E Diel, 1 Nëntor 2026

Obama: "Kriza globale kërkon përgjigje globale"

Gjatë shfaqjes së parë përpara shtypit në cilësinë e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Obama vërejti se "kriza ekonomike e SHBA-ve është më e rënda në jetën tonë" dhe nënvizoi se "dalja nga humnera nuk do jetë as e lehtë dhe as e menjëhershme"

Për Presidentin e sapozgjedhur, Barak Obama, kriza ekonomike është globale dhe kërkon reagim global. "Duhet një plan për t‘i ardhur në ndihmë shtresës së mesme", vërejti Obama, duke ia kushtuar konferencën e parë për shtyp problemeve të shkaktuara nga kriza ekonomike. "Kriza ekonomike e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është më e rënda në jetën tonë", vërejti Obama, duke shtuar se "dalja nga humnera nuk do të jetë as e lehtë dhe as e menjëhershme. Është një sfidë me të cilën do përballem sy për sy", shtoi më pas, duke nënvizuar se Amerika ka veç një President dhe se do ta merrte zyrtarisht detyrën më 20 janar të vitit të ardhshëm, por pa përjashtuar mundësinë e aprovimit të një pakete stimuluese për ekonominë që gjatë fazës së tranzicionit.

Një konferencë shtypi e përqendruar te kujdesi e te reflektimi, e para e mbajtur nga Barak Obama pas fitores së zgjedhjeve presidenciale të 4 nëntorit: e nisur me rreth 20 minuta vonesë dhe që zgjati diçka më pak se gjysmë ore. I rrethuar nga këshilltarët e stafit ekonomiko-financiar, Obama iu përgjigj të gjitha pyetjeve të reporterëve, duke insistuar me faktin se kishte ndër mend t‘i hidhte hapat me kujdes, pa e lënë veten të përfshihej nga rrjedha e ngjarjeve.

Takimi me Bushin

Shumë prej të pranishmëve prisnin ndonjë deklaratë të papritur, sidomos lidhur me postin e ministrit të Thesarit, por pasardhësi i Xhorxh Bushit i qëndroi me këmbëngulje të tijës: emërimet do t‘i bëjë "me shpejtësi"; por do jetë një nxitim "i peshuar mirë", që do të thotë se do t‘i bëjë të ditura gjatë javës në vazhdim. "Nuk ka dyshim që njerëzit duan të dinë kush do bëjë pjesë në stafin tonë. Ndërkohë, unë dua ta trajtoj këtë çështje me gjithë shpejtësinë që lejon peshimi i kujdesshëm i kandidaturave. Gjithsesi, vërejti edhe një herë, dua ta vë theksin si te termi ‘i peshuar me kujdes‘, ashtu edhe tek ai ‘i shpejtë‘". Më pas siguroi gazetarët për takimin e së hënës me Presidentin Xhorxh Bush në Uashington: "Do shkoj në Shtëpinë e Bardhë me shpirtin bipartizan. Nuk parashikoj asnjë problem. Jam konsultuar me të gjithë ish-presidentët e gjallë për t‘u përgatitur për Shtëpinë e Bardhë", shtoi Presidenti i sapozgjedhur, për t‘iu përgjigjur një pyetjeje mbi këtë temë.

Ai bëri një gjest komik dhe një pauzë pasi përmendi fjalën "të gjallë". "Nuk dua që për asnjë çast të dukem si Nensi Regan, që lidhej me shpirtrat e atyre që kishin banuar para saj në Shtëpinë e Bardhë", shtoi duke qeshur. Ish-zonja e Parë, Nensi Regan, kishte zakon të konsultonte magjistarë për "të folur" me shpirtrat e banorëve që kishin jetuar në Shtëpinë e Bardhë para saj. Obama shpjegoi se qe konsultuar me Bill Klintonin, Xhimi Karterin, Xorxh Bush Plakun, si dhe me Presidentin aktual. Ai vazhdoi duke shpjeguar se në përgatitjen e tij përfshihej edhe rileximi i librave, "si ai i fjalimeve të famshme të Linkolnit, të cilët janë gjithnjë burim i rëndësishëm frymëzimi".

Prioritet, shtresa e mesme

Duke iu rikthyer temave ekonomike, ai tha: "Prioriteti i prioriteteve është një plan shpëtimi për shtresën e mesme". Duke komentuar të dhënat mbi papunësinë, në nivelet më të larta historike, Obama konsideroi si domosdoshmëri urgjente rizgjimin e tregut të punës dhe premtoi shtimin e ndihmave për të papunët. Premtoi ndihmë të konsiderueshme edhe për industrinë e prodhimit të automjeteve, e cila, sipas bindjes së tij, ka nevojë për mbështetje: "Do të vlerësojmë opsione të ndryshme mbi politikat e mbështetjes së sektorit të automobilave".

