E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hamasi pranon armëpushimin e propozuar nga Egjipti



Blerina Olldashi
Paqja në Rripin e Gazës tashmë duket më e afërt. Hamasi u ka dorëzuar dje negociatorëve egjiptianë përgjigjen për planin e armëpushimit. Pranimi i armëpushimit erdhi pas tri ditë konsultimesh në Kajro mes Hamasit dhe shefit të Shërbimeve Sekrete egjiptiane, Omar Suleiman. Para takimeve, një burim u shpreh se Izraeli do të informohet sot nga Egjipti për vendimin e Hamasit. “Egjipti të enjten do të informojë Izraelin për vendimin e Hamasit”, - tha burimi për mediat. Luftimet mes ushtrisë izraelite dhe militantëve palestinezë gjatë ditës së djeshme u intensifikuan pranë qytetit të Gazës. Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, dyfishoi përpjekjet për të siguruar një armëpushim afatgjatë dhe të qëndrueshëm në Gaza. Duke folur në Kajro në fillim të një vizite në rajon, Ki Mun tha se shpresonte që iniciativa diplomatike egjiptiane të jepte rezultate sa më shpejt. Me këtë rast, ai dënoi përdorimin e tepërt të forcës nga ushtria izraelite. Mediat bënë të ditur se luftimet e intensifikuara rrezikojnë që ta ndajnë më dysh Rripin e Gazës. Izraeli gjatë natës kreu mbi 60 sulme ajrore. Plani egjiptian i paqes parashikon fillimisht një armëpushim të kufizuar dhe bisedime, të cilat do t’i jepnin fund kontrabandës së armëve, do të hapnin pikat kalimtare të kufirit si dhe do të bëhej tërheqja e trupave izraelite. Diplomatët perëndimorë e mbështetën këtë plan si më të përshtatshmin për situatën e krijuar. Pika më kritike e Hamasit është kërkesa për një armëpushim deri në 15 vjet, pa tërheqjen e menjëhershme të ushtrisë izraelite. Por një prezencë e pushtuesve në Rripin e Gazës është e papranueshme, - u tha ditën e martë.
Më herët, numri dy i byrosë politike të Hamasit, Musa Abu Marsuk, u shpreh: “Ne kemi pa dyshim rezerva dhe dëshirë për ta ndryshuar planin e paqes të Egjiptit. Në qoftë se këto dëshira merren parasysh, mund të krijohet një paketë që mund të çojë në një zgjidhje. Këtë “iniciativë” në formën e saj aktuale ne nuk e pranojmë”. Megjithatë, Egjipti duket se ia arriti qëllimit për të bindur drejtuesit e Hamasit të pranonin planin e armëpushimit me Izraelin.

15 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›