E Diel, 1 Nëntor 2026

Hamasi pa plan për paqe, Egjipti thirrje për armëpushim



Përfaqësuesi i Hamasit në Liban, Osama Hamdan, bëri të ditur se lëvizja radikale islamiste do të luftojë në Rripin e Gazës derisa të plotësohen kërkesat e saj. Këto komente u bënë pasi udhëheqja e Izraelit po shqyrton mundësinë e shpalljes së armëpushimit të njëanshëm për të përfunduar ofensivën trejavëshe kundër militantëve të Hamasit në Rripin e Gazës. Hamasi thotë se çfarëdo marrëveshje duhet ta përfshijë edhe tërheqjen e forcave të Izraelit nga Gaza dhe tërheqjen e bllokadës së territorit nga ana e Izraelit. Prej 27 dhjetorit, kur Izraeli filloi ofensivën e tij kundër Hamasit në Rripin e Gazës, janë vrarë 1150 palestinezë dhe 13 izraelitë. Presidenti i Egjiptit, Hosni Mubarak, dje bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm dhe pa kushtëzime në Rripin e Gazës dhe kërkoi që Izraeli të tërheqë trupat e veta nga ky territor. Prej kohësh, Egjipti po përpiqet të ndërmjetësojë marrëveshjen ndërmjet Izraelit dhe lëvizjes islamike radikale Hamas, që qeveris Rripin e Gazës. Izraeli ka thënë se ofensiva kundër Hamasit ka për qëllim ndaljen e sulmeve me raketa nga Gaza në territorin izraelit. Izraeli bombardoi përsëri dje Rripin e Gazës. Në qytetin verior Beit Lahiya, zyrtarët e Kombeve të Bashkuara thonë se dy fëmijë u vranë kur predhat izraelite ranë në një shkollë të administruar nga OKB-ja ku ishin strehuar qindra civilë. Të paktën 14 veta u plagosën. e

19 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›