Obama nis marshimin drejt Shtëpisë së Bardhë
Blerina Olldashi
Presidenti i zgjedhur i SHBA-ve, Barak Obama, filloi dje udhëtimin më të rëndësishëm të jetës së tij me destinacion Uashingtonin. Udhëtimi me tren, i cili do të përfundojë të martën më 20 janar, filloi në Filadelfia ku u shpall pavarësia e SHBA-ve nga Britania në vitin 1776. Shumë persona shkuan për të përshëndetur Obamën dhe nënpresidentin Bajden në Filadelfia, si dhe në tri ndalesa të tjera. Pjesëmarrje e madhe pritet gjithashtu sot në një koncert në natyrë ,para Memorialit të Linkolnit. Obama do të ndjekë itinerarin që zhvilloi me tren heroi i tij, presidenti amerikan Abraham Linkoln, në vitin 1861, në prag të marrjes së postit të presidentit. Më 20 janar, Obama do të bëjë betimin si Presidenti i 44-t i SHBA-ve. Në lidhje me këtë ditë të madhe historike, Presidenti i zgjedhur amerikan, Obama, tha se inaugurimi i tij do të jetë diçka më tepër se thjesht transferim i pushtetit. Sipas tij, kjo do të jetë “festë e popullit amerikan”. Në fjalimin e tij javor në radio, Obama tha se të gjithë amerikanët shpresojnë për një fillim të ri. “Për këtë arsye, ngjarjet gjatë disa ditëve të ardhshme nuk janë thjesht për inaugurimin e presidentit të ri amerikan, ato do të jenë festë e popullit amerikan”, - tha presidenti i zgjedhur, Barak Obama. Të martën, në Parkun Kombëtar parashikohet të mblidhen deri në dy milionë persona për të parë ceremoninë e betimit të Obamës dhe, më pas, paradën që zhvillohet me këtë rast. Në Uashington janë shtuar masat e sigurisë. Trupave të policisë do t’u shtohen rreth 18 mijë forca të ushtrisë, ndërsa 14 mijë të tjerë do të jenë në gjendje gatishmërie, në rast urgjence. Festimet do të mbyllen me një numër ballosh zyrtare. Megjithatë, një nga detyrat më të vështira për presidentin e ri është kriza ekonomike, e cila ka rrënuar sipërmarrjet më të rëndësishme duke lënë të papunë një pjesë të madhe të popullsisë. Edhe pse premtoi se do të gjendej një zgjidhje për të kapërcyer gjendjen e vështirë, shpresat tashmë janë ulur. “Megjithë programin konjukturor prej disa miliardë dollarësh, nuk do të ketë shpëtim brenda natës”, - u shpreh Obama. Sipas presidentit amerikan, situata mund të keqësohet fillimisht, para se të përmirësohet sërish. Qeveria amerikane bëri ndërkohë të ditur se pret rritje të madhe papunësie gjatë këtij viti. Kuota e papunësisë në Shtetet e Bashkuara do të rritet nga 5,7 në 7,7 për qind, - thuhet në raportin e fundit ekonomik të qeverisë së presidentit Xhorxh W. Bush.
19 Janar 2009