurën e Prometheut. Ndonëse i afërt me nomenklaturën komuniste, e ka distancuar veten në atë çka ai ka ofruar për njerëzit, pra veprën e tij, e cila ka iluminuar mendjen dhe shpirtin e tyre, duke i shtyrë drejt asaj lirie, që s’e lidh dot asnjë lloj prange: lirisë së ndërgjegjes, në kundërshti me pjesën tjetër të nomenklaturës.
2) Zeusi është diktatori i kompleksuar komunist, i cili, në meskinitetin e tij njerëzor, e kuptonte se ç'vlerë kishte artisti e, pikërisht për këtë arsye, duke e konsideruar si një kundërshtar të denjë, ka dashur të krijojë superioritet mbi të me të gjithë mjetet e mundshme, por pa e asgjësuar kundërshtarin, madje duke u përpjekur shpesh herë ta ngrejë sa më lart, në mënyrë që edhe sfida personale karshi tij të amplifikohet e të marrë tjetër vlerë.
3) Më tej, shkrimtari ka marrë trajtat e Jezusit. Ka një analogji midis figurës së Prometeut me J. Krishtin, e cila konsiston në paraqitjen e të dyve si bartës të prirjeve humaniste, iluministe e revolucionare (në kuptimin transformues). Përse paragonohet autori me J. Krishtin e jo me dikë tjetër? Një shpjegim është që bindja intelektuale dhe intuita artistike e shkrimtarit e kanë çuar atë drejt kësaj figure, duke treguar prirjen natyrale të shqiptarëve për t’u afruar me Evropën nënë, fe dominuese e së cilës është kristianizmi. Liria e mendimit, e përfaqësuar nga doktrina kristiane dhe liria e proçesit artistik, e parë në lirinë e krijimit, janë elemente që e përforcojnë këtë ide. Por s’mund të mbetem vetëm këtu. Simbolika e Jezu Krishtit është më e rëndësishme se shpjegimi i mësipërm. Ky personazh, i cili mori mbi vete mëkatet e botës, pa pasë bërë vetë asnjë mëkat - gjë për të cilën u penalizua me dënim kapital - i shkon fort për shtat autorit për apologjinë karshi tërë aludimeve të bëra në kurriz të tij për lidhjet me nomenklaturën e kuqe, të ashtuquajturat “lavde” të thurura për diktatorin, apo edhe për bashkëpunim me struktura të sigurimit të shtetit.
4) Elementi "Qendra", do t’i shkonte shumë për shtat një organizate ndërkombëtare. Personalisht mendoj se kjo qendër është jashtë çdo strukture apo superstrukture të institucionalizuar. Pa dashur të bëj hamendësime, e konsideroj si provën e sigurt të relativitetit të çdo lloj pushteti, sado i konsoliduar të duket.
5) “Vrasja e ndërgjegjes”, e futur nën lëkurën e një gruaje, më shumë se element interaktiv në fabulën e veprës, duket se ka hyrë me vlerën e një rrëfimi si përpara priftit, për të shlyer ndonjë “brengë” të vetë autorit.
U mundova të shmang nga trajtimi ato analiza e sinteza, që mund t’i gjeni në esenë e shkruar nga Éric Faye, e cila paraprin veprën. Nga sa thamë më sipër, është e dallueshme që ka gjithmonë këndvështrime të larmishme për ta parë e shijuar një vepër letrare.

25 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›