Vladimir Tismaneanu: “Krenar që librat e mi në shqip vijnë me një sigël prestigjioze si ajo ‘55’”
Politologu dhe shkrimtari i shquar rumuno-amerikan vlerëson botimin e afërt në shqip të librit të tij “Stalinizëm në çdo stinë” dhe njofton se do të jetë së afërmi në Tiranë për promovimin e tij
Politologu i shquar rumuno-amerikan, Vladimir Tismaneanu, i njohur në Shqipëri për botimin e vjetshëm të librit “Për 1989. Fundosja e utopisë” nga Shtëpia Botuese “55”, ka shprehur kënaqësinë e tij për njoftimin se së afërmi, e njëjta shtëpi botuese, do të hedhë në treg edhe librin e tij më të rëndësishëm “Stalinizëm në çdo stinë”. Në një shënim të tij në blogun personal, ai falënderon publicistin Fahri Balliu për botimin e dy librave të tij, duke kujtuar se për rumunët dhe për shqiptarët publikime që kanë të bëjnë me analizën që u bëhet diktaturave komuniste janë thellësisht të nevojshme për kohën e sotme. Ai kujton se ka patur kënaqësinë të shkruajë parathënien e botimit në rumanisht të monografisë së Balliut, “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha”, një libër mjaft i rëndësishëm dhe i vlerësuar nga lexuesi rumun. Ai gjithashtu shpreh kënaqësinë që sigla e botimeve të tij në shqip, do të jetë e njëjtë me atë të historianit të tij më të dashur, Simon Sebag Montefiores, si dhe fshikullon shtetin rumun, i cili megjithëse duhej të ishte i interesuar për publikimin në gjuhë të tjera të studimeve krahasuese që kanë të bëjnë me komunizmin e posaçërisht atë rumun, s‘ka dhënë asnjë ndihmë në këtë drejtim.
Ja disa pjesë nga shënimi i djeshëm i Vladimir Tismaneanu-t në blogun e tij personal
“Bëj pjesë në atë klub të vogël ndërkombëtar intelektualësh, (shkrimtarë, politologë, filozofë, historianë) për të cilët përvoja e Shqipërisë në shekullin e XX është tejet domethënëse, për sa i përket totalitarizmit dhe strategjive të rezistencës. Kur them klub, është fjala, natyrisht, për një metaforë. Prej vitesh ëndërroj të mbërrij në Tiranë. Do ta bëj në muajt që vijnë, shpresoj, me rastin e botimit në shqip të librit tim “Stalinizëm për çdo stinë”. Një histori politike e komunizmit rumun, në Shtëpinë Botuese prestigjioze ku janë botuar përpos të tjerash, librat e historianit tim të preferuar, Simon Sebag Montefiore. Është fjala për përkthimin e edicionit origjinal, në anglisht, botuar më 2003 në “University of California Press”.
E falënderoj Fahri Balliun, romancierin e shquar, historianin dhe gazetarin shqiptar, për iniciativën e botimit të librit, si dhe, para një viti, të vëllimit tim “Për 1989. Fundosja e utopisë”. It goes without saying, siç i thonë fjalës, që asnjë institucion i shtetit rumun nuk ka kontribuar në botimin e librave të mi në Shqipëri”.