E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partia e tij zë një vend të rëndësishëm në dy qytete kryesore

Wilder, ekstremisti i djathtë antiislamik fitore të madhe në votime

Lideri antiislamik holandez, Geert Wilder, ka fituar bindshëm në zgjedhjet lokale të djeshme, duke u shndërruar kështu në një nga sfidantët kryesorë për marrjen e pushtetit në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme që do të zhvillohen në qershor. Në testin e parë të opinionit publik, që pas rënies së qeverisë së Kryeministrit të vendit Balkendende, pas kontradiktave të ashpra në lidhje me vazhdimësinë e misionit ushtarak holandez në Afganistan, partia e Wilders kryeson në qytetin e Almeres dhe zuri vendin e dytë në Hagë. Sipas këtij rezultati, partia që bën fushatë me kundërshtinë ndaj emigracionit të huaj e kryesisht atij që vjen nga vendet islamike, do të fitonte 27 vende në Parlamentin me 150 vende, nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin menjëherë. Kjo do ta sillte Wilders-in në një koalicion qeverisës, megjithatë asgjë nuk është e sigurt. Në rast se do të kishte probleme me krijimin e koalicioneve dhe kriza politike do të zgjaste shumë, atëherë në rrezik do të ishte vetë stabiliteti i brishtë ekonomik i Holandës. Ndërkaq, popullariteti i Wilders që e krahason islamin me fashizmin dhe Kuranin me librin e Hitlerit “Mein Kampf” e ka dëmtuar shumë imazhin e Holandës, që shpesh në të shkuarën e ka portretizuar veten si një vend bastion të tolerancës. Ndërkaq, në Holandë ndodhen mbi 1 milion myslimanë. Sipas disa analistëve, në elektorat ka në përgjithësi një ndjenjë pakënaqësie të klasës politike dhe Wilders di ta shfrytëzojë këtë situatë më së miri. Ai po përpiqet që rezultati i këtyre zgjedhjeve lokale të jetë një gur themeli për zgjedhjet e përgjithshme që do të zhvillohen vetëm pas 4 muajsh. Vetë Wilders, që ka marrë shumë kërcënime për vdekje, në mitingun e djeshëm ishte i rrethuar nga masa të rrepta sigurie. Për të marrë pjesë në takim njerëzit kanë kaluar nëpër detektorë antimetalë. Ndërkohë që njerëzit e thjeshtë nuk kanë armiqësi me myslimanët, duke i quajtur ata pjesë të shoqërisë me të mira dhe të këqijat e veta. Sipas një numri të madh holandezësh, ata që krijojnë probleme nuk trajtohen në mënyrën e duhur dhe se mënyra më e mirë do të ishte një ndarje e vlerave dhe problemeve nga të gjithë, nga vendasit dhe të ardhurit, për të siguruar një bashkëjetesë më të mirë.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›