Arma nukleare e Iranit, e papranueshme

Gjatë temës së politikës së jashtme, Barak Obama e përkufizoi "të papranueshëm" faktin që Irani mund të prodhojë armë nukleare dhe shtoi se mbështetja që Teherani i jep terrorizmit, duhet të ndalë. Për sa i përket letrës së urimit, dërguar nga Presidenti iranian Mahmud Ahmadinexhad, sqaroi se "kam ndër mend ta rilexoj", duke nënvizuar se "dua t‘i përgjigjem në mënyrën e duhur dhe jo në mënyrë të shpejtë e të pathelluar". Presidenti amerikan i sapozgjedhur bëri me dije se "do t‘i hedhë hapat me shumë kujdes", duke kujtuar se nuk është akoma zyrtarisht kreu i Shtëpisë së Bardhë: "Do të jem që nga 20 janari", u përgjigj ai prerë.

Qeni për vajzat

Në fund të konferencës për shtyp u fol edhe për qenin që Presidenti i ri u kishte premtuar vajzave në rast fitoreje. Mësohet se Obama kishte dashur të merrte një qen nga një qendër për kafshët e braktisura. Por në këtë pikë ka probleme: një prej vogëlusheve është alergjike, tregoi Presidenti gjatë konferencës. "Pas së gjithash, shtoi Obama, shumë prej qenve të këtyre qendrave janë bastardë, si unë". Ndërsa për sa u përket shkollave të vajzave, tregoi se me atë problem do të merrej e shoqja.

Paqe pas gafës së Berluskonit

Telefonata e shumëpërfolur me Kryeministrin italian u prit gjatë gjithë ditës së premte. Opozita italiane ia vuri fajin për vonesën komentit të bërë nga Berluskoni lidhur me ngjyrën e lëkurës së Presidentit të ri amerikan, e cila u përmend në të gjitha mediat botërore, duke ngjallur jo pak polemika. Më në fund, në orën dhjetë të darkës (sipas orës sonë), erdhi kontakti i drejtpërdrejtë mes Kryeministrit italian dhe banorit të ri të Shtëpisë së Bardhë. Një bashkëbisedim që zgjati rreth njëzetë minuta dhe që nga zyra e Kryeministrit u përkufizua "me tone mjaft dashamirëse". U fol për G8-ën nën presidencën italiane, mbi Afganistanin, mbi misionet e përbashkëta në vende të ndryshme. Por mbi të gjitha qe një bisedë gjatë së cilës për asnjë çast nuk u zu në gojë polemika e shkaktuar nga shakaja e Berluskonit mbi ngjyrën e lëkurës së Obamës.

Ishte konkluzioni i një çështjeje që kishte shkaktuar dallgë të forta gjatë gjithë së premtes, pasditja e së cilës e pa Berluskonin të impenjuar në një debat aspak të këndshëm me gazetarët gjatë një konference shtypi të Këshillit Evropian. Argumentet mbi ekonominë kaluan në plan të dytë gjatë asaj konference shtypi dhe Berluskoni pranoi të përgjigjej për rreth 10 minuta lidhur me komentin e shumëpërfolur. Fillimisht pyetjeve iu përgjigj me njëfarë qesëndie, por shpejt e humbi toruan dhe u bë pre e nervozizmit. Iu shfry me inat një gazetari, i cili e pyeti në mos ishte rasti t‘i kërkonte të falur popullit "të fyer" amerikan. Nuk bëri as edhe një hap prapa, e konsideroi më se të drejtë cilësimin "i thekur nga dielli", teksa përdorej në formën e shakasë për të identifikuar banorin e ri të Shtëpisë së Bardhë. Risolli në kujtesën e gazetarit këngën e njohur italiane, "Abbronzatissima". "I kujtoni fjalët e këngës? Diçka krejtësisht dashamirëse, absolutisht jo fyese. Mund të thosha fare mirë që është i ri e i gjatë, por nuk do të ishte me vend para Putinit e Medvedevit, që duket qatë se nuk janë të gjatë", u shpreh Berluskoni.

Nuk i veshi asnjë domethënie faktit që Obama komunikoi drejtpërdrejt me liderët e tjerë evropianë dhe atë e la të fundit: "Nuk kam gjetur ende kohën për të kontaktuar me të. Kam pas shumë impenjime ndërkombëtare: dje në Moskë, sot këtu, por e gjitha kjo është diçka qesharake".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›