E Shtunë, 31 Tetor 2026

Halli i Ramës, të gjejë ferrën ku të strehojë Bamirin

13-03-2012 / Gazeta 55

Berisha: “Edvini meriton të ‘përgëzohet’ se e çoi të majtën nga disfata në disfatë. Tani e ka kapur halli se kujt do t’ia hedhë Bamirin në prehër..., pasi i përdori votën, tani kërkon ta shesë sapunin për djathë”

Shefi i ekzekutivit Sali Berisha ironizoi dje tendencën e Edi Ramës përmes editorialeve, për t’u bërë “arkitekt i së djathtës”, në një kohë kur të majtën që drejton, vazhdon ta çojë nga humbja në humbje dhe s’mban asnjë përgjegjësi për kostot elektorale. Sipas liderit të mazhorancës, përpjekjet e kryesocialistit për të hedhur baltë mbi PD-në do të mbeten të dështuara, ndërsa ajo që e shqetëson atë më shumë, është se kujt do t’ia “ngecë” Bamir Topin të cilin e detyroi të votojë në 2011-ën, ndërsa sot kërkon ta shesë sapunin për djathë. “Zhvillimi më interesant, siç e keni konstatuar, në të gjitha ciu-ciut e javëve të fundit dhe editorialet është përpjekja e zotit Rama për t’u bërë arkitekt i të djathtës. Pasi e ndriçoi të majtën, e udhëhoqi nga disfata në disfatë, tani si t’ia bëjë me të djathtën. Këtu ka një bizantinizëm të vogël brenda, kujt do t’ia hedhë Bamirin në prehër. Ekzakt! Pasi e detyroi të votojë, etj. etj.., tani e ka kapur halli se në ç’ferrë do ta vendosë” - u shpreh Berisha. Sipas Kryeministrit, opozita nuk votoi për largimin e ish-nënkryetarit të KLD-së, ndërsa tani derdh lot krokodili se çahet e djathta. “Unë i them zotit Rama se nga themelimi i PD-së e deri më sot, ka një histori. Kanë dështuar të gjithë ata, të cilët janë përpjekur t’ua servirin sapunin për djathtë. Atë faqeziun nuk e votoi që ta shkarkonim nga KLD, sepse nuk guxonte të votonte. Tani derdh lot krokodili, se po çahet e djathta. Megjithatë mendoj se komenti më i mirë për të gjitha këto është, “no comment””- nënvizoi kryeministri Berisha. Në editorialin e fundit, kryesocialisti Rama i kishte kushtuar një hapësirë të konsiderueshme “problemeve”, që sipas tij ka e djathta shqiptare. Në fakt, problemi i Edvinit nuk është te “çarja” e së djathtës, por te shkërmoqja e opozitës dhe për të cilën ai s’mban asnjë përgjegjësi përballë socialistëve të thjeshtë. Këtë e bëri në 2009-ën kur humbi zgjedhjet parlamentare, e bëri në 2011-ën ku humbi jo vetëm në rang kombëtar, por edhe dështoi në tentativën për rimandatimin e katërt në Bashkinë e Tiranës. As këtu s’mbajti përgjegjësi për sukseset e munguara të partisë së tij. Sot, dënglat e tij bëjnë zhurmuesin për “shtëpinë e tjetrit”, në një kohë kur “flaka” i ka përpirë të tijën. S’do mend të kuptohet se Edvini kërkon ta shesë Bamir Topin si “djathtist të zhgënjyer”, por në të vërtetë ai bie me këmbët e tij në gropën që i hapi vetes dhe Bamir Topit. Kjo për disa arsye. Bamir Topi votoi Edi Ramën, kështu që, s’ka dyshime nëse është i majtë apo i djathtë. Tjetër gjë se ka mbajtur poste të larta drejtuese në PD, me idenë e përfaqësimit të të djathtës shqiptare, ai në bindje ka qenë dhe është një ‘majtist’. Bamir Topi bashkëpunoi me Edi Ramën në këmbim të mandateve të dyta, projekt i cili do merrte udhë pas rrethimit 5 orësh të selisë së Këshillit të Ministrave në 21 janar të vitit të kaluar, por që fatmirësisht dështoi. Bamir Topi bashkëpunoi me të majtën politike kur nuk dekretoi ligjin e “Lustracionit”, i cili do shënonte edhe nisjen e procesit të dekomunistizimit të shoqërisë shqiptare, por presidenti i Republikës ua bëri nderin ‘kapove’ të politikës që livadhisin në Partinë Socialiste, në Kuvendin e Shqipërisë, ish ministra, deputetë etj., të cilët shohin te Bamiri trampolinën e mos llogaridhënies për vitet e shërbyera në kupolën komuniste në dëm të interesave të Shqipërisë dhe shqiptarëve.  

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›